“Delta” rrethon Shqipërinë/ Konfirmohen 7 raste me variantin indian në Maqedoninë e Veriut

185
Sigal

Varianti “Delta” i covid nuk është konfirmuar ende në Shqipëri, por ka prekur shtet përreth. Pas Kosovës, 7 raste të pacientëve që janë infektuar me virusin “indian” deri tani janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut.

Autoritetet thonë se të gjithë të infektuarit me llojin “indian” të virusit janë pacientë që nuk janë të vaksinuar.

“Pas anketave të bëra me pacientët është konstatuar se asnjëri prej tyre nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinës. Nga numri i përgjithshëm i pacientëve pozitiv me llojin “indian”, vetëm njëri është në situatë të rëndë shëndetësore. Bëhet fjalë për një pacient, i cili 8-9 ditë pas paraqitjes së simptomave, ka refuzuar të vizitojë mjekun dhe ka qenë në izolim shtëpiak. Për momentin po bëhen anketa epidemiologjike për anëtarët tjerë të familjeve të dy pacientëve të shtruar në spital”.

Ministria ka reaguar ndaj disa qëndrimeve të publikuara në media se vaksina kineze “Sinovac’ nuk mbron nga varianti “indian” i virusit .

“Ky pohim është absolutisht i pasaktë, nuk ka asnjë studim ose dëshmi shkencore që e konfirmojnë këtë. Bëjmë thirrje që mediat të mos plasojnë teza të paverifikuara nga individë që nuk janë të bazuara në informacione zyrtare nga institucione ndërkombëtare të shëndetësisë”.

Sipas tyre, analizat e deritashme dhe informacionet zyrtare të OBSH-së që ka miratuar këtë vaksinë, tregojnë se e njëjta është me 51% efikase gjatë mbrojtjes së rasteve asimptomatike dhe mbron 100% nga forma e rëndë e sëmundjes.