‘Do të përgjysmohet numri i urbanëve në Tiranë’, Unioni i Transportit Publik: Qeveria të plotësojë kërkesat tona ekonomike

80
Sigal

Përfaqësuesit e Unionit të Transportit Publik njoftojnë se duke nisur nga dita e sotme do të përgjysmohet numri i urbanëve, që qarkullojnë në Tiranë.

Sipas deklaratës së tyre, ky veprim vjen si shkak i mos-marrjes së masave nga ana e qeverisë për të kompensuar humbjet që sektori i transportit publik kishte pësuar gjatë pandemisë. Në deklaratën e tyre shtojnë se sektori ka shkuar deri në kapitullimin ekomomik.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar,

Përfaqësuesit e Unionit të Transportit Publik, ju vejnë në dijeni se pas një viti e gjysëm nga rihapja e transportit publik, ndodhemi ende në pikën fillestare ku asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka marrë asnjë masë apo plotësim të kërkesave ekonomike të premtuara.

E të gjendur në këtë situatë të pafuqishme ekonomike për të përballuar ecurinë e transportit dhe sidomos pas rritjes së vazhdueshme e të pandërprerë të çmimit të naftës dhe të largimit të stafit, jemi të detyruar që të operojmë nga datë 18.10.2021 me gjysmën e kapacitetit të flotës së mjeteve urbane.

Jemi në këtë situatë pas shumë kërkesash dhe njoftimesh si në institucionet vendore dhe ato qendrore ku mos reagimi i tyre na bën që të shkojmë deri në një kapitullim ekonomik të këtij sektori.

Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, mbetemi në pritje të zgjidhjes së kërkesave tona nga ana e institucioneve përgjegjëse.