Covid /Qeveria rimburson 4 mijë  receta nga 51 mijë të infektuar

225
Sigal

Mbi 51 mijë të infektuar, shumica e pacientëve bëjnë kurim në shtëpi, duke shpenzuar miliona lekë

Gati tre muaj pas nisjes së rimbursimit të barnave, vetëm një numër i vogël pacientësh me Covid kanë marrë medikamentet e rimbursuara.Konkretisht në dy muaj e gjysmë, kanë përfituar vetëm 4 mijë pacientë, nga mbi 51 mijë qytetarë të konfirmuar me koronavirus. Arsyet e rimbursimit të recetave për më pak se 10 % e të infektuarve, lidhet me procedurat burokratike dhe kushtet e vendosura për rimbursim. Gati 80 ditë pas nisjes së rimbursimit të recetave të ilaçeve për pacientët e sëmurë me Covid-19, kanë përfituar më pak se 4 mijë qytetarë në vendin tonë. Konkretisht, nga data 20 nëntor, kur nisi rimbursimi, deri në datën 7 shkurt të këtij viti, numërohen rreth 3857 receta të rimbursuara për pacientët me Covid. Ky numër duket relativisht i ulët në krahasim me numrin e personave të infektuar nga Covid-19 në vendin tonë përgjatë harkut kohor 20 nëntor 2020 deri në 7 shkurt 2021. Gjatë kësaj periudhe në vendin tonë janë konfirmuar pozitiv me tampon mnbi 51 mijë qytetarë të infektuar me Covid, ose thënë ndryshe 12 herë më shumë se numri i atyre që kanë përfituar rimbursim të medikamenteve. Këto shifra ngrenë pikëpyetje nëse skema e rimbursimit të ilaçeve për pacientët me Covid ka funksionuar! Apo ilaçet që përfshihen në recetat e rimbursuara janë të mjaftueshme për të trajtuar një sëmundje si Covid, e cila deri më tani ka konfirmuar faktin se kërkon kosto të mëdha financiare për t’u trajtuar. Por veç këtyre pikëpyetjeve, një tjetër arsye që shpjegon pse kanë përfituar kaq pak pacientë receta të rimbursuara, lidhet me burokracitë e përfitimit të rimbursimit. Në 20 nëntor të vitit të kaluar Ministria e Shëndetësisë nisi zyrtarisht rimbursimin e recetave për pacientët e prekur nga Covid. Ministria e Shëndetësisë vuri në dispozicion një fond prej 1.2 miliardë lekësh në total, për të rimbursuar dy paketa me medikamentete për trajtimin e Covid, paketën prej 6 mijë lekësh dhe paketën me 9 mijë lekë. Sipas ministres së shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nga rimbursimi do të përfitonin të gjithë pacientët e konfirmuar me Covid-19 nëpërmjet tamponit ose skanerit. Një pjesë e konsiderueshme e të infektuarve, tamponin e kryejnë në laboratorët privatë, ku kostoja e një tampon është më e madhe se sa vetë receta me ilaçet e rimbursuara. Gjithashtu, edhe skaneri, për të diagnostikuar sëmundjen në fazat e avancuara, në shumicën e rasteve kryhet në privat për shkak të mbingarkesës që ka në spitalet shtetërore. Kostoja e kryerjes së skanerit në klinika private është disa herë më e lartë se sa vetë receta e rimbursuar për Covid-19. Ndërkohë, pacienti, pasi të konfirmohet pozitiv nga tamponi apo skaneri, do t`i drejtohet mjekut të familjes për të marrë recetën me medikamentet e rimbursuara. Pra, burokracia dhe orvatjet për kryerjen tamponit dhe skanerit, duket se kushtojnë më shumë kohë e para për qytetarët, se sa vlera e ilaçeve të rimbursuara nga Ministria e Shëndetësisë. Ky është një nga argumentet që shpjegon faktin se pse deri më tani, kanë përfituar vetëm një numër i ulët qytetarësh nga rimbursimi i recetave me ilaçet për trajtimin e Covid-19.