Flet për Zërin e Amerikës i riu që u shkel nga Policia: Ishim aty për Teatrin, për kulturën!

418
Sigal

Në Tiranë, Blendi Shahu është njëri nga të rinjtë e shumtë, që policia arrestoi të dielën gjatë protestave spontane të qytetarëve pas shembjes së Teatrit Kombëtar.

Ai është një artist i ri, student i pikturës në nivelin master, dhe bashkë me shoqërinë e kursit po përpiqen të organizojnë një ekspozitë me krijimtarinë e tyre të parë.

Por shembja e Teatrit Kombëtar të dielën i tërhoqi studentët e arteve afër vendit të ngjarjes, ku shpejt e gjetën veten me fytyrë në asfalt dhe me prangat e policisë në duar.

23-vjeçari Blendi Shahu sapo festoi ditëlindjen me familjen në kushtet e karantinës pak ditë më parë.

Ai ka studiuar në Liceun Artistik për pikturë dhe pas mbarimit të nivelit Bachelor të studimeve në Universitetin e Arteve, tani është në vitin e parë master në degën e pikturës.

Blendi ka disa vite që krijon dhe përpiqet bashkë me shokët e kursit të organizojnë ekspozita të përbashkëta, si çdo artist në fillim të karrierës. Por të dielën ai u bë njëri nga të rinjtë që u arrestuan gjatë protestës.

“Dalja jonë atje te tubimi ishte pas lajmeve që pamë në mëngjes, se natën asnjë nuk e mori vesh se çfarë kishte ndodhur. Dolëm thjesht si qytetarë. Pamë atje shumë shokë të tjerë, që natyrisht do t’i mbështesnim. Ishte kauzë fiks për ne si studentë artesh, dhe jo vetëm për ne. Qëndrimi ynë aty ishte krejt paqësor. Madje ishim në momentet e fundit të protestës simbolike, dhe për pak minuta do të iknim vetë, por policia erdhi dhe na largoi me forcë. Ne nuk e kundërshtuam me forcë policinë. Ishim të ulur paqësisht në rrugë për të shprehur simbolikisht një mendim tonin. Ka dhjetëra filmime që tregojnë se ne ishim aty krejt paqësorë” – tha ai.

Blendi refuzoi t’i tregonte para kamerës shenjat e prangave që ia pamë nëpër kuçet e duarve, sepse tha që shokët e tij i kishin më keq plagët dhe gjurmët e ndërhyrjes së policisë.

Ai gjatë gjithë bisedës foli më shumë për shokët, që e pësuan më keq dhe janë ende në polici, si Burim Tafalica, se sa për veten. Blendi thotë se shembja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar ishte një gabim.

“Unë vet personalisht nuk kam patur shumë mundësi të shkoj te Teatri dhe ta ndjek protestën bashkë me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit. Me aq sa kam pasur mundësi i kam mbështetur ata moralisht, edhe në bisedat me miq e shokë, sigurisht. Ajo ishte një ndërtesë e vjetër e trashëgimisë kulturore. Çdo ndërtesë e hershme e trashëgimisë kulturore është e padrejtë të prishet. Shpresojmë të mos kemi më ngjarje të tilla” – thotë Blendi.

Studenti i arteve thotë se përveç shembjes së Teatrit Kombëtar i bëri shumë përshtypje ndërhyrja e policisë në orën 4 të mëngjesit ndaj Aleancës për Mbrojtjes së Teatrit, të gjithë artistë dhe njerëz paqësorë sipas tij.

“Unë besoj se policia ka abuzuar me pozitën e vet në ato momente. Është një abuzim i policisë ndaj gjithë atyre protestuesve. Nuk besoj se atje ka pasur protestues jopaqësorë. Miqtë e mi që ishin aty asnjë nuk është jopaqësor. Ne jemi artistë, student të arteve” – thotë Blendi.

Ai shtoi se në atë tubim të pasdites afër parkut Rinia pjesa më e madhe ishin rreth 20 vjeçarë, dhe ndërhyrja e policisë nuk përputhej me sjelljet paqësore të studentëve.

Policët vetë, tha ai, ishin 3-4 vjet më të mëdhenj se ne, por me gojë thonin gjëra të tjera e me duar bënin gjëra të tjera, ndërkohë që shtynin dhe prangosnin studentët.

“Shpresoj se të gjithë ne që po akuzohemi dhe do të dalim para gjykatës duhet të na ndihmojë dikush. Ne ishim aty për Teatrin dhe më shumë se Teatrin, ishim për kulturën. Nuk mund të lihemi pa mbështetje as unë që hetohem në gjendje të lirë as të tjerët që janë ende nëpër qeli. Dikush duhet të na ndihmojë” – tha Blendi Shahu.

Studenti i arteve thotë se artistët e kërkojnë famën përmes veprave të tyre dhe nuk ishte zgjedhja jonë, tha ai që pamjet e arrestimit tonë të bëheshin virale në internet.

Pas arrestimeve në orët e para të mëngjesit të dielën, policia ndaloi edhe grupe të rinjsh nën akuzat e tubimit të paligjshëm, kundërshtim me dhunë të policisë dhe bllokim rrugësh edhe në mesditë.