Buxheti u shpartallua, qeveria rriti me 18 mln euro shpenzimet operative

323
Sigal

Të ardhurat e buxhetit të shtetit në muajin prill 2020 ranë me 12 miliardë lekë ose 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënie kjo e shkaktuar nga paraliza ekonomike e imponuar nga koronavirusi i ri dhe masat kundër përhapjes së virusit.

Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ranë me 33% në prill 2020 në krahasim me prillin e vitit të kaluar. Kjo sugjeron se edhe konsumi i shqiptarëve ishte 33% më i ulët. Tatimi mbi fitimin që paguhet nga kompanitë ra me 50% ndërsa të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale ranë me 20%.

Të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore, të cilat reflektojnë nivelin e punësimit, ranë me 7.9%.

Në total për periudhën katërmujore janar-prill 2020, rënia e të ardhurave buxhetore në krahasim me një vit më parë është në masën 16 miliardë lekë ose 132 milionë euro.

Shpenzimet e qeverisë gjatë periudhës katërmujore ishin 149 miliardë lekë, me një rritje prej 3% në krahasim me një vit më parë. Ndryshe nga sa pritej, shpenzimet buxhetore nuk kanë shfaqur ndonjë tendencë kursimi edhe në kushtet kur pjesa më e madhe e administratës publike ka qëndruar në shtëpi, gjë që sugjeron ndonjë kursim në zërin e shpenzimeve operative e të mirëmbajtjes. Përkundrazi, shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes u rritën me rreth 18 milionë euro në krahasim me një vit më parë.

Shqipëria gjendet në një situatë të vështirë ekonomike të shkaktuar nga pandemia, e cila ka ka bllokuar një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit ekonomik.

Ekonomia u bllokua nga mesi i marsit deri në mes të majit, kur qeveria autorizoi rihapjen e saj, megjithëse shumë kufizime vijojnë të mbeten.

Megjithatë, rënia e të ardhurave buxhetore pritet të jetë gjithsesi më e ulët në Maj dhe në muajt në vazhdim, ndonëse një pjesë e aktivitetit ekonomik, të tilla si fluturimet ajrore dhe turizmi pritet të mos kthehen në normalitet edhe për shumë kohë.