Berati gjithmonë është parë me syrin e njerkës

409
Sigal

SHKATËRRIMI I QYTETIT/ Politikanët asnjëherë nuk kanë dalë jashtë kontekstit të premtimeve

Berati njihet për urtësinë e kulturën qindravjeçare dhe si i tillë ai duhet vlerësuar dhe jo neglizhuar. Lënia pas dore ka nisur që në Qeverinë Mbretërore të Ahmet Zogut, i cili nuk investoi asnjë qindarkë në Berat, madje një ish- deputet nga Berati në vitet 1923 në Parlamentin Zogist është shprehur: Nuk e kuptoj pse neglizhohet Berati? Qeveria mbretërore nuk ka investuar asnjë groshë në infrastrukturën e këtij qyteti, në një kohë që në shumë qytete të tjerë po investohet. Mos vallë ne jemi të tepërt? Ne kërkojmë që të investohet në qytet, pasi beratasit na kanë dhënë votën”. Por përgjigja ka qenë: “Do të investojmë edhe në Berat”. Kjo mënyrë neglizhimi nuk mbaroi këtu. Erdhën vitet e çlirimit dhe gjatë kohës së Socializmit deri diku u investua në këtë qytet, madje të gjitha rrugët ende kanë asfaltin e asaj kohe.

Pritja për ndryshim… dhe zhgënjimi

Ky është një fakt dhe nuk e fshehim dot. Në vitet e demokracisë të gjithë gëzuan se do të kishte një ndryshim të madh. Por problemi nisi që në fillimet e demokracisë, kur të gjitha rrethet i dhanë një numër të madh deputetësh Partisë Demokratike. Berati bëri të kundërtën. Banorët votuan për të majtën duke i dhënë 4 deputetë. Kjo i tronditi drejtuesit e forcës demokratike. Kështu gjatë qeverisjes së PD-së, Berati u pa me syrin e njerkës… Në këtë qytet jo që nuk u investua, por edhe ato industri që ishin të ndërtuara nga sistemi monist u dha orientim që të shkatërroheshin. Pra Berati përsëri mbeti në shprehjen se do t’ju ndihmojmë. Më pas pushtetin e morën të majtët, por përsëri i njëjti fenomen ndodhi. Përsëri “fjalë të mira dhe guri në trastë”. Gjatë qeverisjes së Nanos, nuk pati ndonjë investim në infrastrukturën e Qarkut të Beratit, por vetëm fjalë të mira dhe buzëqeshje duke e lënë këtë qark në pikë të hallit. Më pas përsëri erdhi në qeverisje Partia Demokratike, po përsëri ky refren. Berati nuk ia dha PD-së numrin e nevojshëm të votave në zgjedhje si ato parlamentare dhe lokale. Kjo ka tronditur seriozisht të djathtët dhe ata vendosen që Beratin ta mbajnë në tiro duke e lënë në pikë të hallit, pa asnjë investim.

Infrastruktura

Rrugët e qytetit i ngjajnë sikur kanë dalë nga bombardimet e Luftës së Dytë Botërore edhe pse ka vlera të mëdha kulturore e muzeale, por që qeveritarët duke mos investuar për mirëmbajtjen e tyre po e shkatërrojnë atë. Të dyja qeveritë si ajo e majtë dhe e djathtë në Berat, nuk kanë investuar. Ky është një fakt që duket, pasi rrugët janë në “shesh të mejdanit”.