Flet Prof. Enriko Ceko :
Varfëria e shqiptarëve vjen nga inflacioni, zhvillimi i ngadalshëm, korrupsioni, tregu i kufizuar, konkurrenca e ulët dhe niveli i arsimit.
- – Edhe pse paga mesatare është ende e ulët krahasuar me shumicën e vendeve të BE, përsëri çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë rritur në vazhdimësi
- -Shqipëria ka një treg të vogël dhe mundësi të kufizuara për konkurrencë, çka ndikon në çmimet e artikujve për shkak të monopolizimit apo oligopolizimit të tregjeve
- – Aftësitë me njohuritë dhe kompetencat që përcjell shkolla shqiptare te nxënësit në të tëra nivelet e saj le shumë për të dëshiruar.
- – Cikli i varfërisë dhe pamundësisë për edukim të përshtatshëm çon në një cikël vicioz varfërie
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Euroneës Business shqyrton se si ndryshuan të ardhurat reale të familjeve për person pas COVID-19 dhe gjatë dekadës së fundit. Të ardhurat reale të familjeve në BE për frymë janë rritur me rreth 7% që nga periudha para pandemisë, por ndryshimet midis viteve 2019 dhe 2025 ndryshojnë shumë në vende të ndryshme. Vendet nordike në përgjithësi regjistruan rritje më të vogla, ndërsa shumë vende të Evropës Lindore dhe Qendrore panë një rritje më të fortë. Trendet gjatë dekadës së fundit ndryshojnë gjithashtu në të gjithë Evropën. Pra, si kanë ndryshuar të ardhurat reale të familjeve për frymë në të gjithë Evropën gjatë 10 viteve të fundit, nga viti 2014 deri në vitin 2024? Si krahasohet kjo me periudhën para pandemisë? Dhe cilat vende kanë të ardhurat më të larta të familjeve për person në standardet e fuqisë blerëse (PPS), sipas Eurostat? Ato u rritën me 17% midis viteve 2014 dhe 2024. Rritja u ngadalësua kryesisht në vitin 2020 për shkak të pandemisë COVID-19, si në shumë vende, me disa që madje regjistruan rënie. Pastaj rifilloi gradualisht, duke rezultuar në një rritje prej 7% nga nivelet para pandemisë midis viteve 2019 dhe 2025. Çfarë janë të ardhurat familjare? Të ardhurat e familjes për person llogariten duke pjesëtuar të ardhurat bruto të disponueshme të rregulluara të një familjeje me popullsinë totale. Pra, çfarë është saktësisht kjo? Tregon se sa para kanë familjet në dispozicion për të shpenzuar ose kursyer. Matet pasi zbriten taksat mbi të ardhurat dhe kontributet e pensioneve. Çështja kryesore është se përfshin edhe vlerën e shërbimeve të tilla si arsimi dhe kujdesi shëndetësor që familjet i marrin falas nga qeveritë dhe organizatat jofitimprurëse. ‘Reale’ do të thotë që vlera nominale është rregulluar për rritjet e çmimeve, duke përdorur deflatorin e shpenzimeve aktuale të konsumit përfundimtar të familjes. Familjet shqiptare kanë të ardhurat ndër më të ultat në Evropë. Në raportin e fundit të Eurostat, Shqipëria renditet e fundit duke mos u krahasuar as me vendet e rajonit. Familjet shqiptare dhe individët kanë më pak të ardhura sipas raportit të fundit të Eurostat. Të dhënat janë analizuar në bazë të përllogaritjes së të ardhurave totale të një familjeje, taksave dhe zbritjeve të tjera që janë në dispozicion për shpenzimet, pjesëtuar me numrin e anëtarëve të familjes.
-Sipas raportit të fundit të Eurostat, Shqipëria renditet e fundit duke mos u krahasuar as me vendet e rajonit. Duke studiuar Eurostat del natyrshëm gjendja e varfërisë në vendin tonë. Pse Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, por me çmimet më të larta në shumë artikuj?
Kjo dukuri është rezultat i disa faktorëve, që janë të lidhur me ekonominë e vendit dhe ndikojnë shumë në ecurinë ekonomike, rritjen ekonomike dhe zhvillimin ekonomik. Ndër këta faktorë mund të rendisim inflacionin, zhvillimin e ngadalshëm, tregun e kufizuar, konkurrencën e ulët dhe nivelin e arsimit. Në lidhje me rritjen e çmimeve dhe inflacionin Shqipëria në 35 vitet e fundit ka përjetuar një rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe kjo ka qenë shpesh edhe si pasojë e ndikimit të ecurisë së tregjeve ndërkombëtare dhe ndryshimit të burimeve të lëndëve të para dhe strategjike në botë, që reflektohen në ekonomitë e çdo vendi, por këtu duket fuqia ekonomike, sepse në kohë të vështira, ekonomitë e forta adaptohen dhe krijojnë më shumë mundësi për bizneset e tyre. Edhe pse paga mesatare është ende e ulët krahasuar me shumicën e vendeve të tjera evropiane, dhe më tej, përsëri çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë rritur në vazhdimësi, duke i bërë ato më të shtrenjta për qytetarët shqiptarë dhe për një pjesë edhe më të madhe të tyre të papërballueshme. Në lidhje me zhvillimin e ngadalshëm, është tepër e dukshme se Shqipëria ka një ekonomi, që ende është duke u zhvilluar, zhvillim që pengohet nga nivele të ulëta investimesh në sektorët kyç dhe strategjikë si teknologjia, infrastruktura, arsimi, etj, që janë faktorët, që nëse investohet në ta, atëherë ka shanse që të shtojmë produktivitetin dhe pastaj ky produktivitet në rritje të ndihmonte dhe kontribuonin në rritjen e të ardhurave për individin, familjen, shoqërinë dhe të ndikonte në ecurinë edhe më pozitive të biznesit dhe në rritjen ekonomike në aspektin e ekonomisë kombëtare.

-Të ndalemi tek konkurrenca?
Në lidhje me konkurrencën e ulët, pavarësisht se tregu është i vogël dhe i kufizuar, problem mbetet konkurrenca, pasi ka edhe shumë vende të tjera në botë që janë të vogla, por i kanë të ardhurat e popullsisë shumë herë më të mëdha se në Shqipëri. Në pothuajse të tërë gamën e produkteve dhe shërbimeve, përfshirë të tëra produktet dhe shërbimet që futen në mallrat e konsumit të përgjithshëm, Shqipëria ka një treg të vogël dhe mundësi të kufizuara për konkurrencë, çka ndikon në çmimet e artikujve dhe kjo vjen jo thjesht për arsyen e masës së tregut, por për shkak të monopolizimit apo oligopolizimit të tregjeve, gjë që ndikon në çmimet e larta, të cilat kanë vazhduar të qëndrojnë të larta dhe me prirje për rritje në vazhdimësi për një kohë shumë të gjatë, edhe pse kjo nuk është ndihmuar nga prodhimi, por nga konsumi, që është ky konsum që ka qenë karakteristika kryesore e ekonomisë shqiptare që nga viti 1990, duke lënë mënjanë prodhimin, realizimin e produkteve dhe shërbimeve që janë të nevojshme dhe të domosdoshme në treg, që në fakt pothuajse të tëra importohen. Në lidhje me arsimin mund të them se aftësitë me njohuritë dhe kompetencat që përcjell shkolla shqiptare te nxënësit në të tëra nivelet e saj le shumë për të dëshiruar dhe kjo, sepse në përgjithësi vlera e punonjësit të arsimit është përtokë dhe kjo si rezultat i politikave të gabuara ndaj dijes dhe njohurive dhe për shkak të ngritjes në piedestal të tipave VIP që i bëjnë paratë me mënyra nga më të ndryshmet, por jo bazuar në aftësi, njohuri dhe kompetenca. Si pasojë, modeli i njeriut të punës, që ecën përpara dhe konkurron në një treg së bashku me të tjerët, ka rënë duke i lënë vendin modelit të njeriut që pa asnjë aftësi, njohuri dhe kompetencë bën përpara duke shfrytëzuar njohjet personale e familjare, mitmarrjen dhe gjëra të tjera trupore.
Shihet pabarazi sociale dhe ekonomike. Pse?
Shqipëria, për shembull, mund të ketë një numër të vogël të profesionistëve të specializuar, që mund të krijojnë mundësi të reja punësimi dhe të tërheqin investime të huaja. Por mungojnë politikat e duhura qeveritare, korrupsioni i step investitorët e huaj. Ky fenomen bllokon rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe ruan statusin e një vendi me të ardhura të ulëta dhe çmime të larta. Cikli i varfërisë dhe pamundësisë për edukim të përshtatshëm çon në një cikël vicioz varfërie, dhe ky cikël më pas ndikon në cilësinë e arsimit për brezat e ardhshëm dhe në ekonominë e tyre individuale dhe familjare. Kjo më pas reflektohet në shoqëri. Fëmijët që rriten në kushte të varfra kanë më pak mundësi për të marrë një arsim të mirë, që do të thotë se ato do të kenë më pak mundësi për të gjetur punë të mirëpaguajtur dhe do të kontribuojnë më pak në rritjen e ekonomisë. Ky cikël vazhdon dhe thellohet përmes brezave, duke e bllokuar zhvillimin ekonomik. Kur arsimi është i dobët, mungon aftësia e fuqisë punëtore për të mbajtur një punë që kërkon aftësi të avancuara. Kjo do të thotë se vendi mund të mbetet i varur nga sektori i shërbimeve me vlerë të ulët ose nga punët manuale, të cilat shpesh paguhen më pak dhe kanë më pak mundësi për zhvillim.






















