Diaspora shqiptare / Mbi 1.6 milion persona deri më 2020, shumica drejt Gjermanisë

491
Sigal

Numri i shqiptarëve të larguar për të jetuar jashtë vendit gjatë 1990-2020 arriti në 1.684.135 persona, ku 884.719 janë meshkuj dhe 799.416 janë femra.

Treguesit e fundit tregojnë për një prirje të fortë drejt emigrimit në Gjermani. INSTAT raporton se në vitin 2015, numri i emigrantëve shqiptarë në Gjermani filloi të rritej me një normë vjetore prej rreth 35%, duke e kthyer këtë vend si destinacionin kryesor të tyre. Kjo ka bërë që pesha që zënë emigrantët shqiptarë në Gjermani, në numrin gjithsej të emigrantëve, të katërfishohet nga 1,3% në 2015 në 4,2% më 2020.

INSTAT raporton se, në Shqipëri, ashtu si dhe në vende të tjera, migrimi përfshin veçanërisht të rinjtë, të cilët migrojnë për arsye punësimi, mundësi arsimimi dhe arsye familjare.

Përllogaritjet e diasporës tregojnë se ajo përfshin një popullsi relativisht të re. Grupmosha (0-14 vjeç) është rreth 19%; pjesën kryesore e zë grupmosha (15-64 vjeç), me rreth 76% dhe ajo mbi 65 vjeç, afërsisht 5%.

Italia dhe Greqia kanë përqindjen më të madhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit (rreth 75%). Ato ndiqen nga SHBA, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Belgjika, etj.

Censi i vitit 2011 përfundimisht tregoi se emigrimi ishte faktori më i rëndësishëm në humbjen neto të popullsisë prej 269 mijë personave në periudhën 2001-2011, duke përbërë 8,8% të popullsisë së vitit 2001. Sipas vlerësimeve indirekte të INSTAT-it, gjatë kësaj periudhe rreth 482 mijë shqiptarë u larguan nga vendi, një numër që u kompensua pjesërisht nga imigracioni dhe rritja natyrore. Vazhdimi i ritmeve të larta të emigracionit lidhet edhe me ndryshimin e karakteristikave të emigracionit shqiptar.

Gjatë viteve 1990, migrimi u dominua nga burrat e rinj të cilët kërkonin punë jashtë vendit në një kohë kur Shqipëria ishte në trazirë. Në dekadën e parë të këtij mijëvjeçari, migrimi duket të jetë i larmishëm. Pas Censit të vitit 2011, migracioni vazhdon të luajë rol shumë të rëndësishëm në dinamikën e popullsisë. Shqipëria vazhdon dhe do të vazhdojë të përjetojë flukse dalëse të popullsisë, ashtu sikurse projeksionet e popullsisë sugjerojnë.

Në këtë mënyrë, popullsia e Shqipërisë po shkon drejt procesit të plakjes si pasojë e uljes së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë dhe për më tepër emigracionit i cili vazhdon të mbetet veprues dhe që përfshin një popullsi relativisht të re.

Në vitin 2019, në popullsinë mesatare gjithsej të Shqipërisë, të rinjtë 0-14 vjeç zënë 17,0%, popullsia në moshë pune 15-64 vjeç zë 68,5% dhe popullsia mbi 65 vjeç përbën 14,4% të popullsisë gjithsej.

Tendenca drejt procesit të plakjes së popullsisë në të ardhmen vihet re nga rritja e lehtë e përpjesës që zë popullsia 65 vjeç e lart, shoqëruar kjo me uljen e numrit të popullsisë në moshë të re (0-14 vjeç).

Siç shihet qartë emigracioni përfshin një popullsi relativisht të re dhe në moshë pune dhe kjo vihet re për të dy gjinitë.

Ndryshe nga vite më parë, ku emigracioni dominohej nga meshkuj të rinj, të cilët emigronin së shumti për arsye punësimi, dekadën e fundit, emigracioni shqiptar ka marrë një tjetër trajtë – vihet re tendenca e emigracionit familjar – bashkimet familjare. Janë edhe gratë ato që tashmë së bashku me fëmijët ndjekin bashkëshortin në vendin e destinacionit.