BERZH miraton strategjinë e re për Shqipërinë, investime…

207

Bordi i Drejtorëve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka miratuar strategjinë e re për Shqipërinë, e cila përcakton kuadrin e punës së Bankës në vend për periudhën 2020-2025.

Dokumenti, i këshilluar me autoritetet dhe publikun e gjerë në Shqipëri, identifikon prioritetet e BERZH-it, si investitor dhe si partner në angazhimet e politikave në vitet në vijim.

Banka vijon ta konsiderojë dhe ta mbështesë përafrimin gjithëpërfshirës me BE-në si shtysën kryesore të jashtme për reformat në vend, duke përfshirë forcimin e mirëqeverisjes dhe sundimit të ligjit.

Me qëllim përshpejtimin e përafrimit me nivelin e të ardhurave të BE-së, Shqipëria duhet të rrisë prodhimtarinë, duke zhvendosur modelin e rritjes prej konsumit drejt investimeve dhe eksporteve, veçanërisht duke pasur parasysh zhvillimet jo të favorshme demografike. Nevojitet një klimë e përmirësuar biznesi për të mbështetur diversifikimin dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, sidomos në sektorë si turizmi, prodhimi dhe agrobiznesi, për të mundësuar një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Për trajtimin e këtyre sfidave si edhe për promovimin e integrimit rajonal, BERZH do të përqendrohet në prioritetet e mëposhtme strategjike për Shqipërinë gjatë periudhës 2020-2025: Mbështetje për përmirësimin e qeverisjes ekonomike në të gjithë ekonominë;
Përmirësim i konkurrueshmërisë dhe gjithëpërfshirjes së sektorit privat përmes qasjes më të madhe në financim dhe aftësi; dhe Përforcim i diversifikimit të energjisë dhe tranzicionit drejt niveleve të ulëta të karbonit në kuadër të Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Deri tani, BERZH ka investuar mbi 1.4 miliardë euro në 97 projekte në Shqipëri.