CEZ lë dy muaj pa punë 250 punëtorët e Uzinës së Naftës

554
Sigal

KUÇOVË/ Kreu i sindikatës, Edi Turku: “Ne s’jemi debitorë, prandaj duam arsyet pse na mbajnë punën peng”

Rreth 250 punëtorët e Uzinës Mekanike të Naftës kanë dy muaj pa punë. Të mbërritur në këtë pikë ata kërkojnë ndihmë nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Sipas punëtorëve, shkak për bllokimin e punës është bërë CEZ, e cila ka ndërprerë energjinë elektrike në një kohë që kjo ndërmarrje i ka shlyer detyrimet ndaj kompanisë çeke. Punëtorët kanë mbetur në pikë të hallit, pa punë, pa të ardhura dhe të braktisur. Ata kërkojnë arsyet pse METE dhe “Albpetrol”-i hesht, kur e dinë shumë mirë se kjo uzinë nuk është debitore ndaj CEZ-it. Kreu i sindikatës së uzinës, Edi Turku u shpreh për “Telegraf” se, ndërmarrja ka dy muaj pa punë dhe shkak është ndërprerja e energjisë nga kompania CEZ. “Kjo masë ndëshkuese është marr në një kohë që ne si ndërmarrje i kemi shlyer detyrimet. Nuk e kuptojmë pse bëhet kjo lojë me Uzinën Mekanike të Naftës? Këtu ushqehen 250 familje. Kemi kërkuar ndihmën e ministrisë për të ndërhyrë pran kësaj kompanie, por deri në këto momente s’kemi marrë asnjë përgjigje. Kjo situatë është absurde. Ministria apo “Albpetrol”-i, duhet të na sqarojnë pse na mbajnë pengë? Nëse janë në mes qëllimit e tyre të na i bëjnë të ditur edhe neve në mënyrë që të dimë edhe arsyet pse është pezulluar puna jonë për rreth dy muaj”, ka theksuar Turku.

Kërkesa

“Nuk kemi të ardhura të tjera përveç punës që kryejmë në këtë uzinë”, thanë një grup punëtorësh.  Ndërsa kreu i sindikatës tha se, 250 familjet kanë vetëm një të punësuar në këtë uzinë. Dihet që qyteti i Kuçovës është një zonë “xhep” dhe si e tillë nuk ka mundësi punësimi tjetër. “Kjo që po ndodh me ne quhet krim, pasi ata që po e pësojnë janë fëmijët tanë, të cilët e ndjejnë mungesën e punë që kur shtrohet tavolina e bukës. Nëse pas kësaj ndërprerje të energjisë fshihet diçka që ne nuk e dimë, të na e thonë që edhe ne të informohemi me fatin që do të ketë kjo uzinë gjigande, e cila është një nga uzinat më të vjetra në shkallë vendi”, tha Turku. Burimet bëjnë të ditur se, të gjitha makineritë kanë mbetur në pikë të hallit, përfshirë dhe shumë pajisje, të cilat janë të preçizionit të lartë. Ato përdorën për prodhimin e pajisjeve që u shërbejnë ndërmarrjeve të nxjerrjes së naftës, atyre të minierave, si dhe për firmat e huajë si ajo kanadeze, e cila kryen punime në sektorin e naftës në Shqipëri. Specialistët e Uzinës Mekanike të Naftës shprehen se nuk duhet të shkatërrohet një uzinë me një kapacitet të madhe makinerish speciale dhe me një armatë të madhe specialistësh, të cilët kanë përballuar çdo situatë të vështirë si në kohën e komunizmit, por dhe në kohën e demokracisë. “Kjo uzinë ka një elitë inxhinierësh në shkallë vendi dhe nuk duhej të shkatërrohet për interesat e një grup njerëzish”, thanë punëtorët e shqetësuar.

Punëtorët: Deputetët të mos rrinë indiferentë!

Punëtorët kërkojnë që deputetët e Qarkut të Beratit, të mos rrinë indiferentë përballë një problemi kaq të madh. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse si dhe deputetëve, të vijnë dhe të takohen me këtë klasë punëtore, e cila ka mbetur në pikë të hallit dhe t’i japin një zgjidhje situatës, nga ku pa shkatërrohet një nga ‘mëmat’ e industrisë mekanike në vend e më gjerë”, tha Turku.