Hetim180 lejeve të ndërtimit tek Vila e Zogut mbi kodër  

1510
Sigal

Urbanistët “duhen prishur  të gjitha objektet pa leje”

Të 180 lejet e ndërtimit që janë dhënë në dy dekadat e fundit  tek kodra e Vilës së Zogut, do të jenë në proces hetimi. Kjo deklaratë u bë për “Telegraf” nga një burim i Prokurorisë Rrethit. Edhe pse një firmë private ka nisur punimet tek rruga e Currilave, për ndërtimin e një aksi mjaft delikat rrugor që të shpie tek plazhi i bukur, atje sërish ajo rrezikohet nga rrëshqitja e dhjetëra banesave, pallateve, lokaleve dhe e vetë Vilës së Zogut. Shiu që ra disa ditë më parë ka hapur dhe sjellë probleme jo vetëm  rrugëve  dhe rrugicave të Durrësit, por edhe tek kodra e qytetit, ku prej 2 dekadash janë dhënë leje ndërtimi. Para 84 vitesh mbi kodrën e vetme të Durrësit, me ndihmën financiare të tregtarëve  të qytetit, u ngrit madhështore ajo që quhet Vila e Mbretit Zog. Vila ka shërbyer si vendi ku priteshin  qysh në vitet ’30, titullarë shtetesh, dhe pas vitit 1945, ajo ka shërbyer edhe si rezidencë e Enver Hoxhës, Nikita  Hrushovit, dhe udhëheqësve të tjerë komunistë të kohës. Por ajo që po ngjet me kodrën e Durrësit, është e pashembullt. Pishat e prera në kodrën  e cila prej vitesh është mbushur me pallate, banesa e lokale, po rrezikojnë të sjellin momente tragjike për banorët autoktonë të asaj zone. Kodra ku para 84 viteve është ndërtuar Vila e Zogut mbart pasuri të çmuara dhe vlera të rralla turistike, por ajo ka nisur plasaritjen e frikshme, dhe nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga shteti. Kjo  ka detyruar dhjetëra banorë të braktisin banesat e tyre, dhe të strehohen tek të afërmit, derisa Bashkia të vendosë zgjidhjen e problemit. Prej disa ditësh, dhjetëra shtëpi të Kodrës së Durrësit ( ku gjendet Vila e ish-Mbretit Zog) janë përfshirë në panikun e shembjes, duke detyruar familjarët të braktisin strehën. Sipas banorëve, shenjat e para të rrëshqitjeve dhe plasaritjes së kodrës në rrëze të detit pranë Porto Romanos, janë shfaqur rreth  2 vjet më parë, por tani situata duket se është bërë shqetësuese, duke rrezikuar të na zënë poshtë dherat e saj. Sipas urbanistëve të bashkisë, bëhet fjalë për dhjetëra e objekte të ndryshme shërbimi, por më e rrezikuara nga ndonjë rrëshqitje e mundshme mbetet fati i Vilës së Zogut. Para disa muajsh një lokal që ka qenë poshtë kodrës, në buzë të detit dhe që shërbente për pushuesit e zonës në sezonin e verës është mbuluar nga masivi i dherave së bashku me 4 objekte banimi. Banorët e kanë zbuluar  çarjen dhe rrëshqitjen e tokës prej  kohësh, por tani që kodra e banuar ka nisur të shkëputet nga pjesa tjetër, ka rritur shqetësimin. Bëhet fjalë për kodrën në perëndim të Durrësit e shfrytëzuar shumë për ndërtime banesash dhe objekte të ndryshme. Kodra dikur ka qenë e veshur e gjitha me rrënjë ulliri e pishe, por pas viteve ‘90 përfituesit e tokës në përdorim nisën të presin ullinjtë dhe të shesin tokën e ish-ndërmarrjes. Specialistët  e urbanistikës dhe arkitektët shprehen se “vendi i kërcënuar nga erozioni është pikërisht në anën tjetër të kodrës ku është ish-kampi përqendrimit”. Vargu i kodrës së Durrësit nis në Currila, përshkon Kallmin e përfundon në afërsi të portit të ri të karburanteve në Porto Romano. Themelet e disa banesave kanë dalë në sipërfaqe, ndërsa shumë shtëpi janë çarë e plasaritur gjithandej. Toka në këtë pjesë të kodrës është argjilore, si dhe në kodrën tek Currilat, pasi është vijim i saj. Ndërtimi objekteve pa kritere urbanistike ndikojnë në shkëputjen e masivit të madh të kodrës, pasi toka  atje është duke bërë edhe shkëputjen. Tani në disa vende çarja e tokës është shumë e thellë deri në disa metra dhe është bërë e pakalueshme. Shumë familje kanë lënë shtëpitë dhe jetojnë tek të afërm apo edhe në kasolle prej druri e llamarine, pasi druhen se kodra mund të marrë me vete shtëpitë. Disa banesa kanë dalë nga përdorimi pasi veç zbulimit të themeleve, kanë pësuar edhe shtrembërime në anët ku kodra ka pësuar rrëshqitje. Të gjitha shtëpitë në rrezik janë ndërtuar vitet e fundit dhe asnjëra prej tyre nuk është në pronësi legale, ndërsa banorët kanë plotësuar aplikimin dhe janë në pritje të përgjigjes. Kodra është zhveshur vit pas viti ngase pemët janë prerë të gjitha dhe shtëpitë nuk kanë mundur të zgjidhin problemin e linjave të ujërave të bardha e të zeza. Gjendja ka nisur të rëndohet, ndërsa banorët nuk kanë hequr dorë së ndërtuari në këtë kodër, e cila tani nuk ka më asnjë pëllëmbë tokë të lirë. Shtëpitë që kanë qenë më pranë rrëpirës e kanë ndier të parat rrezikun pasi dheu ka lëvizur duke zbuluar themelet dhe duke shkaktuar çarjen e mureve. Një përfaqësi nga lagjja e rrezikuar kanë nisur të trokasin në dyert e bashkisë, për të bërë të ditur rrezikun. Specialistët e urbanistët shprehen se, ekziston rreziku për banorët, por edhe për vlerat e çmuara të qytetit si Vila e ish-Mbretit Zog, ndaj bashkia duhet të prishë pa vonesë objektet pa leje atje.

Hetimi  lejeve të ndërtimit

Burimi i Prokurorisë tha se “hetimet kanë nisur pas denoncimeve dhe një raporti nga KLSH për të verifikuar dhe penalizuar cilindo që ka firmosur dhe ka vulosur për lejet e ndërtimit në zonën më problematike dhe më të paprekshme nga pikëpamja ligjore”. Kjo pasi, zona e kodrës së Vilës së Zogut, në bazë të një VKM-je të datës  12.04.1994, nuk duhet  të preket nga asnjë objekt ndërtimi, banesë e ulët, pallat apo lokal shërbimi”. Por vetëm në vitin e zi 1997, në kodër hodhën shtat  dhjetëra  banesa, disa  pallate dhe lokale të cilat shkatërruan gjithë  fashën  mbrojtëse të  kodrës, ndërtuar qysh në vitin 1936, dhe riparuar gjatë viteve ’60, dhe sot aktualisht ajo  rrezikohet  nga rrëshqitja  fatale. Pritet  që në hetim të dalin fakte që mund të implikojnë dhe akuzojnë ish-drejtues dhe zyrtarë të KRRT dhe Bashkisë.

Artur AJAZI