Lindita Nikolla: “Arsyet përse ika nga Minibashkia 1 dhe rilindja që do i sjellim Shqipërisë”

560
Sigal

Intervista/Flet kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla, për programin

Ish kryetarja e Njësisë Bashkiake numër 1 në kryeqytet, Lindita Nikolla, aktualisht kandidate për Partinë Socialiste në kryeqytet, shprehet e vendosur për fitoren e 23 qershorit. Zonja Nikolla në një intervistë për “Telegraf” është shprehur se hoqi dorë nga detyra e mëparshme si kryetare e Minibashkisë numër 1, në emër të një qëllimi më të madh, që është ai i përfaqësimit në Parlament.

 -Zonja Nikolla, cilat ishin arsyet që ju u larguat nga detyra e kryetares së Njësisë Bashkiake nr 1 në kryeqytet dhe të kandidoni për deputete?

Arsyet kanë të bëjnë me faktin që çdo njeri që është i involvuar në politikë kërkon që niveli i përfaqësimit të jetë më i fortë. Dhe padyshim që zëri është shumë herë më i fortë nëse ngjitesh në stade të tilla përfaqësimi, siç është ai i Parlamentit të Shqipërisë. Pra unë nuk kam hequr dorë nga detyra e përfaqësimit të qytetarëve dhe shërbimit ndaj qytetarëve që unë e kam bërë më dëshirë, por kam hequr dorë nga detyra ku isha, në emër të një qëllimi shumë të madh. Edhe njëherë po e theksoj që unë kam hequr dorë nga detyra ku isha, për të ringritur dhe rilindur Shqipërinë në emër të programit të Partisë Socialiste. Dhe kjo po bëhet që jeta e shqiptarëve dhe Shqipëria jonë të jetë një vend krejtësisht tjetër. Po ashtu ne duam që Shqipëria jonë të jetë e ndryshme nga Shqipëria që po lë Sali Berisha dhe për këto 41 ditë që i kanë mbetur. Dhe të gjithë e shohim që sot ne  kemi një Shqipëri të rrënuar ekonomikisht, një Shqipëri ku shteti i së drejtës nuk funksionon, ku ribashkimi nuk po bëhet i mundur dhe nuk po shohim ato vlera dhe aspirata që duhet të ketë një shoqëri për të qenë një shoqëri e integruar evropiane. Ne shoqërinë evropiane duam ta kemi këtë dhe mos të jetë vetëm ëndrra për t’u bashkuar me Evropën.

 -Ju aktualisht kandidoni në Njësinë numër tre në kryeqytet, përse nuk kandiduat në zonën ku keni qenë kryetare e njësisë bashkiake?

Kjo nuk ndryshon asnjë gjë, ne funksionojmë si një skuadër dhe kjo është skuadra për rilindjen për qarkun e Tiranës. Dhe nuk ndryshon  asnjë gjë këtu, nëse në njësinë bashkiake numër 1 kandidon Lindita Nikolla, apo kandidon deputeti i nderuar Ditmir Bushati. Ne jemi pjesë e ekipit, pjesë e frymës së Rilindjes për Tiranën dhe për të gjithë Shqipërinë. Ndaj këto janë çështje administrative dhe unë do i vë të tëra energjitë e mia në një komunitet që është komunitet fqinj i Njësisë Bashkiake numër 1. Dhe me shumë dëshirë do të jemi pjesë e një suksesi spektakolar edhe në Njësinë Bashkiake numër tre në kryeqytet.

 A keni zhvilluar takime me banorët e kësaj zone, cilat janë problematikat që i shqetësojnë më shumë dhe sa ua zgjidh problemet programi i Rilindjes së PS-së qytetarëve?

Po, kemi bërë shumë takime në njësinë që unë jam përgjegjëse. Ajo është një zonë që për hir të së vërtetës unë kam takuar zonja dhe zotërinj të nderuar të cilët kanë një dëshirë të zjarrtë për të bërë të mundur ndryshimin. Ato kanë pasur një deputet të Partisë Socialiste ,zotin Ilir Gjoni, i cili është një vlerë e Partisë Socialiste. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer në komunitet, qoftë në përçimin e problematikave të këtyre banorëve në Parlamentin e Shqipërisë. Dhe unë padyshim do të mbaj gjithë këtë frymë që kolegu im ka përçuar në këto vite. Po ashtu shpresoj që mos të zhgënjej as komunitetin në atë që ka ndërtuar. Unë së bashku me Ilirin do të zgjidhim edhe ato problematika që kanë ngelur të pazgjidhura. Unë dua të sqaroj edhe diçka, nuk ka problematika të shkëputura të njësisë 1, 2, apo 3 e kështu me radhë. Problematikat sot janë problematika që i ka çdo familje shqiptare që vijnë nga degradimi i qeverisjes së Sali Berishës. Ato janë problematika që sot çdo qytetar shqiptar i sheh në ekonominë familjare. Janë problematika që çdo familjar shqiptar i ndjen kur dërgon fëmijët në shkollë, janë po ashtu problematika që kanë të bëjnë me papunësinë. Po ashtu janë problematika të shërbimit shëndetësor, ku qytetarët nuk mund të marrin shërbimin e duhur edhe nëse janë apo nuk janë të siguruar. Por ne e kemi parë dhe në rastet kur qytetari është i siguruar, ai duhet të paguajë  njësoj për të marrë shërbimin e duhur. Po ashtu unë mund të them që këto problematika të qytetarëve të kësaj zone janë të lidhura edhe me mungesën e rendit dhe sigurisë. Po ashtu janë edhe problematika që lidhen me taksimin. Pasi çdo biznes në qytete të ndryshme të Shqipërisë paguan njësoj taksa si një biznes që është një qendër të Tiranës. Si në Njësinë numër 1 dhe në Njësinë numër 3, pas ardhjes se kryebashkiakut të ri, mbeten zero investimet nëse flasim në nivel vendor. Ne jemi të bashkuar për të bërë Rilindjen e Shqipërisë.

 Ju kandidoni në zonën ku më parë ka qenë deputet zoti Ilir Gjoni, i cili nuk u përfshi më në listën e kandidatëve dhe u shpreh i pakënaqur. A mendoni se kandidimi në këtë zonë do jetë në disavantazhin tuaj për këtë arsye?

Unë di që Ilir Gjoni vazhdon të jetë një socialist i devotshëm dhe një njeri i shkëlqyer në kuptimin e devocionit, përsa i përket Partisë Socialiste. Po ashtu ai vazhdon të mbetet edhe një mik i imi dhe vazhdon që të jetë në ballë të fitores së Partisë Socialiste për Tiranën. Unë di që Ilir Gjoni vazhdon të jetë një socialist i devotshëm.

 Cilat janë disa nga pikat kryesore të programit që ju do të veçonit për shqiptarët?

Ky është një projekt i madh, është një projekt ku unë dhe të tjerët besojmë fort. Është një program që mund të themi pa frikë që është programi më i mirë që ka pasur Shqipëria në këto 23 vite. Është një program që adreson dhe kërkon të bëjë rimëkëmbjen e ekonomisë në të gjitha aspektet e jetës. Po ashtu ky program kërkon të bëjë ripërtëritjen e shoqërisë, rivendosjen e demokracisë dhe bashkimin me Evropën. Gjatë gjithë këtyre ditëve të komunikimit me elektoratin  kemi demonstruar pasionin që ne kemi që programi elektoral të mos jetë thjesht sa për të marrë votat e qytetarëve dhe nesër t’u kthejmë kurrizin qytetarëve. Por ne po komunikojmë derë më derë me qytetarët, me biznesin, po mundësojmë edhe ato që janë kontrata të Partisë Socialiste, të liderit të saj Edi Rama që nesër do të jetë kryeministër i Shqipërisë. Ne po bëjmë kontrata me qytetarët për t’u bërë të ditur qytetarëve se kush do të jetë plani i nesërm i Edi Ramës si kryeministër dhe i tërë Partisë Socialiste nesër për një të ardhme evropiane.