“Do të bëheni të pasur”- Si nisi hetimi për nëntë administratorë “call center”-ash! Dyshohet se mashtronin qytetarët e BE-së për investime në bursë

167
Sigal

Pas arrestimeve të shumta gjatë muajve të shkuar të pronarëve të kompanive “call center” për mashtrime kompjuterike, gjatë ditës së djeshme u finalizua një tjetër operacion në këtë fushë.

Policia e Tiranës tha se në bashkëpunim me Prokurorinë është finalizuar operacioni policor i koduar “Nine”, ku janë proceduar penalisht administratorët e nëntë kompanive “call center”, për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Nine’, në kuadër të të cilit u proceduan penalisht shtetasit: A. R., 52 vjeç, A. D., 27 vjeç, S. D., 26 vjeç, F. K., 28 vjeç, B. K., 29 vjeç, K. O., 26 vjeç, I. S., 34 vjeç, O. M., 54 vjeç, dhe K. T., 26 vjeç për veprat penale ‘Mashtrimi’, ‘Fshehja e të ardhurave’ dhe ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’.

Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar punën e tyre si administratorë dhe menaxherë në disa ‘call center’-a të ndryshëm në qytetin e Tiranës, dyshohet se mashtronin shtetasit e huaj, kryesisht nga vendet e BE-së, që të investonin në bursë”, sqaron Policia.

Në komunikatë thuhet se vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.

Thuajse të gjithë të arrestuarit për mashtrime të tilla kompjuterike, janë liruar nga gjykatat, ndërsa pre e këtyre mashtrimeve bien kryesisht të moshuar nga vendet e Europës Perëndimore.

Në nëntor të vitit të shkuar, Policia e Shkodrës arrestoi 8 persona, përfshirë edhe pronarin polak të kompanisë, i cili bashkë me bashkëjetuesen e tij nga Shkodra, ngriti skemën e mashtrimit.

Pasi u vendos në qytetin verior, polaku punësoi disa të rinj, duke filluar aktivitetin e tij në vitin 2020.

Gjatë kësaj periudhe, puna vijoi normalisht ku kryesisht gjermanë dhe spanjollë telefonoheshin nga punonjësit e këtij “call center”-i, të cilët i prezantoheshin si përfaqësues të brokerave të ndryshëm me vendndodhje në BE dhe iu thuhej se, nëse investonin sipas këshillave të tyre, do të bëheshin të pasur.