Dosja e “kokës” së korrupsionit të tatimeve Androkli Kokthi, ka 713 denoncime nga bizneset, 182 nga vartësit

390
Prangosja dy ditë më parë e Drejtorit të Tatimeve të Qarkut të Tiranës, “shefit” të aferave korruptive që “vlonin e vlojnë” në këtë sektor shërbimi publik, duhej bërë më parë si “person me rrezikshmëri të lartë” për zhdukje provash shkresore të krimeve të tij, por edhe për faktin që veprimtaria e tij si drejtues i tatimeve të qarkut Tiranë me epiqendër biznesi, ishte e tejmbushur me abuzime me detyrën dhe me afera të shfrenuara e madje të bëra “në mes të sheshit”! 
Drejtësia dhe qeveria kanë marrë 713 denoncime prej bizneseve 
Edhe pse Kokthit të tatimeve të Tiranës, i janë venë prangat vetëm për 1 akuzë me vlerë abuzimi 40 milionë lekë “lirim mallrash”, ose sa shpenzimet e një udhëtimi në Filadelfia ku ka “bizneset bamirëse” dhe familjen e tij, kujtojmë faktin që në tavolinën zyrës së Sektorit të Antikrimit Ekonomik-Financiar të Policisë së Tiranës, në tavolinën e Ministrit të Financave, të Ministrit të Brendshëm, të Prokurorit të Përgjithshëm, në postën “Antikorrupsion” e madje edhe në “postën” zyrtare e atë personale të kryeministrit Edi Rama, gjenden të depozituara 713 denoncime të bëra prej bizneseve, ndaj akteve korruptive që ideonte, inskenonte, urdhëronte e realizonte “koka” e drejtorit të tatimeve të Tiranës Androkli Kokthi, në bashkëpunim me “çetën” e tij të besuar të kryeinspektorëve dhe disa inspektorëve të cilët janë pjesë e dosjes hetimore. Kokthi u arrestua, për një prej denoncimeve të bëra prej vartësve të tij, të cilët i detyronte me kërcënime “për largim nga puna”, që të firmosnin e të zbatonin vendime dhe urdhra të lëshuar prej tij me shkrim e me gojë, të cilët binin ndesh me ligjin për veprimtarinë tatimore. I mësuar me shpërfillje të ligjit, sipas akuzës fillestare ndaj Kokthit të tatimeve të Tiranës, gjoja në emër të zbatimit të ligjit ai inskenonte e realizonte sekuestro mallrash të bizneseve dhe i lironte përsëri ato në mënyrë të paligjshme me urdhër të tij personal, kundrejt aferave të pista korruptive, duke u bërë pjesë e përfitimit. Burime nga brenda sektorit të anti-krimit ekonomik dhe organit të akuzës që kanë në dorë hetimin e Kokthit të tatimeve të Tiranës, bëjnë me dije se dosja “Kokthi” e hetuar për të 713 denoncimet që i janë adresuar për të qeverisë, policisë dhe drejtësisë, ka të finalizuar me “letra të provuara” afro 98 denoncime për abuzime të rënda me letrat e shtetit dhe me aferat korruptive që bënte me bizneset dhe kundër bizneseve, duke përdorur dhunën e pushtetit që kishte si krye-tatimor i Tiranës. Kujtojmë, që Kokthi është emëruar në këtë post nëpërmjet “konkursit” të fituar si “besnik” u kupolës së partisë e të qeverisë “Rilindja”, duke dhënë prova si “mjeshtër” i aferave qysh në vitet kur ishte drejtor i përgjithshëm i gjithë drejtorëve të bashkisë së Tiranës deri në shtator 2011! 
Akuza do hedh në tavolinë 47 prova kundër Kokthit 
Burime të gazetës “Telegraf”, informuan dje, se në dosjen “Kokthi” nuk gjendet vetëm akuza prej 40 milionë lekë e “lirimit të mallrave” të sekuestruara për të cilën ai u prangos, por janë “kopsitur” tashmë edhe 47 akuza të tjera me prova konkrete për afera korruptive, shpërdorim detyre e presion ndaj vartësve, për të diktuar shkeljen e ligjit dhe për t’i përfshirë ata direkt në akte korruptive, apo për të lejuar abuzime fiskale ndaj bizneseve shkelës të ligjit, deri me prova për kontrabandë mallrash edhe me letra fiktive. Sipas informacionit tonë, 35 prej këtyre akuzave, janë denoncime të faktuara tashmë, të bëra prej bizneseve që janë gjendur përballë veprimit antiligjor e dëmtues materialisht prej urdhrave, veprimit, apo ndikimit të tij në procedurat dhe aksionet tatimore. Flitet, se hetimi ndaj veprimtarisë së Kokthit të tatimeve është shtrirë edhe mbi financat dhe pasuritë private të tij. ndërkohë që, sipas burimeve, ky hetim ka kaluar edhe kufijtë shqiptarë, duke vepruar në Greqi, Itali, Francë e deri në Filadelfia, ku mbiemri “Kokthi” dhe emri “Androkli” shfaqet në një biznes bamirësie kulture, që tashmë është bërë objekt i hetimit prej drejtësisë shqiptare. Në rastin konkret, prangosja e tij e vonuar mendohet se është bërë vetëm vetëm një akuzë “thërrime”, për një abuzim ligjor veprimesh tatimore me vlerë mallrash 4 milionë lekë të reja, i cili ishte sekuestruar e dërguar në depot e rezervave të shtetit në muajin mars 2015, por që ishte “liruar” prej andej me urdhër antiligjor të drejtorit Kokthi. Në vijim, gazeta “Telegraf”, do të zbardh të plotë dosjen “Kokthi”, duke publikuar të dhëna faktike nga veprimtaria e tij abuzive në krye të tatimeve dhe si ish-drejtor i drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, përpara 5 vitesh!