Bashkim Koçi: Trakt-kujtesë për “derrat” tanë të politikës

23
Sigal

“Sidoqoftë, ndjehem mirë kur propagandoj ide të tilla, “të Krishtit dhe të Muhametit”, kur me këtë mendje është edhe shkrimtari i madh Viktor Hygo, i cili përpara se të jepte shpirt la këtë testament: “Dua që nga paratë e mia t’u jepni dhe të varfërve!… Dua të më përcillni në banesën e fundit me karrocën e të varfërve! Nuk e dua pëshpëritjen e kishave. Kërkoj veçse një lurtje nga të gjitha shpirtrat…Besoj tek Zoti!””

Edhe perandorët më të fuqishëm e më të mëdhenj e kishin kuptuar se pushtimi i zemrave është më i vështirë se pushtimi i kështjellave. Politikanët tanë nuk e kanë patur këtë privilegj. Të paktën deri tani. Por po të shikosh sjelljet e tyre, vrapin marramendës për t’u pasuruar, për të zaptuar prona, për të shkelur gjithçka të shenjtë në emër të tw qenit i pasur, sheik, prognoza flet për “mot të keq”.

Botën e kanë ndërtuar idealistët. Madje edhe “bota e re” është në dorë të idealistëve. Unë kam patur një mik shkrimtar, i cili, ngaqë e kish munduar dhe e mundonte rruga e mbrapshtë që ka marrë ky vend, Shqipëria, përpiqej t’i jepte këshilla politikës, politikanëve, nëpërmjet publikimit të veprave të njerëzve të mëdhenj idealistë. Ky ishte Jovan Jano. Ai na ka prezantuar e njohur me figura të tillë botërorë si Martin Luter King, Ernesto Çe Guevara, Mahat’ma Gandi, Antonio Gramshi dhe të gjallin Josse Mujica. Që të gjithë janë figura të jashtëzakonshme, që na bëjnë thirrje edhe nga “bota tjetër” për të qënë njerëzorë, që politika dhe politikanët të heqin dorë nga babëzia për pushtet e pasuri.

Eshtë, ndoshta, më me interes të sjellim si fakt një shkrim të Jovan Janos, të publikuar në një nga gazetat e përditshme, për Josse Mujicën. Pse po e sjellim si shembull, Sepse ky Josse Mujica është politikan, është në detyrën e Presidentit të Republikës të Uruguajit. Ashtu si i kemi dhe ne këta tanët këtu, të cilët nuk i ngjajnë fare, nuk kanë asnjë fije krahasimi me sjelljen dhe botën njerëzore të Mujicës. Sigurisht, nuk po kopjoj, nuk po hedh në këto radhë atë çka ka bërë e thënë Jovan Jano për presidentin Mujica, por që të mund të arrijmë që ky personazh, mentaliteti i tij si shtetar dhe si njeri, të jetë thirrje, trakt-kujtese për “derrat” tanë të politikës. Sepse, sipas meje, shembulli ngjit, shembulli të bën të skuqesh, sado të paturpshëm të jenë politikanët. Ca më tepër kur ai vjen nga një vend që ka ngjarshmëri me vendin tonë, me rrugën dhe peripecitë që ka kaluar Shqipëria.

Po kujt “i ngjau”, tek cila figurë politike është frymëzuar presidenti Mujica? Intelektuali idealist Jovan Jano në të gjitha librat e personazheve që përmendëm, por dhe të shkrimeve që rrahin e shtjellojë këtë ide, është përpjekur të na thotë “ja nga kush mund të të vijë fuqia për të qene politikan me zemër të madhe”. Josse Mujica kish bërë “kurbet” me Ernesto Çe Guevarën dhe, për hir të së vërtetës, u frymëzua nga idetë e tij.

Ç’dua të them? Intelektualët, gazetarët, e gjithë fuqia e medias dhe e shembullit të mire, duhet t’i shpallë luftë politikës dhe politikanëve, të gjithë “oligarkisë” dhe oligarkëve të cilët hapur, pa mëshirë, çmendurisht të marrosur pas parasë, po pasurohen në kurriz të shqiptarëve. Faktet janë të panumërt, madje individët që kanë akumuluar pasuri të mëdha, janë edhe të frikshëm. Janë të frikshëm sepse të tillë i bën pasuria që kanë grumbulluar, pushteti politik dhe ekonomik që zotërojnë. Këto krijesa të këtyre viteve “në demokraci” duhen të izolohen, tu shpallet “luftë pa kthim prapa”, ashtu si policia qëndrestare në luftën që bën ndaj trafikantëve të drogës. Kam mendimin se mendja mund të jetë në një farë mënyre “polici” ndaj oligarkëve, sundimtarëve tanë të politikës. Më vjen ndër mend një pyetje që dua ta bëj në adresë të medias: Në cilën gazetë, në cilin televizion thirren të shkruajnë apo të flasin njerëzit guximtarë, intelektualët me zë, për të thënë publikisht, ashtu si është e vërteta, ashtu si flasin njerëzit e thjeshtë në rrugë apo rrjetet sociale? Sipas mendimit tim, shkrimi i intelektualit Jovan Jano, ku shpalosej portreti i një Presidenti si Josse Mujica, i cili me dëshirën e tij paguhet, aq sa është paga mesatare e një punonjësi në Uruguaij, duhet ta ribotonin të gjitha gazetat, pa përjashtim, si një protesë ndaj pashallarëve tanë. Vetëm kështu do tu thuhej: ja cilët ini! Madje, të përpilohej si një trakt dhe të çohej në çdo tavolinë politikani. Mos ndoshta na tremb termi “trakt”? Në situatat që janë krijuar, për diferencat dhe hendeku që ndan politikanët nga populli për të ardhurat dhe mënyrën e jetesës, fjala “trakt” është shumë pak, nëmos fjalëz përkëdhelëse që u sillte humor. Dhe meqë ra fjala për zëmëratën dhe dëshpërimin që ka sjellë ky fenomen, pra pasurimi i pafre i politikanëve, tek shumica e popullit, të majtë e të djathtë, po sjell një deklaratë të një prej heronjve të Jovan Janos, Martin Luther King: “Më e rëndë se zhurma shurdhuese e njerëzve të dhunshëm, është heshtja e frikshme e njerëzve të ndershëm”. Ma thotë mendja që ky konstatim i Martin Luther King është aktual, sikur ai ta paskësh thënë për Shqipërinë. Iu duhet rikthyer këtyre figurave të mëdha sepse na mësojnë, na këshillojnë, por edhe na nxisin për të ngritur zërin për të mundësuar kryerjen e reformave të mëdha.

Personalisht jam për veprime të shpejta, por të orientuara drejt dhe udhëhequra nga intelektualë idealist, që t’ju dhimbset ku vend, që të jenë optimist për të mundur të keqen, e cila çdo ditë që kalon bëhet më e guximshme, trimërohet.  Kjo na duhet. Sepse ai që udhëhiqet në jetë nga ideale të larta, nga synime fisnike dhe lufton për të deri në fund, është pa diskutim në krah të së mirës, të njerëzve të thjeshtë. Nuk shërohet kollaj plaga që është hapur. E kini vënë re shpërthimin, revoltën që shfaqin njerëzit në ndonjë kanal televiziv rreth këtij problemi? Po urrejtjen, dëshpërimin, mallkimet që bëjnë për individë të veçantë, por që janë pjesë e “gardës” së politikanëve? Ky realitet është i turpshëm, por edhe i dhimbshëm. Qetësija dhe mos reagimi ndaj një realiteti si ky, kam mendimin se i turpëron intelektualët. Nuk e kam fjalën për ata që gradohen dhe marrin tituj shkencorë “për mbarështimin e blegtorisë”, por për ata djem e vajza, për ata bij e bija nënash të cilët gdhihen e ngrysen me hallet e njerëzve të thjeshtë. Këta ku janë? Sepse zëri i tyre, mendja dhe guximi i tyre kanë shansin të mundësojnë shkuljen nga rrënjët të “hashashit” të politikës. Ngul këmbë përsëri e përsëri që këtë detyrë madhore mund dhe duhet ta bëjnë intelektualët idealist. Nuk them që tek qeveria e sotme, e socialistëve, mungojnë të tillët, “politikanët e ëndrrave të mëdha”. Dhe po i rikthehem prap intelektualit idealist Jovan Jano, i cili e kryen mirë punën e tij në pozicionin që mban si shkrimtar. Ai hedh në letër, të zezën në të bardhë, sesi bën bota e emancipuar, udhëheqësit idealist, për të ngritur një shtet, për të formuar një shoqëri me tregues të lartë njerëzorë. Ai ta sjell shembullin përpara, si në dritë të diellit. Mjafton ta zbatosh. “Në Uruguaj presidenti Josse Mujica, jep informacionin publicisti Jano, me reformat në dobi të popullit, me stilin personal të jetës private, me përbuzjen që i bën luksit të tepruar dhe harxhimeve të kota, ka bërë që të fitojë zemrat e të gjithë njerëzve të thjeshtë”. Ja, kjo është e tëra dhe bëni një krahasim me këta tanët, të cilët sillen si pashallarë, si feudalë të  shekullit të XXI-të.

Edhe perandorët më të fuqishëm e më të mëdhenj e kishin kuptuar se pushtimi i zemrave është më i vështirë se pushtimi i kështjellave. Politikanët tanë nuk e kanë patur këtë privilegj. Të paktën deri tani. Por po të shikosh sjelljet e tyre, vrapin marramendës për t’u pasuruar, për të zaptuar prona, për të shkelur gjithçka të shenjtë në emër të tw qenit i pasur, sheik, prognoza flet për “mot të keq”. Zor të kenë kurajo për të hequr dorë nga paudhësitë. Unë, si shkrues i këtyre radhëve, për të sjellë një shembull nga armata e intelektualëve tanë, njw idealist si shkrimtari dhe publicisti Jovan Jano, mbetem pjesë e atyre, që siç thonë pashallarët tanë të politikës, “kanë humbur rrugën e duhur”. Sidoqoftë, ndjehem mirë kur propagandoj ide të tilla, “të Krishtit dhe të Muhametit”, kur me këtë mendje është edhe shkrimtari i madh Viktor Hygo, i cili përpara se të jepte shpirt la këtë testament: “Dua që nga paratë e mia t’u jepni dhe të varfërve!… Dua të më përcillni në banesën e fundit me karrocën e të varfërve! Nuk e dua pëshpëritjen e kishave. Kërkoj veçse një lutje nga të gjitha shpirtrat…Besoj tek Zoti!”