Deputetët ikin në Gjermani për kombëtaren, “paralizohet” Kuvendi, java tjetër pushim

50
Sigal

Pak ditë përpara ndeshjes së parë të kombëtares shqiptare përballë Italisë në Euro2024, më shumë se tifozët shqiptarë, ata që do e shijojnë më shumë duket se janë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

Një pjesë e mirë e tyre do të udhëtojnë që të enjten drejt Gjermanisë dhe për këtë arsye Kuvendi ka menduar t’u bëjë atyre një dhuratë: seanca e parashikuar pikërisht për të enjten është shtyrë për të mërkurën (nesër), ndërkohë që ata që do të qëndrojnë më gjatë për të parë edhe përballjen e dytë me Kroacinë, kanë mësuar se edhe javën e ardhshme nuk do të ketë seancë plenare.

Disa deputetë thanë për mediat se një pjesë e mirë e tyre do të udhëtojnë më makina për në Gjermani, për të pasur më shumë mundësi të lëvizin nga data 15 pas ndeshjes në Dortmund, deri në 19 qershor kur do të zhvillohet përballja me Kroacinë në Hamburg.

E për këtë arsye, duke qenë se rruga me makinë zgjat rreh 24 orë, me ndonjë ndalesë gjatë natës, Kuvendi e ka afruar seancën për të mërkurën, me qëllim që të shtunën, të gjithë deputetët që kanë blerë bileta të jenë në stadium.

Në këtë mënyrë këto 10 ditë turizëm në Gjermani mund të konsiderohen si një pushim i vogël për deputetët përpara se të rikthehen në fund të qershorit, të punojnë deri në fund të korrikut e më pas të marrin pushimet e verës deri në fillim të shtatorit.