Dhuna ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, reagon sindikata e UBT: Krimi buron nga antikultura, antivlera, antishteti

42
Sigal

Prof. Dr. Lush SUSAJ
Kryetari i Sindikatës së Universitetit Bujqësorë të Tiranës

Universiteti Bujqësor i Tiranës ka reaguar për sulmin ndaj avokatit dhe pedagogut Sokol Mëngjesi. UBT ka dënuar dhunën barbare ndaj tij. Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, solidarizohet me kolegët e Universitetit Politeknik. Solidarizohemi duke e përbuzur dhe përcjellur me neveri, kundërshti dhe revoltë të thellë dhunën ordinere, politike, shtetërore (e çfarëdo lloj dhune tjetër) mbi profesorët, apo mbi mesuesit dhe çdo punonjës të universiteve dhe shkollave të Shqipërisë. Ja reagimi i plotë i sindikatës së punonjësve të Universitetit Bujqësor

(Ligjshmëria dhe qytetaria do të triumfojë mbi monstrat e sistemit monstër)

Sikurse është bërë e ditur nga mediat, por edhe nga reagimi i profesorëve të Universitetit Politeknikë të Tiranës dhe gjithë opinioni qytetarë i vëndit, ditën e mërkurë me datën 29 maj 2024, është sulmuar e dhunuar barbarisht kolegu jonë i nderuar Sokol Mëngjesi, avokat dhe pedagog në Fakultetin e Drejtësisë.

Profesor Sokol Mëngjesi u sulmua dhunshëm në zonën e ish-bllokut, sapo kishte përcjellë e lënë fëmijën në kopësht. Profesori ka marrë goditje me sende të forta në kokë, dhe ka përfunduar në spital, ku për shkak të plagëve të rënda, është futur e po qëndron në intubim, në luftë me vdekjen.

Në lidhje me këtë rast të dhunës së pashëmbullt mbi një profesor të nderuar të juridikut, dhe të situatës së frikës dhe terrorit të krijuar për shkak të fjalorit dhe debatit politikë e administrativ intimidues, shantazhues, dhunues, përçarës dhe konfliktualë, Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, solidarizohet me kolegët e Universitetit Politeknik. Solidarizohemi duke e përbuzur dhe përcjellur me neveri, kundërshti dhe revoltë të thellë dhunën ordinere, politike, shtetërore (e çfarëdo lloj dhune tjetër) mbi profesorët, apo mbi mesuesit dhe çdo punonjës të universiteve dhe shkollave të Shqipërisë..

Ne qëndrojmë në mbrojtje të profesor Sokol Mengjesit dhe familjes së tijë. Ne lutemi për jetën dhe shëndetin e tijë, dhe do të kërkojmë dënimin shëmbullorë të dhunuesve të Sokolit, e të çdo personi, që guxon të shantazhojë e të dhunojë mësuesit, profesorët dhe çdo zyrtarë të Republikës së Shqipërisë. Ne jemi të sigurtë që shoqëria, ligjshmëria dhe qytetaria do të fitojnë mbi monstrat e sistemit monstër.

Filozofia dhe sjellja shtetërore e politike e Europës dhe SHBA, është ndërtuar mbi rendin moral e kushtetues. Në jemi të sigurtë që rendet dhe shtetet morale e kushtetuese, nuk ka vend për vetëgjygjësi, as për dhunë e as për krijimin dhe inkurajimin e individëve të pa përgjegjshëm, që guxojnë të dhunojnë profesorin për vdekje në mes të ditës, në mes të njerëzve, e përpara fëmijve.

Sipas Aristotelit, tragjedia denoncon teprimet njerëzore. Ndërsa Platoni na mëson që gabohet ai që beson që një fitore me mjete të padenja, mund të prodhojë rezultate të mira. Nxitja dhe mbrojtja verbale e politike e elementëve të korrupsionit dhe dhunës, mund të bëhët vetëm nga elementë injorantë e foshnjorë në politikë. Të tillë elementë, lindin dhe fuqizohen shumë në shoqëritë dhe vëndet me qeverisje nga lartë poshtë, të cilat prodhojnë dhunë, mjedis frike dhe njerëz të papërgjegjshëm, që tentojnë të godasin dhe konfiskojnë shoqërinë dhe shtetin.

Profesor Sokol Mëngjesi, sipas deklaratës së policisë së shtetit, është sulmuar e plagosur për vdekje për shkak të detyrës. Kjo tregon që profesorët, mësuesit, administrata, e gjithë politika dhe shoqëria jonë, ndodhen përballë një rreziku të madh e të shtuar në vite. Ky rrezik është krimi dhe korrupsioni, që tashmë kanë dalë sheshit, e që po e ushqejnë e mbajnë fortë njëri tjetrin. Krimi buron nga antikultura, antivlera, antishteti, por që në këtë rast u shfaq përmes njerëzve që nuk e kanë fare në konsideratë profesorin, mesuesin, zyrtarin, shtetin dhe as ligjin.

Përpasojë ndihemi më të pasigurtë se dje, ndihemi të dhunuar, të zemëruar e të fyer deri në atë masë, sa nuk na vjen ndërmend asgjë tjetër përveçëse të thërrasim me gjithë fuqinë e shpirtit: ku mendoni se ju shpie mushka e konfliktualitetit dhe vetëgjygjësisë?.

Në këtë situatë, është momenti që e gjithë trupa politike dhe shtetërore e Shqipërisë të bëjë një analizë të thellë që ta kuptojë sa më parë që tashmë e ka tepruar, apo sikurse thotë populli e “kanë fëlliqur fare”. Sepse sjellja shtetërore ndaj krimit dhe korrupsionit, sëbashku edhe me fjalorin aktual të luftës dhe propagandës politike, është mbingarkuar me shumë mllef, përçarje, epitete, përjashtime, arrogancë, korrupsion, nepotizëm, e mbi të gjitha me injorancë. Ky model komunikimi, e në dukje edhe triumfi politik, e ka degraduar dhe ndotur mjedisin shoqëror e politikë të vëndit, e ku pothuajse e ka asgjësuar sigurinë dhe cilësinë e jetës në Shqipëri.

Sindikata e Punonjësve të Universitetit Bujqësorë të Tiranës, qëndron me forcën në krah të kolegut që po lufton me vdekjen. Qëndrojmë gjithmonë në mbështetje të profesorëve dhe profesionistëve të Shqipërisë, duke bërë thirrje për qëndresë, reagim dhe unitet shoqërorë e shtetërorë ndaj krimit, dhunës dhe korrupsionit.

Sindikata falenderon dhe ju shpreh mirënjohjen më të thellë mjekëve dhe stafit ndihmës të spitalit, të cilët po luftojnë për të shpëtuar jetën e profesorit dhe avokatit të nderuar. Sindikata falenderon, beson dhe inkurajon policinë e shtetit dhe organet e drejtësisë, për një hetim profesionistë e të thellë deri tek rrënjët e së keqes, që kjo të mos përsëritet më kurrë.