Dëshmia e policit të burgut implikon Artur Zoton

668
Nga Maksim TUFA
E ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet, duke zgjeruar rrethin e personave që do të pyeten dhe hetohen, duket se ditë pas dite, dalin fakte të reja, ndoshta edhe spontanisht, lidhur me përdorimin e aparaturës së përgjimit e quajtur “IMSI Catcher”. Një polic i Paraburgimit të Elbasan, objekt i ri që gjendet në ish-Kombinatin Metalurgjik, i deklaroi “Telegraf” se “kam bindjen e thellë se kjo aparaturë përgjimi ka ardhur para disa muajsh edhe në oborrin e institucionit tonë, pasi për automjetin që u parkua në oborr, na u dha urdhër të mos e trazonim dhe të mos i afrohemi fare. Makina ka qëndruar aty nja një javë dhe pastaj kanë ardhur dy persona që e morën. Fillimisht na u tha se makina është e një kolegut tonë, pa dhënë emra, por pastaj kur dolën faktet e përgjuesit, atëherë u kujtuam se pse nuk duhej prekur automjeti që sepse kishte diçka të mistershme kur e shikoje”. Dëshmia e policit vjen natyrshëm, vetëm pasi ky punonjës i shtetit ka mësuar se organet e hetimit kanë nisur ta zgjerojnë rrethin e hetimit. 

Sipas tij “në kohën kur ka ardhur makina misterioze e “kolegut”, ne kemi patur prurje të shpeshta të VIP-ave nga Tirana dhe Fushë-Kruja, të emrave që kur vinin tek ne mbanin jo celularë, por edhe trajtoheshin sikur të ishin drejtues burgu, duke të kujtuar gjithmonë humorin e Portokallisë me Kapo Kapllanin, kjo ishte dhe kjo është akoma tek ne situata në Paraburgimin e Elbasanit, që i ndërtuar në oborrin e ish-Metalurgjikut, të ngjet me një punishte intrigash , se institucion riedukimi”. Por duke u kthyer tek aparatura e përgjimit, polici që gjithmonë shkon në punë me bukën me vete, duke mbyllur biçikletën e tij të vjetër në kangjellat e një kafeneje në sheshin para turizmit “Skampa”, prej tij mëson dhe dëgjon gjëra të pabesueshme mbi ato që ndodhin në Paraburgimin e Elbasanit, që aktualisht ka mbi 102 persona mbi kapacitetin e tij normal. Sipas tij “gjatë ditëve që makina misterioze e cila sipas meje duhej të kishte brenda aparaturën e përgjimit, ka qëndruar në oborrin tonë që llamburit nga shtyllat me drita neoni, ne u porositëm të mos mbanim celularin me vete, dhe u urdhëruam të mos flasim “pa doganë” me njerëzit lart e poshtë”. Polici u shpreh se “nuk e di, por ato ditë edhe shefat i pamë të tensionuar, madje rrinin në zyra vetëm pak orë dhe iknin”. 


Duke i marrë të mirëqena deri diku deponimet e një polici, që i vesh kambalet e shërbimit në mëngjes dhe i heq pas shërbimit 24 orësh, ndjehesh i trishtuar dhe i shokuar për ato çka dëgjon mbi çka ndodh në institucionet e shtetit, qoftë edhe në institucionet e vuajtjes së dënimit. Edhe ata që janë brenda tyre, kanë të drejtën e limituar, por kurrsesi nuk mund të legjitimosh futjen e aparaturave të përgjimit, dhe të legalizosh futjen e celularëve. Diçka më tepër se kontradiktore dhe antiligjore për një institucion shteti. Arsyeja e vetme e cila ka shtyrë personat përgjegjës të afrojnë në burgje aparaturat e përgjimit, ndoshta mbetet fakti se drejtuesit e tyre kanë kohë që kanë legalizuar futjen në qeli të celularëve, për të mos thënë edhe të lëndëve narkotike. Dhe këto janë fakte, që nuk i kundërshton njeri. Ky mbetet një skandal, ku ligji shkelet hapur nga drejtues, që zbatojnë verbërisht urdhra për të cilat, vjen një dhe japin llogari para ligjit. Dëshmitë e policëve tregojnë situatën dramatike të paraburgimeve dhe burgjeve në Shqipëri, trajtimin luksoz të VIP-ave dhe atë shtazarak të fakirëve, komoditetin e qelive të “të fortëve”, duke nisur nga celulari, ku shpesh mbajnë deri në 3 numra, dhe deri tek “bari”, si dhe mjerimin e qelive të ndonjë vjedhësi ordiner. Kjo situatë që po gërryen këto institucione të shtetit, që duhej të ishin model i zbatimit të ligjit, duhet të marrë fund, ndryshe skandalet që ndodhin brenda tyre gjithmonë do të dalin spontanisht nga goja e policëve që kalben në shërbim, dhe u rrinë me “ejvallah” VIP-ave të qelive, nga frika e humbjes së vendit të punës. 
Sigal