Projekti i ndërtimit në zonën e Pishë-Poros: Policia “mbron krimin jo ligjin”
-Kur u ngrit rrethimi në zonën e mbrojtur, shteti mungoi. Kur u rrëzua rrethimi i paligjshëm, shteti u shfaq për të na ndalur.
-Rreth 600 hektarë tokë në një zonë të mbrojtur, në paligjshmëri të plotë, po u kalojnë oligarkëve për t’u betonizuar.
-Banorët vendas po mbrojnë me forcë këtë trashëgimi të natyrës shqiptare, nga ana tjetër janë investitorët/oligarkët që duan betonizimin e vendit, krijimin e resorteve turistike
– Vlora, Narta, Pishë-Poro dhe Valbona nuk u përkasin politikanëve të radhës dhe as investitorëve strategjikë, ato janë pasuri kombëtare.
-Nëse nuk reagojmë sot, nesër fëmijëve tanë do t’u tregojmë vetëm foto se si ka qenë dikur bregdeti shqiptar. Reagimi fillon nga secili prej nesh!
Dr. Florian Fusha
Projekti i ndërtimit në zonën e Pishë-Poros është një nga temat më të nxehta dhe më të diskutueshme sa i përket balancës mes zhvillimit ekonomik/turistik dhe ruajtjes së mjedisit në Shqipëri. Kjo zonë, e njohur për pyllin e saj karakteristik të pishave, plazhin e virgjër dhe afërsinë me deltën e lumit Vjosa (Sektori Narta/Vjosë), mbart një rëndësi të jashtëzakonshme ekologjike. “Me VKM nr. 694, datë 26.10.2022, ekosistemi natyror/ligatinor “Pishë Poro – Nartë” shpallet “Peizazh i Mbrojtur”, Kategoria e V (IUCN). Pjesë e rrjetit EMERALD dhe IBA. Përbëhet nga dy pjesë: Pishë Poro dhe Narta. Akumulimi, në zonën e Pishë Poros, aktualisht, zhvillohet në të dy anët e grykëderdhjes së kanalit kullues të Povelçës, në rreth 7 km gjatësi. Për këtë flasin: ndryshimi drejt veriperëndim i grykëderdhjes së kanalit të Povelçës; rritja e shpejtë e gjerësisë së plazhit, rreth 400-500m, me ritëm vjetor të akumulimit 40-50m. Laguna e Nartës (41,5km2), bën pjesë në lagunat e mëdha të bregdetit tonë të Adriatikut. Në skajin jugor të lagunës ngrihen kodrat e ulëta terrigjene të Triportit, të cilat, nëpërmjet brezit litoral, lidhen me skajin jugor të deltës së Vjosës. Ky brez litoral, i mbuluar në pjesën më të madhe me pisha, veçoi lagunën nga deti. Në të janë dy kanale natyrore, nëpërmjet të cilave laguna e Nartës komunikon me detin. Laguna ka thellësi të vogël, mesatare 1,2 m dhe maksimalja rreth 2 m. Kodra e ulët e Zvërnecit formon një ishull në lagunë. Pjesa veriore e lagunës është kthyer në kripore në fillimet e viteve 1950. Laguna e Kallëngës (450ha), është lagunë e cekët. Lidhet me detin me kanal të hapur kohët e fundit.”
Pishë Poro nuk është thjesht një grumbull pemësh buzë detit, siç duan ta shesin ata që llogarisin fitimet e resorteve. Kjo zonë përfaqëson një nga xhevahiret e fundit të virgjëra të Mesdheut: • Ekosistemi Unik i Dunave dhe Pyllit Bregdetar: Pishë Poro mbulon një sipërfaqe masive pishash të egra (të zeza dhe të buta) të ndërthurura me duna ranore unike. • Biodiversitet i Klasit Botëror: Kjo zonë është një “hotspot” i biodiversitetit, ku strehohen qindra lloje shpendësh shtegtarë, gjitarë të rrallë dhe zvarranikë autoktonë. Pishë Poro shërben si urë lidhëse dhe korridor ekologjik i pazëvendësueshëm mes Lagunës së Nartës dhe Deltës së Lumit Vjosa – lumi i fundit i egër i Evropës.• Statusi Ndërkombëtar: Nuk është thjesht një pasuri shqiptare; ajo është pjesë e peizazhit të mbrojtur dhe e njohur nga konventat ndërkombëtare për rëndësinë e saj në ruajtjen e habitateve të shpendëve të ujit. Vetë kjo VKM e 26 tetor 2022, e cila kësaj zone të mbrojtur i reduktoj statusi nga “rezervat natyror i menaxhuar”, kategori e IV-në “peizazh i mbrojtur”, kategori e V dhe i tkurri sipërfaqen nga 21.238 ha në 16.124,61 ha, ishte një kambanë alarmi. Por ishte ligji 21/2024 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 81/2017 “PËR ZONAT E MBROJTURA”, që i dha goditjen përfundimtare zonave të mbrojtura dhe hapi rrugën për betonizimin e tyre! Pasojat kryesore negative të këtij ligji: 1. Hapja e rrugës për ndërtime masive dhe resorte. Ndryshimi më kritik i ligjit lejon ndërtimin e resorteve turistike me 5 yje, hoteleve dhe infrastrukturave të tjera të mëdha brenda kufijve të Zonave të Mbrojtura. Pasoja: Kthimi i habitateve të paprekura në kantiere ndërtimi, gjë që çon në fragmentimin e mjedisit dhe humbjen e statusit “të egër” të natyrës shqiptare. 2. Legalizimi i investimeve strategjike shkatërruese. Ligji i ri i jep Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) dhe Këshillit të Ministrave të drejtën për të miratuar projekte industriale dhe ekonomike brenda këtyre zonave. • Pasoja: Kjo përfshin plane për impiante të përpunimit të mbetjeve, porte jahtesh, rrugë apo projekte të tjera intensive, të cilat më parë ndaloheshin rreptësisht për të ruajtur ekosistemin. 3. Kërcënimi i Biodiversitetit dhe Specieve në Rrezik. Shqipëria strehon zona me rëndësi globale si Delta e Vjosës (Narta), Parku Kombëtar i Divjakë-Karavastasë dhe Alpet Shqiptare. • Pasoja: Zhurma, ndotja akustike dhe dritat nga turizmi masiv do të dëmtojnë rrugët e shtegtimit të shpendëve (si p.sh. Flamingo dhe Pelikani Kaçurrel në Nartë e Karavasta) dhe do të shkatërrojnë habitatet e specieve të rrezikuara si Rrëqebulli i Ballkanit, apo Ariu i Murmë. 4. Humbja e Kontrollit nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM). Me ndryshimet e reja, AKZM-ja e humb fuqinë e saj menaxhuese dhe vendimmarrëse mbi territorin që supozohet të mbrojë. Fuqia zhvendoset tek ministritë e linjës dhe komitetet politike/ekonomike. • Pasoja: Vendimet për fatin e natyrës nuk merren më mbi baza shkencore apo mjedisore, por mbi baza të pastra përfitimi ekonomik dhe interesi afatshkurtër të investitorëve privatë. 5. Rrezikimi i Integrimit në Bashkimin Evropian. BE-ja dhe rrjetet ndërkombëtare mjedisore (si Natura 2000) kanë rregulla strikte për ruajtjen e natyrës. Ndryshimi i këtij ligji u bë pa u konsultuar plotësisht me rekomandimet e BE-së. • Pasoja: Ky hapi pas në legjislacionin mjedisor mund të penalizojë Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE (veçanërisht për Kapitullin 27, që flet për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike). 6. Efekti “Domino” i Ndryshimit të Kufijve. Ligji lejon rishikimin e kufijve të zonave të mbrojtura nëse ato vlerësohen se “kanë humbur vlerat natyrore”. • Pasoja: Kjo krijon një precedent të rrezikshëm. Një zonë mund të lihet qëllimisht pas dore ose të dëmtohet, me qëllim që më pas t’i hiqet statusi i mbrojtjes për t’ua shitur apo dhënë me qira investitorëve për ndërtim. Dhe ky alarm u bë realitet kur në maj të 2026 në brendësi të zonës së mbrojtur të Pishë Poros u futën fadromat, filluan gërmimet dhe prerjet e pemëve, zona u rrethua me gardh metalik! Në heshtje totale filluan punimet, pa bërë publike asgjë, pa prezantuar projektin turistik që do realizohet, pa treguar se kush do e bëjë, pa treguar se sa do jetë impakte në mjedis, etj, Kjo solli reagimin e banorëve vendas dhe organizatave mjedisore, të cilët dolën në protesta deri edhe brënda kantierit të ndërtimit, sepse sipas tyre efektet kryesore dëmtuese që sjell ky lloj investimi në Pishë Poro janë: 1. Shkatërrimi i kurorës së pishave dhe dunit të rërës. • Pasoja: Ndërtimi i hoteleve, resorteve apo infrastrukturës rrugore kërkon prerjen e sipërfaqeve të tëra me pyll dhe rrafshimin e dunave. Kjo zhvesh tokën dhe zhduk barrierën natyrore që mbron zonat e brendshme bujqësore nga erërat e forta të detit dhe kripëzimi. 2. Erozioni bregdetar dhe humbja e vijës ranore. Dunat dhe rëra e Pishë Poros janë në një ekuilibër delikat dinamik që formohet nga prurjet e lumit Vjosë dhe rrymat e detit Adriatik. • Pasoja: Ndërtimet e ngurta buzë detit (betonizimi, muret mbrojtëse private, ndërhyrjet në plazh) prishin këtë ekuilibër natyror. Si rrjedhojë, zona do të pësojë një erozion të përshpejtuar, ku deti “përçan” dhe gllatëron plazhin me ritme shumë më të shpejta sesa normalisht. 3. Fragmentimi i habitatit dhe dëmtimi i faunës së egër. • Pasoja: Kthimi i zonës në një kantier ndërtimi dhe më pas në një qendër urbane turistike sjell fragmentim të habitatit (ndarje e hapësirave ku kafshët ushqehen dhe shumohen). Prania e makinerive të rënda dhe ndryshimi i destinacionit të tokës e bën të pamundur mbijetesën e specieve autoktone në atë territor. 4. Ndotja Akustike dhe Fotike (e dritës). Ekosistemet bregdetare funksionojnë mbi bazën e cikleve natyrore të dritës dhe qetësisë. • Pasoja: Turizmi elitar dhe masiv sjell me vete ndriçim të fuqishëm artificial gjatë natës dhe zhurmë konstante (nga muzika, mjetet lëvizëse, aktivitetet). Kjo “ndotje drite” e çorienton tërësisht faunën e zonës, veçanërisht shpendët shtegtarë dhe breshkat e detit, të cilat mund të refuzojnë të folezojnë apo të ndalojnë në këtë stacion mjedisor. 5. Presioni mbi burimet ujore nëntokësore. Zona e Pishë Poros ka shtresa ujore nëntokësore (akuiferë) mjaft delikate dhe të cekëta, të cilat preken lehtësisht nga ndërhyrjet njerëzore. • Pasoja: Resortet e mëdha turistike konsumojnë sasi masive uji për pishina, gjelbërim artificial dhe shërbime. Shpimi i pakontrolluar i puseve për të furnizuar këto struktura shteron ujin e ëmbël nëntokësor, duke lejuar që uji i kripur i detit të hyjë në brendësi të tokës (inkursioni detar), gjë që shkatërron përgjithmonë tokën bujqësore përreth dhe florën e mbetur. 6. Problematika e mbetjeve dhe ujërave të ndotura. Shtimi i fluksit të turistëve në një zonë që më parë ka qenë e paprekur krijon një sfidë të madh menaxhimi. • Pasoja: Nëse projektet turistike nuk kanë impiante të certifikuara dhe funksionale të përpunimit të ujërave të zeza (KPSU), rreziku i shkarkimit të tyre në det ose në tokë është i lartë. Kjo sjell eutrofizim (shtim të helmeve dhe algave të dëmshme në ujë) dhe ndotje të rëndë të vijës bregdetare. Protestat popullore të banorëve dhe te shoqatave ambientaliste vazhdojnë dhe këtu u vu re një rol aspak normal i Policisë! Nëse normalish dhe ligjërisht roli i përgjithshëm që duhet të këtë Policia e Shtetit është: Policia e rendit ndërhyn kryesisht për të garantuar zbatimin e ligjit në terren dhe mbarëvajtjen e rendit publik: • Zbatimi i vendimeve shtetërore: • Menaxhimi i protestave: • Mbrojtja e pronës private/publike: Policia ndërhyn nëse ka konflikte pronësie në terren midis kompanive ndërtuese dhe banorëve që pretendojnë pronësinë mbi tokën (një problem mjaft i përhapur në zonat bregdetare). Siç po ndodh shpesh në vitet e fundit, në raste te tilla, Policia po bën të kundërtën, duke u bërë palë dhe mbrojtëse e investitorëve e kundër banorëve vendas. Me plotë të drejtë mund të citojmë një prej protestueseve:

“Policia mbron krimin jo ligjin.Kur u ngrit rrethimi në zonën e mbrojtur, shteti mungoi. Kur u rrëzua rrethimi i paligjshëm, shteti u shfaq për të na ndalur. Rreth 600 hektarë tokë në një zonë të mbrojtur, në paligjshmëri të plotë, po u kalojnë oligarkëve për t’u betonizuar. Nartë, Vlorë, 16.05.2026 “.
Nga njëra anë janë banorët vendas që duan të mbrojnë këtë trashigimi të natyrës shqiptare, duan të mbrojnë pyllin, bregdetin e virgjër, lagunën për vete dhe për brezat që vijnë e nga ana tjetër janë investitorët/oligarkët që duan betonizimin e vendit, krijimin e resorteve turistike, shfrytëzimin në maksimum dhe në çast të pasurivë natyrore shqiptare. Dhe shteti shqiptarë në vend që të ishte ndërmjetës në gjetjen e një ekuilibri ndërmjet ruajtjes së trashigimisë natyrore siç e kërkon shoqëria civile dhe shfrytëzimit të shpejtë siç e kërkojnë oligarkët, bëhet palë më këtë të fundit, duke ndryshuar fillimisht ligjin për ruajtjen e Zonave të Mbrojtura dhe duke i mbrojtur me Policinë e shtetit kur ata fillojnë punimet. Rasti i Aeroportit të Vlorës në Akërni (brenda Zonës së Mbrojtur dhe planet për resorte në Pishë-Poro tregojnë se nuk po flasim për ngjarje të izoluara, por për një tendencë të rrezikshme të zëvendësimit të natyrës me beton.

Kur institucionet që dështojnë të mbrojnë ligjin nisin e mbrojnë interesat e ngushta financiare, barra i kalon shoqërisë. Mbrojtja e natyrës nuk është më thjesht punë e “disa biologëve”, por një detyrë emergjente për të gjithë ne. Ja çfarë mund dhe duhet të bëjmë, si qytetarë dhe si shoqëri, për të ndaluar këtë shkatërrim: 1. Të refuzojmë heshtjen dhe të mbështesim kauzat (Protesta dhe Aktivizmi). Gjëja e parë që u intereson vendimmarrësve është që qytetarët të jenë indiferentë. • Mbështetni organizatat në terren: Organizata si PPNEA, EcoAlbania, apo Klubi i Ambientalistëve janë në vijën e parë të frontit. Kur ato organizojnë protesta para Parlamentit apo ekspedita në Pishë-Poro, pjesëmarrja jonë masive u jep atyre zë dhe fuqi. • Nënshkrimi i peticioneve: Peticionet kombëtare dhe ndërkombëtare mund të duken si thjesht “firma online”, por ato përdoren nga organizatat si prova ligjore në BE dhe në gjykata për të treguar se populli e kundërshton projektin. 2. Bojkoti Ekonomik i “Turizmit të Betonit”. Fuqia më e madhe e qytetarit në një sistem kapitalist është kuleta e tij. • Mos i frekuentoni këto resorte: Nëse një resort ndërtohet mbi dunat e Pishë-Poros apo në dëm të Nartës, ne si qytetarë duhet ta bojkotojmë atë. Nëse këto struktura nuk nxjerrin fitim, sepse njerëzit refuzojnë të shkojnë, investitorët e tjerë do ta mendojnë dy herë përpara se të shkatërrojnë një zonë të mbrojtur. • Promovoni Agro-turizmin dhe Ekoturizmin e vërtetë:Shpenzoni paratë tuaja në biznese të vogla lokale, bujtina dhe agro-turizma që respektojnë natyrën dhe ndihmojnë komunitetin e zonës, jo te korporatat, që shkatërrojnë bregdetin. 3. Përdorimi i Rrjeteve Sociale si “Armë” Ndërgjegjësimi. Shumë investitorë të huaj dhe hotele me 5 yje e kanë shumë të shtrenjtë reputacionin e tyre. • Bëni presion digjital: Ndajeni informacionin, fotot e masakrës mjedisore dhe dokumentet. Kur një projekt bëhet viral për të keq, investitorët ndërkombëtarë shpesh tërhiqen nga frika e dëmtimit të imazhit të tyre në botë. • Tag-oni institucionet ndërkombëtare: Përfshini në postimet tuaja llogaritë e Bashkimit Evropian, delegacionit të BE-së në Shqipëri, dhe organizatave globale si ËËF apo Euronatur. Presioni i jashtëm është shpesh i vetmi që e detyron qeverinë të zmbrapset. 4.

Edukimi dhe Ndryshimi i Mentalitetit. Në Shqipëri ende ekziston mentaliteti i gabuar se “zhvillimi do të thotë beton dhe hotele”. Flisni me njerëzit rreth jush: Shpjegojuni miqve dhe familjarëve se pse një pyll me pisha apo një lagunë vlen më shumë se një hotel. Natyra e paprekur sjell para afatgjata përmes turizmit të qëndrueshëm; betoni sjell fitim të shpejtë për një person dhe varfërim mjedisor për të gjithë të tjerët. • Edukoni fëmijët: Dashuria për natyrën nis që në fëmijëri. Nëse brezi i ri rritet duke e parë mjedisin si pasuri dhe jo si tokë për ndërtim, e ardhmja do të jetë ndryshe.

- Angazhimi Ligjor dhe “Presioni i Kutisë së Votimit”. Mjedisi është një çështje politike, sepse ligjet i bëjnë politikanët. • Kërkoni llogari votimi: Mjedisi duhet të bëhet kusht për votën tonë. Asnjë politikan apo parti nuk duhet të mbështetet nëse në programin e saj nuk ka pika të qarta për mbrojtjen e natyrës dhe anulimin e ligjeve shkatërruese si ai i janar 2024. Mesazhi kryesor: Vlora, Narta, Pishë-Poro dhe Valbona nuk u përkasin politikanëve të radhës dhe as investitorëve strategjikë. Ato janë pasuri kombëtare. Nëse nuk reagojmë sot, nesër fëmijëve tanë do t’u tregojmë vetëm foto se si ka qenë dikur bregdeti shqiptar. Reagimi fillon nga secili prej nesh!





















