Bardhyl Berberi: Njeriu ynë i ri në peizazhin shqiptar

617
Sigal
Rrugë e asfaltuar dhe të shkatërruara nga Hecet që ndërtohen nëpër Mokër, dhe të tjera duke u ndërtuar për fushatën elektorale. Disa mini markete, ndonjëherë edhe supermarket. Disa magazina me materiale ndërtimi, pikë furnizimi me karburant. Mbi 46 fshatra të ngjeshura në gjirin e maleve të Mokrës. Emrat e dikurshëm Sose, Mbaresa, Vajtime i kanë zënë emrat modern të huaj Shumica prej fshatrave të braktisur: Zëmca, Jolla, Llënga, Nica etj, kanë ngelur vetëm me nga dy tre shtëpi të banuara. Dy a tre restorante, kryesisht për dasma ose mysafirë. Makineri bujqësore që lehtësojnë ose zëvendësojnë punën e krahut nuk sheh. vetëm tek tuk në ndonjë arë duket ndonjë traktor i vjetër i kohës së komunizmit, por më së shumti punohet si në Mesjetë. Fusha të lëna djerrë… Zilka dhe këmborë bagëtish, më rrëqethëse se të Naim Frashërit tek “ Bagëti e bujqësi “ Depo prodhimesh bujqësore dhe blegtorale. Ata të pasurit e demokracisë janë kthyer në fshatrat e tyre dhe kanë ngritur shtëpi të reja me kangjella të stilizuara, edhe me basene të kaltra të mbushura me troftë. Mbi portat, statuja prej allçiri, shkaba, Dea, kuaj fluturues dhe të tjera që u shpërthejnë nga truri i ndezur nëpër ëndrra. Shumë makina, Benza, Toyota, Mitsubishi. Edhe pse është kohë fushate dhe mbjelljesh të gjithë moshat para televizorëve ndjekin telenovelat turke. Me punë ende nuk merret njeri, paret që vijnë nga pjesëtarët e familjes që kanë në emigracion mjaftojnë sa për t’u ushqyer, ndërsa për rrobat rroftë Gabi. Pasdite, me kafe dhe pije përpara, të gjithë në kafene. Vetëm meshkujt kryesisht moshat e reja. Në kafene nuk ka kurrë femër, kurrën e kurrës. Beqare jo që jo, por as grua të martuar, madje as gjyshe. Zoti e di ku i kanë, ku i mbajnë, ku i ruajnë, femrat. Nëpër rrugët e fshatit sheh nëna dhe baballarë të lodhur, e të sfilitur, lëvizin lartë e poshtë me punë nga më të ndryshmet, mbjellje, korrje, vaditje, prashitje, kullotje. Nënat dhe baballarët që zhdëpin njëri-tjetrin me gënjeshtra duke i thënë se çupa apo djali studiojnë jashtë shtetit. E dinë fare mirë se çupa pasi ka vajtur në Itali ca kohë ka bërë selfie për në Fejsbuk dhe një zot e di se me se merret. Ata ose ato bëjnë punë nga më ordineret, pa kujtuar një takëm tjetër që merren me pisllëqe. Por ka shumë të rinj që çdo ditë zbresin në qytet që në mëngjes me veturat e tyre apo me furgona e pafund. Kafenetë e qytetit plot me të rinj, djem dhe vajza që bëjnë muhabete të çartura për pasurim të shpejtë, për dallavere korruptive, për pazare droge dhe transporti në vendet fqinje për shumë Euro, udhëtime aventuroze, pushime në hotele të shtrenjta, makina të fuqishme, skafe, jahte, telenovela, telefilma, spektakle televizive me femra me lëkurë të stukuar që të mos duken prej mishi por prej mermeri, dhëmbë allçini, e , sy të shqyer, nga cigaret e hashashit. Këta biçim prindërish që nuk interesohen fort për pjellat e tyre në përpjekje për të mbushur boshtin e edukatës së munguar, janë lëshuar tërësisht plotësimit të të gjitha tekave të pjellave të tyre zevzeke sipas filozofisë së pavdekshme shqiptareske “të dalë ku të dalë”. E ardhmja, profesioni, kurrkund, as në horizont. Ky është, shkurt, fshati apo qyteti i sotëm shqiptar. Kush nuk e beson nuk ka sy ta shikojë. Celular, selfie, operacione kozmetike , tymosje hashashi, statuse të rrejshme në Fejsbuk për ta rrafshuar identitetin, ndonjë kafe, po teproi ndonjë lek ja dhe ndonjë birrë a pije energjike nga ato që ti zmadhojnë sytë dhe ta çakërdisin mendjen. Denatyrimi monstruoz po shkakton zbrazjen me shpejtësi të fshatrave drejt qyteteve, dhe të krejt Shqipërisë drejt Perëndimit. Të gjithë e kanë mendjen tek data 2 maji kur del lotua amerikane. Të ikim nga sytë këmbët, një hemorragji vdekjeprurëse që po na frikëson të gjithë, pasi po futemi në kombet me moshë mesatare më të lartë, kur dikur ishim kombi më i ri. Rinia po ikën. Intelektualët dhe njerëzit e mençur janë të vetmit që mund të bëjnë diçka për evitimin e kësaj humnere liberale, që po na sjell një katastrofë. Politika është bërë bajate askush nuk do të dëgjojë më për politikë apo për zgjedhjet që po afrojnë. Njerëz të zhgënjyer që ndjejnë neveri për klasën tonë politike …Deri kur kështu më…?! Një vend që drejtohet nga të paditurit dhe drejtësia vendoset nga më të pandershmit …?! Shpresa për Vetingun është kthyer në ëndrrën e një nate vere.
NOA