Biznesmeni Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, ka fituar në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë të drejtën për të vijuar një tender të Këshillit të Lartë Gjyqësor me vlerë 2.532 miliard lekë të vjetra. Tenderi, i shpallur në shtator 2025 me fond limit 3.378 miliard lekë, ka si objekt ndërtimin e sistemit informatik ‘Enterprise Service Bus’ (ESB), që synon integrimin dhe ndërveprimin në kohë reale të sistemeve të brendshme.
Në garë morën pjesë dy bashkime operatorësh: ‘Datalog’ dhe ‘Advanced Business Solution (ABS)’, që ofruan 2.563 miliard lekë, si dhe ‘Soft&Solution’ me ‘Horizon’, kompani të lidhura me Beqirin, që ofruan 2.532 miliard lekë dhe u shpallën fituese. Ankesa e palës humbëse u rrëzua fillimisht nga Komisioni i Prokurimeve Publike dhe më pas nga Apeli.
Paditësit kërkuan pezullimin e kontratës, duke pretenduar dëm të pariparueshëm dhe shkelje të ligjit, por gjykata vendosi se nuk plotësoheshin kushtet për sigurim padie, duke lejuar vijimin e procedurave për ndërtimin e sistemit ESB në KLGJ.



















