Rritja e çmimeve, qytetarët: Çmenduri! S’hamë dot një copë djathë

109
Sigal

Qytetarët në Durrës e kanë të vështirë të blejnë bulmet, kjo pasi çmimi është rritur me 28%. Kjo normë rritje vlerësohet si më e larta historike sa i përket produkteve të qumështit. Tregtarët tregojnë se rritja ka ndikuar në uljen e numrit të blerësve.

“Çmimet janë rritur jashtë mase”, thotë një qytetar.

“Është 10 mijë lekë kilja këtu që e mora tek një shok, se ky shkon edhe 15 mijë lekë kilja. S’është normale fare”, tha një tjetër qytetar.

Aspak normale duken çmimet edhe për vetë tregtarët.

“Këtë djathë ne e shisnim 950 lekë, kurse tani e shesim 14 mijë lekë. Kjo është një gjë që nuk shkon, ne e ndjejmë vetë. Djathi që shitej 650 lekë kilja, tani shitet 13 mijë lekë kilja. Është çmenduri”, deklaroi një shitës.

Prandaj, prej vështirësive ekonomike si rezultat i pagave e pensioneve të pandryshueshme, familjet po i blejnë “me racion” nënproduktet e qumështit.

“Djathë s’kam blerë fare se s’mundem”, deklaroi një qytetar.

“Po ç’të bëj? Blej gjizë në fshat. E porosis te vëllai im se ma jep lire”, deklaroi një tjetër.

Një tjetër deklaroi se e blen me racione të vogla për shkak të çmimit të lartë: “Blejmë nga një gjysmë kile, sa për të kaluar javën.”

Edhe tregtarët në pikat e shitjes me pakicë të produkteve të bulmetit pohojnë rënie të fuqisë blerëse.

“Kanë rënë jashtë mase, është shumë shumë keq”, deklaroi një tregtar.

“S’kanë lekë të hanë, ku t’i gjejnë qytetarët e shkretë”, tha një tjetër.

“Nëse bëje 100 mijë lekë xhiro, tani bën 50 mijë. Nëse bëje 500 mijë, bën 250 mijë. D.m.th., është 50% rënie të punës”, tha regtari.

Qumështi dhe djathi ishin produktet që u shtrenjtuan më së shumti në shkurt.

RRITJA E ÇMIMEVE

(SHKURT 2023/SHKURT 2022)

Bulmetet             28%

Vajra/yndyrna   17.4%

Peshku                 16.3%

Buka/drithrat     15.2%

Mishi                     13.8%

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se norma e inflacionit te bulmetet një muaj më parë ishte 28%, ndjekur nga vajrat dhe yndyrat me 17.4%, peshku 16.3%, buka e drithërat 15.2% dhe mishi me 13.8%.

Po sipas të dhënave nga INSTAT, rritja e çmimeve te bulmetet muajin e shkuar është më i larti historik duke u 7-fishuar norma e rritjes në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.