Sipas shifrave zyrtare të INSTAT, në vitin 2022, forcat e punës në Shqipëri numërojnë rreth 1.45 milion persona, të cilët përfaqësojnë popullsinë aktive të përbërë nga të punësuarit dhe të papunët në vend. ‘Scan Intel’, nisur nga të dhënat, ka analizuar tregun e punës në Shqipëri për vitin e kaluar, sipas qarqeve, për të parë se si variojnë treguesit. Referuar “Vjetarit Rajonal Statistikor”, shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës është regjistruar në qarkun e Korçës me 69.6%, pasuar nga Elbasani me 69.3 % dhe Berati me 69.1%. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës hedh dritë mbi potencialin e ekonomisë së një vendi për të angazhuar popullsinë në veprimtari produktive.
Nga ana tjetër, shkalla më e ulët e pjesëmarrjes në forcat e punës është regjistruar në qarkun e Lezhës dhe të Dibrës me 53% dhe 56.5% përkatësisht, ndërkohë që mesatarja për vendin është 62.4%. Nisur nga grafiku shohim se përveç Lezhës, Dibrës dhe Tiranës, të gjithë qarqet e tjera regjistrojnë një shkallë të pjesëmarrjes në forcat e punës më të lartë se mesatarja kombëtare. Krahasuar me vitin 2021, ky tregues është rritur pothuaj në të gjitha qarqet me përjashtim të Gjirokastrës.
Referuar të dhënave të raportit, në vitin 2022, kishte rreth 160 mijë njerëz të papunë në Shqipëri, që është e barabartë me 10.9% të forcës së punës gjithsej. Shkalla më e ulët e papunësisë është regjistruar në qarkun e Gjirokastrës me 3.5% dhe Kukësit 4.9%, ndërsa ajo më e larta është regjistruar në Lezhë me 22.7%, Dibër me 17.8% dhe Vlorë me 15.3%. Krahasuar me vitin 2021, papunësia vihet re të jetë rritur në qarkun e Dibrës, Elbasanit, Kukësit, Lezhës dhe Tiranës./SCAN