Drejtësia do “gllabëroj” edhe 250 mln euro, dosjet shtohen, qytetarët zvarriten gjykatave

40
Sigal

Milionat e Reformës “i merr lumi”! KE në “Shqipëria Screening 2023” thotë se krimi dhe korrupsioni në Shqipëri është i përhapur në të gjitha degët e pushtetit qendror e lokal dhe përbën një shqetësim serioz për hyrjen në BE. Projektbuxheti i vitit 2024 parashikon 262 miliardë lekë për drejtësinë, ose dy fishin e buxhetit të 2016. Në një vështrim më të detajuar rezulton se: Personeli do përfitojë për pagat 160 miliardë lekë, ose 60% më shumë se në 2016. Dietat, karburanti, mjetet, hotelet dhe luksi i zyrave do jetë 80 miliardë lekë, ose 2 herë më shumë se në 2016

Milionat e Reformës ‘i merr lumi’, krimi dhe korrupsioni në shkallë alarmante

Komisioni Europian në “Shqipëria Screening 2023” thotë se korrupsioni në Shqipëri është i përhapur në të gjitha degët e pushtetit qëndror dhe atij lokal dhe përbën një shqetësim serioz në rrugën e saj drejt hyrjes në BE.

Shkarkimet nga Vettingu i kanë lënë gjykatat me gjysmën e organikës, koha e dhënies së një vendimi në apelin e Tiranës ka arritur deri në 16 vjet. Pra qytetarët lehtësisht do të zvarriten nëpër dyert e gjykatave. Shifrat dëshmojnë  postulatin “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Pasi referuar raportit të KLGJ-së, stoku i dosjeve të pashqyrtuara në Gjykatën e Apelit Administrativ deri në fund të vitit 2022 është 21,166 çështje në pritje. Stoku i dosjeve u rrit 15% krahasuar me vitin 2021. Kurse Gjykata e Lartë e ka filluar vitin 2022 me një total prej 36,066 çështjesh në pritje të gjykimit. Dështon dhe Vettingu! Sipas raportit vjetor të ILD, gjatë vitit 2022 ka 3467 ankesa për gjyqtarët dhe prokurorët e partisë.

Projektbuxheti i vitit 2024 parashikon rreth 26.2 miliardë lekë për drejtësinë, ose 13.5 miliardë lekë më shumë se buxheti i vitit 2016. Edhe krahasuar me vitin 2023, buxheti i parashikuar për sektorin e Drejtësisë rritet në mënyrë të konsiderueshme, me 4.2 miliardë lekë më shumë. Këto shifra reflektojnë mbështetjen financiare për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të reformës në drejtësi, ku përfshihen institucionet e Vettingut, të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, reformimin e institucioneve të sistemit të akuzës dhe sistemit gjyqësor, të inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Shkollës së Magjistraturës, si edhe reformimin e institucioneve të tjera të varësisë së Ministrisë së Drejtësisë.

Në mënyrë të vazhdueshme janë mbështetur edhe kërkesat e institucioneve të drejtësisë për rialokime fondesh, të cilat janë përdorur për optimizimin e kushteve të punës, si edhe për sistemet e teknologjisë së informacionit.

Në një vështrim më të detajuar të projektbuxhetit për këtë sektor, rezulton se:

  • Shpenzimet e personelit për punonjësit e sistemit të drejtësisë parashikohen të jenë 16 miliardë lekë, ose 9 miliardë lekë më shumë se në vitin 2016. Rritja e ndjeshme e fondit ndër vite reflekton jo vetëm rritjen e numrit të burimeve njerëzore, por edhe rritjen e pagave për punonjësit e këtyre institucioneve.

Për vitin 2024, shpenzimet e personelit për të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë janë rritur me 3.1 miliardë lekë, krahasuar me buxhetin fillestar për vitin 2023. Kjo rritje i dedikohet efektit financiar të reformës së pagave të nisur në vitin 2023. Nga ky fond 1.4 miliardë lekë janë akorduar vetëm për magjistratët.

  • Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes në vitin 2024 parashikohen në masën 8 miliardë lekë, ose dy herë më shumë sesa në vitin 2016. Këto shpenzime kanë adresuar nevojat e të gjitha institucioneve për të siguruar realizimin optimal të veprimtarisë funksionale të tyre.
  • Shpenzimet për investime në vitin 2024 parashikohen rreth 2.3 miliardë lekë.

Projekte të reja investimesh publike, që financohen në projektbuxhetin 2024 janë:

  • Për SPAK mbështeten me 550 milionë lekë projektet e reja infrastrukturore dhe pajisjet teknologjike, të cilat parashikohen të implementohen në vitet 2024-2025.
  • Implementimi dhe Përmirësimi i sistemit të regjistrit elektronik noterial, me vlerë rreth 234 milionë lekë.
  • Investime për përmirësimin e infrastrukturës në mjekësinë ligjore dhe laboratorin e toksikologjisë.
  • Financime për përmirësimin e infrastrukturës së Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë Tiranë.
  • Rikonstruksioni i Gjykatës Kushtetuese, me vlerë 20 milionë lekë.
  • Arkiva Digjitale për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Ndërkohë që vijon mbështetja buxhetore për ndërtimin e institucionit për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve me 632 milionë lekë për vitin 2024. Referuar parashikimeve buxhetore për institucionet e tjera të pavarura kushtetuese, jemi përpjekur të akomodojmë pjesën më të madhe të kërkesave, duke siguruar fillimisht financimin e plotë të reformës së pagave dhe më tej nevojave shtesë të paraqitura gjatë diskutimeve për përgatitjen e Programit Buxhetor Afatmesëm 2024-2026.