Dosjet e para të SPAK, që do gjykohen nga Gjykata e Posaçme. Ja çështjet e ‘nxehta’ që presin

585
Sigal

Teksa tetë prokurorët e posaçëm u betuan në Presidencë, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi dje seancat e para.

Trupat gjykues bënë të ditur në seancë ndryshimin e emrit dhe shkrirjen e Gjykatës së Krimeve të Rënda, ndërsa proceset gjyqësore u shtynë në pritje të Prokurorisë së Posaçme.

Gjyqtarët e kësaj gjykate u ngritën në detyrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ndërsa më herët kanë dhënë pëlqimin që të jenë nën vëzhgim të plotë, ata dhe familjarët e tyre. Ndërkohë, pak ditë më parë, Gjykata për Krime të Rënda bëri të ditur se aktualisht janë 24 dosje në gjykim.

Nga Moisi Habilaj tek ish-policët Sokol Bode e Gjergji Kohila, apo edhe dosja e 618 kilogramëve kokainë me të pandehur Arbër Çekajn, do të gjykohen nga Gjykata e Posaçme dhe përfaqësohen në gjykim nga prokurorët e posaçëm, që do të marrin këto dosje me anë të shortit.

Duke iu referuar burimeve zyrtare, pjesë e GJKKO-së do të jenë edhe dy dosje korrupsioni që kanë kaluar aktualisht në gjykim, ajo ndaj Gentjan Dodës, i akuzuar për korruptimin e ish-gjyqtarit Shkëlqim Miri dhe dosja në ngarkim të prokurorit të Gjirokastrës, Spartak Çoçoli.

Kryesisht dosje që kanë të bëjnë me “Grup të strukturuar kriminal” janë ato që do të qëndrojnë dhe gjykohen nga GJKKO, pjesa tjetër, për 37 dosje pritet të shpallet moskomeptenca nga Gjykata e Posaçme dhe do të dërgohen në gjykatat e rretheve gjyqësore.

Ndërkohë, pjesë e Strukturës së Posaçme do të jenë edhe dosje që janë aktualisht në Apel, si ajo ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri, apo edhe ajo e ndaj Emiljano Shullazit. SPAK Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e njohur gjerësisht si SPAK, do të jetë e specializuar për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Prandaj, një nga kriteret e parashikuara në ligj për anëtarin e Prokurorisë së Posaçme është edhe eksperienca në hetimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ndërkohë, ngritja e SPAK-ut do të shkrijë Gjykatën për Krime të Rënda dhe një pjesë e kompetencave të kësaj të fundit do t’u kalojnë gjykatave në rrethe.

Gjyqtarët e Krimeve të Rënda, në pjesën më të madhe të tyre, kanë dhënë pëlqimin për të qenë pjesë e GJKKO-së, kjo e fundit do të ketë 18 gjyqtarë. Struktura e Posaçme do të ketë në varësinë e saj edhe Byronë Kombëtare të Hetimit, që është njësi speciale, e ngjashme me FBI-në amerikane.

Ngritja e BKH-së do të bëhet pasi të jetë konstituuar SPAK me zgjedhjen e drejtuesit të kësaj njësie hetimore.