Bien kreditë e këqija, niveli më i ulët në 6 vjet

542
Huatë e pakthyera në afat në banka kanë shënuar një tjetër rënie gjatë qershorit, për të tetin muaj radhazi, duke zbritur në 15.58% të totalit, sipas statistikave të publikuara dje nga Banka e Shqipërisë. Ky është niveli më i ulët i arritur që nga tremujori i parë 2011, kur kreditë e pakthyera në afat në banka ishin 14.41%. më pas ky tregues erdhi në rritje, për të arritur rekordin prej gati 25% në tremujorin e tretë 2014. Pasi Banka e Shqipërisë ndërmori një strategji për menaxhimin e huave problematike, ato janë ulur gradualisht, duke neutralizuar dhe rritjen e përkohshme të konstatuar në gjysmën e parë të vitit 2015, si rrjedhojë e falimentimit të kompanisë Kurum, që kishte një ekspozim rreth 30 milionë euro në bankat shqiptare. Dy vitet e fundit, bankat kanë zbatuar procesin e fshirjes së huave, sipas të cilit hiqen nga bilancet e bankave kreditë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, ndërsa ato vazhdojnë të ndiqen nga bankat. Të dhënat e qershorit treguan se stoku i huasë së korporatave jo financiare në valutë, pra kryesisht huaja e dhënë në euro për bizneset, ka rënë me 26 miliardë lekë në raport me qershorin 2016, nga 8.9 miliardë lekë që ka rënë stoku në total i huasë për të njëjtën periudhë, duke reflektuar një fshirje masive të huave në valutë. Në qershor, edhe në vlerë absolute huatë me probleme u ulën me rreth 12 milionë euro, nga 632 në 620 mln euro, sipas statistikave të BSH-së. Një tjetër element, që ka ndikuar në reduktimin e huave me probleme është procesi i ristrukturimit të 35 kompanive të mëdha, që deri pak kohë më parë zotëronin 60% të kredive me probleme. Aktualisht, sipas burimeve zyrtare të Bankës së Shqipërisë, nga 35 kompani janë ristrukturuar 21 prej tyre.
Sigal