Veliaj: “Paketa ushqimore për të gjitha familjet në nevojë; epidemia nuk na ndalon punën për rindërtimin e shtëpive”

560
Sigal

Ndihma ushqimore për familjet e prekura nga tërmeti në Ibë dhe Pëllumbas

Bashkia e Tiranës vijoi edhe sot me shpërndarjen e ndihmave ushqimore në Ibë e Sipërme dhe Pëllumbas, dy prej zonave më të largëta të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte në familjet e Fatos Kasës, Sami Duqit, Dalip Duqit dhe Hamdi Shatrit, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Veliaj i siguroi se ndihma nuk do të mungojë për asnjë familje, qoftë edhe në fshatin më të largët të Tiranës, ndërsa theksoi se ato do të shkojnë tek ata më në nevojë. “Pashë një nga ata që rrinë tërë ditën te oligarkët, pastaj i shajnë, shajnë edhe shtetin për ndihmat. Thashë gjithë kjo parti, gjithë këto vite në pushtet, po dil një herë nga zyra dhe çoi nje qese nje familjeje, pse i hap panik njerëzve që nuk ka ushqime. Duhet t’u themi njerëzve, ushqime ka pafund, pafund, pafund, por ama do të shkojnë për nevojtarët, sepse edhe nevojtarët janë pafund”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se në këtë situatë të gjithë duhet të bëhen bashkë në misionin për të ndihmuar familjet në nevojë dhe të moshuarit.

Ai dha lajmin e mirë se Bashkia e Tiranës do të falë të gjitha pagesat e qirasë për familjet që janë strehuar në banesat sociale. “Është shumë e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë se kjo epidemia nuk do të na ndalojë nga sfida e tërmetit. Në fakt, ajo që do të bëjmë sot në Tiranë me mbledhjen e Këshillit Bashkiak është se do të anulojmë të gjitha qiratë e apartamenteve që jep me qira Bashkia, si banesa sociale, per strehat e emergjencës për mujt mars dhe prill. Sigurisht, Bashkia është shtet dhe mund ta bëjë pa pyetur njeri, ndërkohë që edhe privati mund ta ndjekë si shembull. Në qoftë se e bëjnë të gjithë, do jetë një supershembull, sepse i thotë tetrit, dyqani s’ka punuar, lokali s’ka punuar, zyra s’ka punuar, për çfarë ta marr qiranë?!”, theksoi Veliaj.

Ndërkaq, kryebashkiaku garantoi familjet e prekura nga tërmeti se puna për ndërtimin e banesave do të fillojë shumë shpejt.

“U kam thënë të bëjnë dosjet e shtëpive që pavarësisht çfarë na gjeti me këtë epidemi, kjo e tërmetit mos të ndalojë. Kështu që, mbaroni dosjet, sillini në Bashki për firmë, dhe i sjellim në shtëpi të re. Kishim ecur mirë me këto shtëpitë, por na i preu hovin historia e epidemisë. Pasi të mbarojmë me këtë situatë do të vazhdojmë me shtëpitë. Për punë ditësh, javësh do të mbyllet kjo histori, edhe sëmundja, kështu që do të lirohet pak puna. Në momentin që lirohet puna, ne mund të vazhdojmë më shpejt me shtëpitë dhe të na kapi të paktën pranvera me punën e shtëpive”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi se përparësi në banesat e reja, por dhe në përforcimin e atyre ekzistuese do të kenë familjet që jetojnë në çadër.

Bashkia e Tiranës ka ngritur grupe pune në të gjithë territorin dhe bashkë me ndërlidhësit dhe kryepelqtë po evidentojnë dhe shpërndajnë ndihma për familjet në nevojë.