Shkonte në shkollë, përplaset për vdekje 6- vjeçari, në Pogradec vdes foshnja 2 muajsh

654
Sigal

DURRËS/ Pasiguria në rrugë, shton numrin e viktimave. Aksidenti hoqi nga bankat e shkollës një nxënës të klasës së parë

Ditën e mërkure një aksident i rëndë i ka marrë jetën një 6-vjeçari në periferi të qytetit të Durrësit. Një fëmijë 6-vjeçar ka humbur jetën pas një përplasjeje me një makinë në lagjen 15-të në Porto Romano, në afërsi të varrezave të reja të qytetit. Viktima ka qenë një nxënës i klasës së parë, i cili ka qenë duke kaluar rrugën kur është përplasur nga makina dhe ka humbur jetën. Fëmija ka dalë si çdo ditë duke marrë me vete librat e shkollës për të shkuar në mësim, pasi ishte në klasën e parë, por kjo do të ishte edhe dita e fundit e tij pasi ai nuk do të mundte më të shkonte mes shokëve të klasës. Madje edhe librat e shkollës i mbeten të shkelura si vetë trupi i vogëlushit nga gomat e makinës. Ky ka qenë edhe aksidenti i radhës në Durrës, ku numri i viktimave të aksidenteve është thuajse i përditshëm me plagosje, por edhe me vdekje të shpeshta. Aksidenti hoqi nga bankat e shkollës një filiz të njomë. Mbi  rrugën automobilistike, ku fëmija kaloi për herë të fundit në jetën e tij të shkurtër në udhëtim drejt shkollës, siç duken edhe nga foto që po paraqesim mbeten çanta e tij, librat dhe fletoret, të cilët edhe pas aksidentit askush nuk kishte zemër që t’i prekte me dorë, sepse u dukej sikur po shumëfishonin dhimbjen për të…

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së mërkurës në Porto Romano, ku një 6-vjeçar me iniciale E.SH banor i zonës, ka qenë duke kaluar rrugën dhe është përplasur nga mjet tip “Mitsubish” me targa Tr 9272 L, drejtuar nga shtetasi Redi Theodhori. Drejtuesi i mjetit pas përplasjes ka frenuar dhe ka marrë viktimën 6-vjeçare dhe është nisur me të me urgjencë drejt Spitali Rajonal të Durrësit, por fëmija e brishtë nuk ka mundur që t’i rezistojë përplasjes pasi nga goditja me mjetit organet e tija jetësore ishin dëmtuar rëndë. Brenda një kohe të shkurtër me gjithë mobilizimin e personelit mjekësor për ta rikthyer në jetë, zemra e vogëlushit ka pushuar së rrahuri përgjithmonë. Pas dorëzimit të fëmijës në spital, drejtuesi i mjetit Redi Thodhori është vetëdorëzuar në polici, ndërkohë që blutë e qytetit bregdetar kanë shkuar në vend ngjarje dhe kanë nisur hetimet mbi rrethanat e aksidentit. Policia ka bërë me dije se ka ndaluar drejtuesin e mjetit, për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Paraparakisht dyshohet që shkak i aksidentit është bërë shpejtësia e madhe, me të cilën udhëtonte automjeti, por dhe pakujdesia e vogëlushit gjatë kohës që po kalonte rrugën. Kjo ngjarje shënon edhe aksidentin e dytë brenda javës, në rrugët e Durrësit, me pasojë humbjen e jetës së dy kalimtarëve, së fundmi dhe 6-vjeçarit nga Porto Romano.

Pogradec, përplasen dy mjete, humb jetën fëmija

Një tjetër aksident i rëndë, me pasojë vdekjen e një foshnje, ka ndodhur dje në aksin Korçë-Pogradec, në vendin e quajtur ‘Ura e Leshnicës’. Burime nga policia lokale bëjnë me dije se një familje është aksidentuar, si pasojë përplasjes së dy mjeteve me targa PG 4738 B dhe PG 3456. Për pasojë ka humbur jetën foshnja vetëm dy muajsh me iniciale S.H., ndërsa kanë mbetur të plagosur edhe dy prindërit e tij, gjyshja dhe halla e vogëlushit. Sipas policisë të plagosur kanë mbetur shtetasit Mariglen dhe Nertila Hamzai, prindërit e foshnjës, Nusrete Daci dhe Vojsava Goroveshi si edhe drejtuesi i mjetit tjetër, Endri Alldashi. Të plagosurit aktualisht janë në spitalin e Pogradecit, jashtë rrezikut për jetën. Policia ndërkaq po heton për shkaqet e aksidentit.