Breshëri shkatërron të mbjellat në Peqin, fermeri: Investimi i një viti u shkatërrua në pak minuta

116
Sigal

Moti i paqëndrueshëm dhe stuhitë e breshëritë kanë shkatërruar të mbjellat e stinës në disa fshatra të Peqinit.

Fermerët e fshatrave Shezë dhe Gjocaj tregojnë se 20 hektarë me pemë frutore janë dëmtuar plotësisht. Ata theksojnë se mundi dhe investimi i një viti u shkatërrua në pak minuta.

“Për mua kjo është zero, se kjo nuk shitet, çfarë do i shesësh, edhe po ta mori tregtari 200 lekë e merr. Për ne ky mall këtu ka ikur. Deri tani me një hektar tokë që kam unë ka vajtur 2 milionë lekë vetëm spërkatja”, thotë një fermer për mediat.

Sigurimi i tokave përmes kompanive private është i papërballueshëm nga vetë fermerët. Ata tregojnë se kanë kërkuar ndihmë te drejtoria rajonale e bujqësisë në bashki.

“Shteti të vërë dorën në zemër të na ndihmojë. Kërkese kemi bërë, kemi shkruar sipërfaqet sa kemi, tani nuk e di se çfarë do bëhet”, shprehet një fermerët.

Fermerët e kësaj zone jetojnë vetëm me këto produkte si e vetmja mundësi jetese. Ata thonë se një breshër i tillë kishte rënë edhe para 20-të vitesh, por këtë vit dëmi ishte më i madh pasi produkti ishte gati për treg.