Drejtësisë i mbetën prangat në dorë, nuk gjenë dot pronarët e Inceneratorëve

116
Sigal

Biznesmenët e incenatorëve firmosin prokura, ndërkohë që janë në kërkim ndërkombëtar. Ata marrin miliona nga ministria e Finacave në numrat e tyre të llogarisë, por prokuroria justifikohet se nuk po i gjenë dot pronarin real. DASH në raportin e fundit për korrupsionin në Shqipëri theksonte se afera e vjedhjeve nga inceneratorët ka arritur deri tani në 271 mln. euro

Departamenti i Shtetit Amerikan, duke u ndalur te korrupsioni, në raportin e fundit për Shqipërinë theksonte se vjedhjet me aferën e inceneratorëve kanë arritur në nivelin e 271 mln USD. Gjithashtu në raport thuhet se gjyqësori në vend është i kapur, një akuzë e fortë sidomos pas shtatë vitesh të nisjes së reformës në drejtësi.

 Skandali/ Qeveria austriake i ka kërkuar institucioneve shqiptare pozicionin e Mirel Mërtirit, Klodian Zotos dhe Stela Gugallës në aferën e 430 mln eurove të landfilleve të plehrave. Në përgjigjen e palës shqiptare thuhet se: Zoto e Gugalla përndiqen si investitorë seriozë në Shqipëri dhe u rrezikohet jeta nga rivalët me ndikim të paligjshëm në qarqet brenda strukturave të drejtësisë që i ka shpallur në kërkim dhe nga partitë e opozitës, që po i sulmojnë. Me ndihmën e klanit mafioz kryeministror, që ka lidhje interesash brenda SPAK-ut, më 12 dhjetor 2021 ata u njoftuan para arrestimit dhe u arratisën në Austri, duke u lejuar nga Policia paçka se e kishte marrë urdhrin për arrestimin e tyre.

 Para disa ditësh, një raport i DASH, më i ashpri në dekada, nënvizonte sidomos skandalin e inceneratorëve. DASH theksonte se kjo aferë kap një shifër prej mbi 271 milion dollarë.Por teksa DASH bëri këtë denoncim, afera vazhdon dhe shteti vazhdon të paguajë miliona euro për djegësat që nuk ekzistojnë.Vetëm pak ditë më parë, bashkitë e Tiranës, Durrësit dhe Kavajës dërguan mijëra euro në llogaritë e djegësave. Por në mënyrë të habitshme, kreu i SPAK, Altin Dumani tha se nuk i ndalin dot pagesat prej miliona eurosh për inceneratorët. Sipas tij, kjo ndodh pasi nuk dihet pronari real. Edhe pse teoria më e thjeshtë thotë se duhet të gjurmosh paratë, pra pagesat që bëhen rregullisht nga qeveritarët socialistë, Dumani tha se nuk e dinë pronarin. Kujtojmë se opozita ka deklaruar vazhdimisht se pronari i vërtetë i kësaj sipërmarrje është kryeministri Edi Rama. Ndryshe nuk shpjegohet kjo mungesë vullneti për të bllokuar milionat që derdhen rregullisht në kontot bankare që vetëm SPAK nuk i sheh.

 

1-Biznesmenët e inceneratorëve firmosën prokura, ndërsa ishin në kërkim ndërkombëtar

Seanca e parë për çështjen në ngarkim të të akuzuarve për aferën e inceneratorit të Elbasanit dështoi të zhvillohej të enjten më 30 mars 2023, pasi nuk ishte arritur të gjendej dhe të njoftohej e pandehura Jonida Zeqo, e cila gjendet nën masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi”. Relatorja e çështjes, gjyqtarja Elsa Ulliri la si detyrë që për në seancën tjetër të shoqërohen të pandehurit që gjenden në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Gjykata la detyrë të njoftohej edhe avokati i të pandehurës Etleva Kondi, për të cilin kjo e fundit shpjegoi në seancë se e kishte zgjedhur së fundmi, por ai gjendej jashtë vendit të enjten. Po ashtu, Ulliri kërkoi që t’i kërkohet informacion zyrës së Interpol Tiranës nëse janë ekzekutuar urdhërat e kërkimit ndërkombëtar për të pandehurit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja e Klodian Zoto, tre biznesmenët e akuzuar se kanë korruptuar zyrtarët e nivelit të lartë dhe kanë pastruar para. Në përfundim, gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 7 prill në orën 14:30 dhe seancat vijuese duke filluar nga data 20 prill, çdo të enjte në orën 09:00. Në seancën e të enjtes, mes të pandehurve dhe avokatëve të pranishëm gjendeshin edhe përfaqësuesit ligjorë të të shpallurve në kërkim ndërkombëtar, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto. Mërtiri dhe Zoto figurojnë në arrati, ndërsa Gugallja prej rreth dy muajve është në proces ekstradimi nga një gjykatë austriake në Vienë të Austrisë. Nga sa u bë me dije prej gjyqtares Ulliri në fillim të seancës, tre biznesmenët e pandehur, kanë lëshuar prokura të posaçme për përfaqësuesit e tyre ligjorë në nëntor të vitit 2022, kohë kur kanë qenë të shpallur në kërkim. Zoto dhe Gugallja u shpallën në kërkim prej dhjetorit 2021 dhe Mërtiri më vonë, megjithatë ata kanë mundur që të paraqiten para noterëve dhe të lëshojnë prokurë të posaçme për t’u mbrojtur në procesin e gjykimit të ngritur prej tyre nga SPAK. SPAK dërgoi për gjykim në dhjetor të vitit 2022 çështjen për inceneratorin e Elbasanit, duke vendosur nën akuzë ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, të dy të arrestuar. Ata nuk u paraqitën në seancën e parë të gjykimit të enjten, duke njoftuar gjykatën se do të mbroheshin nga avokatët e tyre, të cilët ishin të pranishëm. Sipas akuzës, zyrtarët e qeverisë dhanë një koncesion me prokurim pa shpallje duke përdorur një metodë prokurimi të paparashikuar në legjislacionin e prokurimeve publike. Zyrtarët që morën pjesë në procedura, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri e Serafin Papa, janë nën akuzën e abuzimit të detyrës, ndërsa ish-ministri Koka është nën akuzë të trefishtë për abuzim me detyrën, korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Bllako akuzohet për shpërdorim detyre në aferën e inceneratorit të Elbasanit, ndërkohë që ai është marrë i pandehur edhe për falsifikim të të dhënave për tokën mbi të cilën është ndërtuar inceneratori i Fierit, duke i ndryshuar kartelën nga “tokë arë” në “tokë truall”. Ish-deputeti i PS-së akuzohet gjithashtu se ka përfituar padrejtësisht me anë të punësimit të babait të tij, Edmond Bllako, pranë kompanisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” të inceneratorit të Tiranës. Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka dhënë tre kontrata koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, te një grup kompanish të lidhura me njëra-tjetrën, nën pronësinë e personave pa eksperiencë të mëparshme në këtë fushë. Prokuroria thotë se dy kompanitë e inceneratorit të Elbasanit kanë paguar rreth 329 milionë lekë (afërsisht 3 milionë euro) fatura për punë të pakryera, skema përmes të cilës dyshohet se Lefter Koka ka përfituar paratë e korrupsionit. Birn

2- Pagesat për inceneratorët mbi 15 mln euro më 2022. Ministrja Ibrahimaj: Pagesat do të vijojnë

Pagesat për inceneratorët vijojnë edhe pse hetimet po zbulojnë se kemi të bëjmë me një nga aferat më të mëdha korruptive në vitet e fundit. Kompanitë e inceneratorëve janë nën sekuestro dhe zotimet se do të ketë incenerim të mbetjeve, kanë mbetur vetëm fjalë. Pronarët e firmave që kanë lidhur kontratat koncesionare janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tyre janë ngritur akuza penale. Pavarësisht këtyre, miliarda vijojnë të derdhen në llogaritë e këtyre kompanive. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, projektet e inceneratorit të Tiranës dhe të Elbasanit, vitin e kaluar, morën 1.8 miliardë lekë (15,4 mln euro) financime nga buxheti i shtetit, ku rreth 1.4 miliardë lekë u dhanë për impiantin e Tiranës. Ndërsa 376 milionë lekë para publik u dhanë për inceneratorin e Fierit. Prej disa vitesh, tre inceneratorët renditen në krye të listës së investimeve qeveritare për nga vlerat e larta të financimit. Pagesat kanë vijuar edhe muajt e parë të këtij viti dhe siç duket, qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, nuk ka ndërmend t’i ndalë. Këtë e konfirmoi këtë të Premte ministrja e Finacave Delina Ibrahimaj. Në një konferencë për mediat, e pyetur për sa do vijojnë pagesat për kompanitë e inceneratorëve, ajo tha se do të vazhdojnë përderisa nuk ka një vendim për t’i ndaluar. “Jam përgjigjur në disa raste dhe përgjigja do mbetët e njëjta përsa kohë është një shërbim public, që është duke u kryer dhe përsa kohë s’ka një vendim të organeve ligjzbatuese apo ligjvënëse për pezullimin e pagesave do vijojnë të kryhen edhe pagesat”,- u shpreh ministrja. Kujtojmë që Departamenti i Shtetit Amerikan, duke u ndalur te korrupsioni, në raportin e fundit për Shqipërinë theksonte se vjedhjet me aferën e inceneratorëve kanë arritur në nivelin e 271.5 milionë dollarëve. Gjithashtu në raport thuhet se gjyqësori në vend është i kapur, një akuzë e fortë sidomos pas shtatë vitesh të nisjes së reformës në drejtësi.