Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Fortesa shkëmbore e Atdheut tim

26
Sigal

Atdheu im, ka në shpinë, fortesë malesh të gjerë,

që i mbron gjoksin e blertë e dy sytë e kaltër detar.

Pas maleve, ka fusha e breza vargmalesh të tjerë,

që mbrojnë gjithë pjesët e plota të trupit kombëtar.

Nga kjo fortesë malore, atdheu ka shkrepur vetëtima,

mbi erërat verilindore, të furtunave me sulm grabitqar.

Dhe nga rrufetë e kohërave, lindën gjëmimtarë trima,

mbetur gjallë këngëve heroike, nëpër mijëravjeçarë…

Në fortesën e atdheut tim, me zanafillë pellazgjike,

janë dyndur turma ardhacakësh, nga stepat Urale.

Herë si miq, herë me vërshime shigjetash armike,

kanë tronditur qetësinë e Arbërisë sonë legjendare.

Janë përpjekur, fortesën malore ta fundosin në det,

ta lënë trupin e atdheut tim, pa kolonë vertebrore;

në valët e Adriatikut dhe të Jonit të lundronin vetë,

por a mund të shkulet nga rrënjët, fortesa natyrore?!…

Në trurin e tyre, zgjohen, shpesh ujqër e arinj leshtorë,

që ëndërrojnë përsëri, të shqyejnë qengja Dardanie.

Por tani sovrani i maleve, përveç kërrabës në dorë,

ka edhe raketat e Natos, që shkrepin rrufe nga yjet.

Urrejtja Urale, ndez zjarre flakërues, herë pas herë,

duke gjuajtur kufijve ndonjë shqiponjë, dykrenore.

Por pastaj tërbohet, me klithma vdekjeje nëpër erë,

përballë krismave të rrufeve, nga fortesa shkëmbore.

Ata s’dinë, ose nuk duan ta kuptojnë fare të qartë,

se këto troje, me pak tokë e shkëmbinj që jehojnë,

i ka vendosur këtu, qysh në krijim, Zoti nga lartë,

kur caktoi frymorët, që me jetën e tyre t’i mbrojnë!…