Depolitizimi i administrimit zgjedhor

506
Sigal

Intervistë me studiuesin e
së drejtës elektorale, Niazi Jaho: Rekomandimi prioritar i OSBE/ODIHR


Ëngjëll MUSAI

 

Në një nga rekomandimet e
OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 21 qershorit 2015 është kërkuar që komisionet
zgjedhore të të gjitha niveleve të mos jenë partiake, por të depolitizuara. Ka
kaluar një kohë e gjatë. A nuk duket se jemi disi të vonuar në shqyrtimin e
këtij rekomandimi dhe të rekomandimeve të tjera?

Po të kihet parasysh që Raporti i OSBE/ODIHR për ato zgjedhje mban datën 8 shtator
2015, si dhe miratimin nga Kuvendi i Vendimit Nr. 110, datë 21 dhjetor 2015
“Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore”, mund
të thuhet se jemi disi të vonuar. Për mendimin tim, kjo është pasojë e
angazhimit total për përgatitjen e reformës shumë të rëndësishme dhe mjaft të
vështirë të sistemit të drejtësisë. Për zbatimin e saj në praktikë ka edhe plot
ligje të tjera që duhen miratuar. Por, pavarësisht nga kjo, besoj se Komisioni
i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore do të fillojë të punojë me
intensitet.

 

Sipas jush, cili mund të
ishte rekomandimi kryesor që duhet të shqyrtonte me përparësi ky Komision?

Kryesori është vetë Rekomandimi, të cilin OSBE/ODIHR e ka konsideruar
prioritar dhe ku thuhet, se: “Vëmendje duhet t’i jepet rritjes së pavarësisë,
paanësisë dhe kapacitetit profesional të komisioneve zgjedhore. Ligji mund të
ndryshohet në mënyrë që të lejojë caktimin e komisioneve jo partiake në të
gjitha nivelet dhe në këtë mënyrë të depolitizohet administrimi zgjedhor. KQZ
duhet të implementojë në mënyrë të paanshme shkronjat dhe shpirtin e ligjit”
(Shih Raportin e OSBE/ODIHR, Rekomandimin 1, faqe 27). Në këtë Raport ka disa
rekomandime të tjera që përfshihen në grupin prioritar, ndërsa në grupin e
rekomandimeve të tjera përfshihen 16 të tilla. Mirëpo, përpara rreshtimit të
këtyre rekomandimeve, në raport theksohet që: “Këto rekomandime duhen lexuar së
bashku me rekomandimet e mëparshme të OSBE/ODIHR, që mbeten për t’u trajtuar”.
Prandaj, jo rastësisht Raporti i referohet paragrafit 23 të Dokumentit të
Stambollit të vitit 1999 ku shtetet pjesëmarrëse të OSBE u angazhuan “ të
ndiqnin menjëherë vlerësimet dhe rekomandimet e ODIHR për zgjedhjet” (faqe 27 e
Raportit).

Me termin “prioritare”, a
duhet nënkuptuar që depolitizimi i administrimit zgjedhor është një nga parimet
e zgjedhjeve?

Jo! Nëse i referohemi Kodit të Sjelljes së Mirë në çështjet zgjedhore, të
miratuar nga Komisioni i Venecias në vitin 2002, rezulton se parimet bazë të
trashëgimisë elektorale Evropiane janë: votimi universal, i barabartë, i lirë,
i fshehtë dhe i drejtpërdrejtë, si edhe zhvillimi i zgjedhjeve me intervale të
rregullta kohore (shih faqen 5 të këtij Kodi). Çështja e administrimit të
zgjedhjeve është përfshirë në kapitullin e garancive procedurale (shih faqe
10-11). Këto parime janë sanksionuar edhe në Kushtetutën tonë.

Në cilat kritere apo kushte
mbështetet organizimi i administrimit zgjedhor (i komisioneve zgjedhore)?

Për këtë nuk ka ndonjë listë shteruese. Vende të ndryshme mund të kenë
forma të ndryshme të administrimit zgjedhor. Kjo mendoj se varet nga shumë
faktorë. Si të tillë mund të përmendim: sistemin zgjedhor, traditën, madhësinë
e vendit, nivelin e emancipimit demokratik në tërësi dhe të partive politike
(subjekteve zgjedhore) në veçanti, zbatimin ose jo të teknologjive moderne në
votim dhe numërim, nivelin arsimor dhe kulturor të zgjedhësve etj. Te ne, për
shembull, deri në vitin 2008 KQZ ka qenë organ kushtetues. Më vonë, edhe KQZ u shndërruar
në organ që krijohej, me propozim të partive parlamentare. Synimi ishte për të
krijuar balanca politike. Në Kodin e miratuar nga Komisioni i Venecias,
konsiderohet psh. normale krijimi i KQZ me përbërje: 1 anëtar nga sistemi
gjyqësor; nga përfaqësues të partive që janë në Parlament, ose që kanë arritur
një rezultat të caktuar të votave dhe që janë të kualifikuar për çështje
zgjedhore; 1 përfaqësues të Ministrisë së Brendshme; 1 përfaqësues të pakicave
kombëtare. Por në këtë Kod thuhet, se: “partitë politike të përfaqësohen në
mënyrë të barabartë në komisionet zgjedhore, ose duhet të kenë mundësi të
vëzhgojnë punën e organit të paanshëm. Barazia mund të aplikohet në mënyrë
strikte, ose mbi bazë proporcionale”. Nga kjo del që Komisioni i Venecias
përmend edhe variantin, sipas të cilit, partitë politike të kenë të drejtën e
vëzhgimit të punës së “organit të paanshëm” (shih në faqen 11 të këtij Kodi).

Duke qenë kështu, përse
OSBE/ODIHR e ka gjykuar të nevojshme që të bëjë rekomandime për depolitizimin e
administrimit të zgjedhjeve?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, mund të shprehja një mendim
individual. Duke studiuar me vëmendje të gjitha raportet e OSBE/ODIHR prej vitit
2001 dhe deri në vitin 2015 (kur është hartuar e publikuar Raporti i fundit për
zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri) kam konstatuar, se vazhdimisht është
evidentuar fakti që në veprimtarinë e komisioneve zgjedhore të të gjitha
niveleve, janë vërtetuar elemente (raste) të qëndrimeve të politizuara, të
vendimeve të ndikuara politikisht, të ndërhyrjeve partiake, gjë që ka cenuar
pavarësinë dhe paanësinë e tyre. Në disa raporte është rekomanduar t’i jepet
fund kësaj praktike të dëmshme. Përmirësimet kanë qenë relativisht të pakta.
Për ta zbutur këtë situatë, OSBE/ODIHR në Raportin e vet për zgjedhjet e 8
majit 2011 rekomandonte: “Formula për përbërjen e Komisionit Qendror të
Zgjedhjeve mund të rishqyrtohet me qëllim që të rritet besimi në pavarësinë e
tij dhe zbatimin e paanshëm të Kodit Zgjedhor nga ana e tij” (shih faqen 33 të
atij Raporti). Kjo do të thotë që OSBE/ODIHR vërente, se besimi ndaj KQZ,
pavarësisë dhe zbatimit të paanshëm të Kodit Zgjedhor, ishte i lëkundur, i
diskutueshëm. Në vitin 2012 iu bënë Kodit Zgjedhor disa ndryshime dhe shtesa; u
mor në shqyrtim edhe Rekomandimi i mësipërm. Kuvendi vlerësoi se ky Rekomandim
realizohej vetëm duke ndryshuar procedurën për sa i përket zgjedhjes së
kryetarit të KQZ (shih nenin 15 të Kodit Zgjedhor, të titulluar “Zgjedhja e
kryetarit të KQZ). Siç duket, ky ndryshim nuk dha rezultat. Në Raportin e
OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 23 qershorit 2013 dhe pikërisht në Rekomandimin Nr.
12 thuhet: “Duhet të sigurohet pavarësia institucionale e KQZ. Për këtë qëllim
palët e interesuara duhet të veprojnë në përputhje me rolin që kanë në
aktivitetet e KQZ, dhe punonjësit zgjedhorë nuk duhet t’i bazojnë veprimet dhe
vendimet e tyre nën ndikimin e faktorëve politikë” (shih faqen 23 të atij
Raporti). Ja pra, kështu mund të shpjegohet dhe kuptohet përse OSBE/ODIHR
vlerësonte në Raportin e vitit 2015 se, depolitizimi i administrimit zgjedhor
është i nevojshëm (Rekomandimi prioritar, faqe 27).

Nëse administrimi i
depolitizuar i komisioneve zgjedhore në të gjitha nivelet do të realizohej, mos
vallë do të dobësohej roli i partive politike (subjekteve zgjedhore), kur dihet
që ato janë faktori kryesor gjatë shpalosjes së programeve elektorale të tyre
për përgatitjen e opinionit publik?

Mendoj që jo, sepse ato (partitë politike – subjekte zgjedhore) krahas të
drejtës që kanë tani për të propozuar anëtarët e komisioneve zgjedhore, do të mund
të ushtronin të drejtat e tyre të njohura me ligj: në çdo komision do të kenë
përfaqësuesit e tyre, roli i të cilëve në këtë drejtim do të jetë aktiv, për
rastet e përcaktuara në ligj. Ato do të kenë të drejtën e ankimimit si vëzhgues
të subjekteve zgjedhore.

Po në zgjedhjet e ardhshme,
nëse administrata zgjedhore do të ndryshojë, domethënë, do të jetë e
depolitizuar, si do të veprohet me mandatet që kanë anëtarët aktualë të KQZ?

Mendoj se këto do të ndërpriten, ngaqë do të kishim të bënim me një
organizim krejt të ndryshëm në formë dhe në përmbajtje, çka mund ta cilësojmë
si një përmbysje radikale të praktikës së deritanishme, që do të realizohej
nëpërmjet një procedure të veçantë.

Kryetarja aktuale e KQZ
është zgjedhur në tetor të vitit 2012. Çfarë thuhet në ligj, si veprohet në
këtë rast po qe se i mbaron mandati?

Sipas Kodit Zgjedhor, mandati i kryetarit të KQZ është 4 vjet, me të drejtë
rizgjedhjeje. Kështu që Kryetares aktuale i mbaron mandati në tetor të këtij
viti. Nëse në zgjedhjet e ardhshme nuk do të aplikohej Rekomandimi i OSBE/ODIHR-it
për depolitizimin e administrimit zgjedhor, atëherë duhet zbatuar Kodi në fuqi,
domethënë, duhet plotësuar vakanca që krijohet.

A mendoni që ky Rekomandim
mund të mos realizohet në zgjedhjet e ardhshme?

Përfundimisht këtë e vendos Kuvendi, megjithëse kam bindjen që rekomandimi
i OSBE/ODIHR do të shqyrtohet me seriozitetin dhe vëmendjen e duhur. Kam qenë
dhe jam që në asnjë rast shpejtësia, nxitimi nuk duhet të ndikojë negativisht
në cilësinë e zgjidhjes së problemit. Në të kundërtën, kjo mund të reflektohet
gjatë zbatimit praktik.

Janë shprehur mendime që kjo
ka të bëjë me disa ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe jo me ndonjë reformë. Të
jetë e vërtetë kjo?

Nëse kanë qarkulluar të thëna të tilla (kuptohet, shprehja e mendimit është
e lirë edhe kur ai mund të jetë i gabuar), për mospajtimin me to do t’i
referohesha Vendimit të Kuvendit Nr. 110/2015 “Për ngritjen e Komisionit të
Posaçëm Parlamentar për reformën zgjedhore”. Për sa u përket ndryshimeve apo
shtesave në Kodin Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, nuk do t’i
quajë të lehta. Sepse, rekomandimet, (shumica e tyre), sidomos ato prioritare
janë thelbësore, prandaj kërkojnë diskutime e debate të thelluara dhe
gjithëpërfshirëse.

Janë shprehur gjithashtu
edhe mendime, se disa forca politike janë dakord me zbatimin e sistemit
elektronik. A është kështu?

Mediat nuk na kanë dhënë ndonjë informacion konkret. Sidoqoftë, të mos
harrojmë se është thënë dhe pranuar që ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk janë
monopol i partive politike. Në këtë drejtim, ndoshta do të mjaftonte që të
përmendim pikën IV të Vendimit Nr. 110/2015 të Kuvendit ku thuhet, se:
“Komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seancë diskutimi me partitë politike
jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e
fundit kanë marrë më shumë se 1 për qind të votave në shkallë vendi, si edhe me
përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin
zgjedhor”. Konsultime dhe dëgjesa publike “do të zhvillohen edhe me kërkesë të
palëve dhe me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Komisionit Qendror të
Zgjedhjeve, si edhe institucioneve shtetërore që luajnë një rol në procesin
zgjedhor”.

Ndërsa për sa i takon zbatimit të sistemit elektronik në zgjedhje, të
interesuarit mund të njihen me përmbajtjen e përgjigjeve të mija gjatë një
interviste tjetër që i kam dhënë gazetës “Panorama”,
botuar në numrin e saj të datës 6 shtator 2016.

Meqë jemi në fazën kur është
e nevojshme të bëhen ndryshime dhe shtesa në Kodin Zgjedhor, si duhet vepruar
me ligjin për dekriminalizimin?

Ligji Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen,
emërohen ose ushtrojnë funksione publike” sigurisht që duhet të gjejë pasqyrim
edhe në Kodin Zgjedhor. Megjithatë, mendoj se nuk është nevoja të pasqyrohet në
mënyrë integrale, aq më tepër që edhe ky ligj është miratuar me votim të
cilësuar (tri të pestat e të gjithë deputetëve). Por, në ato dispozita ku bëhet fjalë për paraqitje
kandidaturash dhe verifikim dokumentacioni etj. duhet të ketë referime te ai.
Pra, procedura e përdorur duhet të jetë në përputhje me ligjin 138/2015.

Mos ndoshta sqarimet që
jepni ju krijojnë përshtypjen që zgjidhja e disa çështjeve nuk është e lehtë, përkundrazi,
e vështirë?

Nuk kam qëllim të krijoj këtë përshtypje, por edhe sikur të jetë kështu, s’besoj
që kjo të jetë e dëmshme. Angazhimi, vëmendja, objektiviteti, vlerësimi i
faktorit kohë, prioriteti i argumentit ndaj dëshirës dhe euforisë, nxitimi në
dëm të cilësisë, vonesat që mund të shoqërohen me pasoja të dëmshme, sigurisht
që duhen pasur parasysh edhe për çështjen kryesore që u trajtua këtu. Mendimet
e ndryshme janë të nevojshme. Mungesa e tyre mund të jetë shqetësuese. Nëse jam shprehur se depolitizimi i
administrimit zgjedhor nuk është i lehtë, kjo nuk do të thotë se është i
pamundur. Por meqë është diçka e re, një kthesë e një rëndësie të veçantë,
besoj se për të gjithë është e qartë se të zbatosh rekomandimin për
depolitizimin e të gjitha niveleve të komisioneve zgjedhore, kërkon studim të
thelluar. Ky studim mendoj se duhet të jetë objektiv dhe gjithëpërfshirës. Do të
duhej të parashikohej si do të bëhej ky organizim, cilat do të ishin kriteret, nëse
do të ngarkoheshin të njëjtat komisione me të njëjtat përbërje dhe kompetenca,
si dhe kush do të paraqiste kandidaturat, cili do të ishte varianti më i mirë
dhe më efikas që do të garantonte atë që kërkohet në rekomandimin e
OSBE/ODIHR-it. Konkretisht: që komisionet zgjedhore të vepronin në mënyrë të
pavarur dhe të paanshme. E kam të vështirë të konkludoj në mënyrë të njëanshme
dhe individuale, nëse rekomandimi i mësipërm i OSBE/ODIHR-it do të mund të
realizohej në zgjedhjet e ardhshme ose jo.