Biznesit i duhen 3.3 vite për të marrë zgjidhje nga gjykata

26
Sigal

 

  Çdo vit janë 3500 dosje të reja, por stoku ka shkuar në rreth 23 mijë

 Kanë kaluar 10 vite, problemi vijon të mbetet i njëjtë., është shtuar stoku, ku në vend të parë janë çështjet e lidhura me pronësinë, të ndjekura nga ankimime gjobash, çështje të marrdhënieve të punës, çështje të lidhura me pensionet etj.

 Në vitin 2013 në Shqipëri u krijua për herë të parë Gjykata Administrative. Synimi i kësaj gjykate ishte ndarja e çështjeve administrative, kryesisht të biznesit nga çështjet penale dhe civile me qëllim shpejtimin e trajtimit të çështjeve, por edhe uljes së barrës në gjykata.

Por kur kanë kaluar 10 vite, problemi vijon të mbetet i njëjtë.

Janë Gjykatat Administrative ato që po përballen tashmë me një mal dosjesh, të cilat presin të shqyrtohen, duke krijuar jo vetëm mbingarkesë për gjykatat dhe gjykatësit, por edhe duke u kthyer në një barrë për biznesin.

Mesatarisht çdo vit në Shqipëri regjistrohen 3000 deri në 3500 çështje të reja, çka ka bërë që tashmë në gjykatën administrative të krijohet një numër i madh çështjesh të prapambetura.

Të dhënat zyrtare dëshmojnë se janë 10 mijë dosje të patrajtuara që prej viti 2015. Në total, në Gjykatën Administrative të Apelit ndodhen rreth 23 mijë dosje të prapambetura. Për të mbyllur një çështje, gjykatës i duhet së paku 3.3 vite.

Por çfarë çështjesh kanë ngecur në Gjykatë?

Në vend të parë janë çështjet e lidhura me pronësinë, të ndjekura nga ankimime gjobash, çështje të marrdhënieve të punës, çështje të lidhura me pensionet etj.

Aktualisht në mbarë vendin janë 408 gjyqtarë të shpërndarë në Gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit, gjykatën administrative të apelit, gjykatën e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar etj.

Rreth 60 % gjyqtarëve janë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm.

Ndërkohë, në Gjykatën Administrative të Apelit janë vetëm 13 gjyqtarë.

Për të ulur numrin e dosjeve, Ministria e Drejtësisë ka propozuar një shtim të numrit të gjyqtarëve, kërkesë, e cila ndodhet për konsultim publik.

Në përfundim, analiza tregon se numri i përgjithshëm i gjyqtarëve për shkak të rritjes së numrit të gjyqtarëve në Gjykatën Administrative të Apelit me 6 gjyqtarë ( pra nga 13 në 19) do të duhej të rritej nga 408 pozicione në 414 pozicione.