Berisha nuk tërhiqet: Nesër protesta do të zhvillohet në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’

105
Sigal

Kryetari i PD Sali Berisha një ditë para mbajtjes së protestës së thirrur njëkohësisht me samitin e BE në Tiranë, është shprehur i vendosur dhe i palëkundur se ajo do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pavarësisht se policia e ka quajtur ‘zonë të kuqe’.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve të mblidhen në bulevard dhe tha se Rama do të ulet të martën në karrigen e kryeministrit në samitin para liderëve të BE si “Hajduti i parë i Shqipërisë”.

“Ne jemi në një betejë me armikun e egër të votës së shqiptarëve Edi Rama, të mblidhemi për ti dëshmuar lidershipit evropian se njeriu që qëndron si përfaqësuesi i Shqipërisë në atë samit e ka pushtetin e karrigen të ngritur mbi dhunimin e votës së shqiptarëve, e ka të ngritur mbi drogën, trafiqet, narkoshtetin që ka ndërtuar në Shqipëri, e ka mbi vjedhjet e mëdha të paimagjinueshme për një vend evropian që u bën qytetarëve shqiptarë.

Ai aty ulet si kryeministër por edhe si kryehajduti i Shqipërisë gjithashtu.

Hajduti i parë i Shqipërisë do jetë Edi Rama nesër në atë samit.

Me praninë tuaj të dashur qytetarë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit ju i dilni Zot në mënyrën më të vendosur këtij vendi e këtij kombi në rrezik ekzistencial.

Ne jemi në fatkeqësi të madhe me një person si ky në karrigen e kryeministrit. Të paktën t’ja përcjellim këtë shqetësim mbarë opinionit publik evropian dhe atij botëror”, tha Berisha.