Bukuri e braktisur në bregdetin shqiptar

555
Të 13 fshatrat e bregdetit të poshtëm të rivierës shqiptare, përfshirë në ish komunën e Lukovës dhe tani pas hartës së re administrativo-territoriale, përfshihen në njësinë vendore të Bashkisë së Himarës, ku në njëfarë mënyre u hoq edhe muri ndarës në pikpamjen gjeografike: bregdet i sipërm dhe bregdet i poshtëm. Këto fshatra rënkojnë nën peshën e braktisjes, vetmisë dhe heshtjes në shpresën e pritjes. Dhe duket se kjo heshtje, pritje dhe shpresë janë shoqërues të hershëm të tyre. Ato kanë pllakosur çdo portë, çdo prag, çdo sokak, çdo fshat nën një perde të padukshme si mjegull ku përzihen fate njerzore dhe takim – ndarje të përlotshme vetëm në raste festash dhe fatkeqsish. Kujtime që kanë mbetur në memorien e së kaluarës. Kjo heshtje ka mbërthyer nënat dhe gjithë moshën e tretë ku rrëketë e lotëve margaritarë të syve të tyre, krijojnë lumenjtë e përmallimit që derdhen furishëm në detin e pritjes së gjatë, nga pritja e atyre që janë larg matanë deteve dhe oqeaneve, larg syrit të tyre të malluar, djegur e përvëluar. Por këto sokake, pragje dhe fshatra bartin edhe çastet e lumtura me britmat gazmore prindërore, ku në raste festash dhe pushimesh, këta prindër kanë dalë në oborre e lagje për të pritur djemtë, fëmijët, nipër e mbesa që vijnë prej kurbetit, por edhe trishtimi i dikujt se atij nuk i erdhi fëmija. Duket nga kjo panorama e dhimshme shpirtërore se kjo heshtje dhe pritje i mban në këmbë këta prindër, kjo shpresë e jo gurët mban ngrehur muret e shtëpive të braktisura, por edhe ato të sapo ndërtuara. 
Sigal

Panoramë e trishtueshme

Këto përjetime rinë si të përjetësuara në këto fshatra. Është panorama e trishtueshme kur sheh këtë braktisje dhe aq më keq këtë rrënim që të parët e ndërtuan me djersë e mund, sakrificë e dashuri. Dhe tani? Trashëgimtarët e tyre kanë fluturuar anë e kënd botës, degët e pemës janë shtrirë në ç’do kontinent. Këto fshatra sot i ngjajnë folezave të dallëndyshve shtegëtare të palodhshme, që vijnë përkohësisht në folezën e tyre e përsëri marin fluturimin të vazhdojnë të kërkojnë qetësinë dhe mirëqënien e tyre. Kanë ardhur të festojnë dhe të përtërijnë e të rikthejnë jetën e gëzueshme të dikurshme në shtëpitë dhe fshatrat e tyre të mbetura zbrazët. Por këto janë kujtime të largëta se shumë prej tyre e kanë ndërtuar folenë e tyre aty ku i ka zënë perëndimi i mbijetesës, aty ku kanë ndalur ëndrrat për një të arthme dhe jetesë më të mire, por duke mbajtur lidhur edhe hallkat e zinxhirit të trashëgimisë së të parve, kjo me banorët e rrallë që jetojnë në këto fshatra dhe kanë mbetur si rojtarë të mallit, pritjes dhe shpresës. 

Fshati si një anije gjigande

Jemi në Manastirin e Kremesovës në Piqeras dhe është Pashka e Gushtit. Fshati duket si një anije gjigande që çan ujrat e Jonit. Kanë ardhur shumë djem dhe vajza. Tek shohin këtë panoramë kupton se ka mbetur e pashlyer nga vetdija e tyre dashuria për këtë tokë, për këtë mrekulli.Por përsëri ëndrra lufton mes dëshirës tek shikon ishullin përballë, matanë kufirit, pasqyrimin e tij në ujrat e kaltra të Jonit ku lëshohet edhe hieja e Piqerasit, fiton dëshira për të shkuar dhe jetuar aty. Kodrat përreth fshtrave i ngjajnë një bukurie të braktisur. Dikur një mrekulli, sot kullota për bagëti. Një panoramë e trishtë që nuk të lejon ta shijosh mrekullinë e bukurisë së kësajë virgjëreshe të natyrës. Nuk ka një portokall, një limon, një frut – dikur hambar i shumëllojshmërisë së tyre dhe mund të themi se ka më shumë shtëpi se sa banorë. Tek bisedon me ta, kupton se nuk u mungon dëshira për të ardhur e të jetojnë, por buzagaz ku shkrihet ironia, mosbesimi, revolta, ata ta kthejnë: Ku të vij? Kam ekonomi, kam edhe para. Dua të ndërtoj shtëpi. E kam edhe token edhe paratë, por nuk më lënë. Kërkojmë rregullat dhe zbatimin e ligjit sepse jemi mësuar këto vite ti respektojmë dhe në fund të fundit ky është shteti që duhet të kemi:respekti ndaj tij. Por na thonë se ligji ky është: ju nuk duhet të ndërtoni në token tuaj dhe me paratë tuaja, ndryshe ju pret burgu. Nuk e kuptojmë dhe ndaj shpresëhumbur largohemi me një vrarëshpirtje dhe vetëm e vetëm se kemi prindërit,kemi lindur e na përkundin kujtimet, vetëm për këtë vijmë , se ndryshe nuk do ta kthenim kokën kurrë. Jo se nuk duam vendin tonë, jo! Kurrë mos e mendoni! Vendin nuk e duan si ne njësoj, ata që na pengojnë të jetojmë në vendlindjen tonë. Shohim të gjithë qeveritarë e deputet që i vërsulen Jonit për pushime, ndërsa ne duhet të kemi leje-kalimi për në vendlindje. O zot nuk e kuptojmë!

Amaneti i emigrantëve

Këto janë fjalët e emigrantëve të bregut që nga Kakomeja e deri tek Borshi, që nga Nivicë-Bubar e deri në Çorraj ku për pak kilometra rrugë pengohen investimet në këto fshatra malore ku natyra i ka dhuruar bujarisht akseset e një turizmi malor. Por jo, vetëm braktisje dhe kjo e detyruar nga situata dhe gjendja aktuale e infrastruktures dhe pengesat ligjore për të investuar. Bregdetari sot i ngjan një shpendi shtegëtar që shpesh kur kthehen, gjejnë edhe folenë të prishur apo të zaptuar deri në përvetsim.Zona më e bukur, me pamje të trishtë e të dhimshme, zona më e pasur me njerzit më të varfër. Këto janë fshatrat e bregut që presin e presin në një pritje të gjatë për çeljen e dyreve të investimeve nga vetë bregasit.