Hipoteka e Tiranës si “shpellën e kaçakëve”

920
Sigal

Mos “rënç në dorën” e Blerinës së sportelit nr. 2 dhe të “hasanëve” në Hipotekën e Tiranës

 Duke marrë shkas nga 158 ankesa të ardhura në 30 ditët e fundit në redaksinë e gazetës “Telegraf”, bërë prej qytetarëve banorë të Tiranës, që shkojnë e “falen” në Hipotekën e Tiranës për aplikime regjistrimi, çregjistrimi, saktësimi, verifikimi, rifreskimi, akt-dhurimi, bashkimi e ndarje të pasurive të tyre, shoqëruar me ankesë-akuzat ndaj një zyrtareje të kësaj hipoteke me emrin Blerina që trajton aplikimet që bëhen në sportelin nr. 2 të Hipotekës Tiranë, vendosëm të bëjmë një investigim. Fillimisht, shkuam si “aplikues”  (gjoja) për ndarje pasurie. Pa bërë ende aplikimin për regjistrim pasurie të ndarë, pyetëm konfidencialisht pranuesin, një nëpunës me mirësjellje me emrin Jon Shia:

– Sa zgjat si afat kryerja e regjistrimit të pasurisë së ndarë?

Na tha: – Po e pate mirë me Blerinën e merr edhe për 1 javë, po nuk ia gjete “telat”, shkon edhe 6 muaj, 1 vit e mund të mos bëhet fare.

E pyetëm përsëri: – Po flasim për ndarje pasurie ligjore, me certifikatë pasurie dhe ndarje të rregullt ligjore, jo për ndarje false.

Ai na tha: – Ligjore pa ligjore, atë punë e di vetëm Blerina, or, mik! Gjeji “marifetin” asaj dhe e ke në dorë certifikatën kur ta duash, ndryshe hajde vërdallë kot.

Pas këtij dialogu, prej të cilit verifikuam dhe konfirmuam realitetin që shkruhet në letrat e ardhura në gazetë, shfletuam gjithë ankesa-denoncimet që kishin ardhur, të shoqëruara me dokumentet e aplikimeve të bëra. Afati më i vogël i vonesës së një shërbimi të pakryer ishte 6 muaj dhe ende pa përgjigje, konkretisht aplikim për një ndarje garazhi që gjendet i regjistruar  në regjistrin e pasurive të paluajtshme të Hipotekës Tiranë. Shkaku i vonesës ishte ky: Nuk e bën Blerina! Arsyeja: Sipas deklarimeve të “viktimave”, Blerina nuk e “lëviz dorën” pa “lëvizur kuleta” e qytetarëve që aplikojnë. Madje, na thanë, se jo vetëm që duhet të gjesh mik që shërbimi të kryhet në afatin e shpallur nga Drejtoria e Përgjithshme e Hipotekave, por edhe duhet t’i gjesh mik Blerinës, t’i japësh ryshfetin. Nëpërmjet burimeve tona, investiguam veprimtarinë e kësaj zyrtareje “përbindësh” të Hipotekës Tiranë, duke iu referuar 158 ankesave që disponojmë. Nga këto, 72 aplikime janë për regjistrim pasurie fillestare, 24 janë për ndryshim pronësie me vendim gjykate të formës së prerë, 16 janë për verifikim titulli pronësie e pronari për shkak të mbivendosjeve, 10 janë aplikim për marrje certifikate pronësie me akt-dhurimi, 28 janë për regjistrim objektesh biznesi, 5 janë aplikime për çregjistrim pasurie me vendim gjykate të formës së prerë, 5 janë regjistrim tokë kullotë me vendim të Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave. Rekordin e vonesës e mban regjistrimi i një vile me dokumente të plota e të rregullta ligjore, që ndodhet në zonën kadastrale “Kinostudio” e cila nuk po regjistrohet prej 3 vitesh. Këto raste kanë ardhur në gazetë si ankesa e denoncime. Ata që ankohen e denoncojnë po e vuajnë aq shumë shpërfilljen dhe prepotencën në hipotekë, sa thonë: Mos të çoftë halli në dorën e Blerinës së sportelit nr. 2 në Hipotekën e Tiranës, se të masakron psikologjikisht, edhe kur je me “letra” të rregullta ligjore për të aplikuar për pasuritë që disponon, ose që ke fituar sipas ligjit. Në mjediset zyrtare të hipotekës, në sallën e sporteleve ku bëhen pranimet, sa interesohesh për Blerinën, tundin kokën me tmerr. Kjo zyrtare e Hipotekës Tiranë, që ka lidhje me trajtimin e aplikimeve të sportelit nr. 2, nuk përfill madje as shefat e vet. Nuk e dimë se ku e gjen “fuqinë” për të qenë “sulltanesha” e Hipotekës, nuk e dimë se kush e mbron, por dimë faktin që Blerina e sportelit nr. 2 bën siç i do qejfi në zyrën e shtetit. Tentuam të bëjmë një takim me të, por na thanë: Është shumë e vështirë ta takosh dhe që të takosh “Blerinën e dyshit”, duhet të duhet të futësh mik “njëshin” e Hipotekës!

Masakra që vazhdon të ndodhë në Hipotekën e Tiranës

Në Hipotekën e Tiranës, brenda atyre zyrave ku “futet leku me thasë” si ryshfet, por “nuk futet dot as miza” pa lekë, vazhdon batërdia me trajtimin e pasurive të paluajtshme. Si Blerina e aplikimeve të sportelit nr. 2, janë edhe shumë “blerina” të tjera, që sjellin qytetarët vërdallë, që marrin ryshfet, që nuk zbatojnë afatet e dhënien e certifikatave, ose të kthimit të përgjigjeve, që nuk japin sqarime për mos aprovimin e regjistrimeve, që zhdukin pasuri, që falsifikojnë harta e regjistra, që çregjistrojnë emra pronarësh ligjor e regjistrojnë emra hajdutësh të pronave, që vonojnë me muaj e vite regjistrimet e reja që heqin nga dosjet letrat ligjore dhe i zëvendësojnë me letra false, që nuk bëjnë as takime me qytetarët sipas detyrimit. Mbi Blerinën e dosjeve të sportelit nr. 2 dhe mbi këto lloj “blerinash” të tjera si ajo, qëndrojnë të krekosur si “sulltanë” shefat e Hipotekës, një prej të cilëve ishte ai që e larguan pikërisht për aleancë të qelbur me “blerinat”. Hipoteka e Tiranës është kthyer në një “kolektor gjigand pisllëqesh” me pasuritë. Ka abuzime deri kriminale, ka aplikime që nuk i njeh ligji e që pranohen për të zhvatur lekët e qytetarëve, ka zhdukje dosjesh, dokumente dosjesh, harta, zëvendësime hartash. Nëse shteti futet e kontrollon me përparësi për ta pastruar këtë “kolektor” me emrin “Hipoteka e Tiranës”, do të përballet me masakër ligjore, me hajdutëri pronash, me falsifikime monstruoze. Puna ka shkuar deri aty, sa në Hipotekën e Tiranës ka edhe pasuri arabësh, rumunësh, hungarezësh, italianësh, rusësh, gjermanësh, grekësh, kosovarësh, serbësh e somalezësh të regjistruara me dosje të falsifikuar e me emra fiktiv “me prokurë avokatie”, ka pasuri të regjistruara pa vendim përfundimtar të AKPP, pa vendim gjykatash, me akte dhurimi false, me ndarje pasure false, me akt-shitje  false e lloj-lloj marifetesh.

Ja maja e “ajsbergut” të krimit, me pasuritë në Hipotekën e Tiranës

– Janë zhdukur regjistrat e viteve 1996-2008 për 4 zona kadastrale.

-Janë korrigjuar në pronësi, emrat e 1132 pronarëve ligjorë, zëvendësuar me emra të tjerë.

– Janë grisur 434 fletë regjistrimi pasurie troje, pyje e kullota në 14 regjistra pasurie.

– Janë bërë 3945 mbivendosje trojesh me nga 2-3 pronarë vetëm në vitet 2007-2014.

– Janë bërë 1356 mbivendosje me nga 2-3 pronarët e tokave bujqësore vitet 2009-2014.

– Janë bërë 547 mbivendosje titujsh pronësie banesash e vilash me nga 2-3 pronarë në vitet 2006-2014.

– Janë bërë 393 mbivendosje pasurie objektesh biznesi me 3-4 pronarë në vitet 2005-2014.

– Janë lënë pa asnjë përgjigje 21 mijë e 238 aplikime të ndryshme.

– Janë lënë pa përgjigje shpjeguese ligjore 12 mijë e 345 aplikime.

– Janë bllokuar prej 1-2 vitesh pa asnjë shkak ligjor  2765 aplikime regjistrimi.

– Janë mbajtur e po vazhdojnë të mbahen të bllokuara prej 4 vitesh 7890 aplikime legalizimesh me procedurë të rregullt.

– Janë çregjistruar 672 tituj pronësie, me humbje të drejte pronësie në vitet 2008-2014, pa asnjë shkak ligjor.

– Janë anuluar pa asnjë shkak ligjor 2985 aplikime për regjistrim pronësie me vendime të formës së prerë të gjykatës.

– Janë zvogëluar sipërfaqe për 1291 tituj pronësie, me falsifikim hartash e kufizimesh.

– Janë lënë 24 mijë e 234 ankesa pa përgjigje nga Drejtoria e Hipotekës Tiranë.

– Janë bërë 7252 denoncime në prokurori për 17 regjistrues dhe 32 zyrtarë të hipotekës për falsifikime, tjetërsime pronash dhe ryshfet.

– Janë bërë subjekt i gjyqeve mes palëve, 6722 falsifikime të kryera prej regjistruesve e zyrtarëve të lartë në hipotekën e Tiranës.

– Janë arkivuar përfundimisht në Arkivën e Hipotekës Tiranë, 17 mijë e 467 tituj pronësie të regjistruar me parregullsi ligjore e falsifikime dosjesh.

—————————-

 SHENIM I REDAKSISE

 Në numrat e ardhshëm do të vazhdojmë të publikojmë emrat dhe aktivitetin abuziv të personazheve zyrtarë, regjistrues, drejtues sektorësh drejtues të lartë, që e kanë kthyer Hipotekën e Tiranës në qendër krimi ligjor, institucional, dokumentar, arkivor, ekonomik, financiar e social. Denoncimet tuaja, për ato që ndodhin në zyrat e hipotekave, mirëpriten dhe do të publikohen pa asnjë censurë në gazetë…

Përparim HALILI