Drejtoria e Policisë mashtron mediat, doli hapur në mbrojtje të kryetarit të Bashkisë

607
Sigal

Gjykata: arrestimi i paligjshëm, Petrit Xhelollari lirohet në sallën e gjyqit

Mbrojtja:  Do të kërkojmë ndjekje penale për dëshmi të rreme ndaj Sotiraq Filos

KORÇË-  Rreth orës 15:00, të ditës së premte, Petrit Xhelollari, banues në qytetin e Korçës, i akuzuar nga kryebashkiaku i qytetit, Sotiraq Filo, për veprën penale të “Kanosjes për shkak të detyrës”, dhe i arrestuar një ditë më parë, u la i lirë në sallën e gjyqit, pasi gjyqtarja Luljeta Kole, që mori në shqyrtim akuzën e ngritur nga prokurori, Oleger Minaj e vlerësoi arrestimin e Xhelollarit të paligjshëm. Tashmë Xhelollari do të jetë i detyruar të paraqitet, në gjendje të lirë, një herë në muaj te oficeri i policisë gjyqësore, ku ky i fundit do të punojë për verifikimin e provave dhe ngritjes së akuzës. Megjithatë, sipas të gjitha gjasave, edhe përpilimi i akuzës duket se do të jetë i vështirë, pasi, sipas mbrojtjes të kryesuar nga Altin Goxhaj, nuk ekziston asnjë provë që të vërtetojë veprën penale të “Kanosjes për shkak të detyrës”. Gjithashtu, gjatë kësaj seance gjyqësore, i akuzuari për kanosje, shqiptaro-amerikani Petrit Xhelollari, bëri të ditur se do t’i kërkojë Ambasadës Amerikane të marrë në mbrojtje jetën e tij, pasi përballë terrorit të ushtruar në vijimësi nga ana e kryebashkiakut Sotiraq  Filo, ka filluar të ndihet tejet i rrezikuar dhe aspak i sigurt. Ndërkohë, mbrojtja e Petrit Xhelollarit, e kryesuar nga Altin Goxhaj, do të  ngrejë padi ndaj kryebashkiakut Filo për veprën penale të dëshmisë së rreme ndaj klientit të tyre, Petrit Xhelollari. Seanca u ndoq edhe nga një pjesë e kryefamiljarëve të lagjes “Gjon Buzuku”, të cilëve do t’u prishen shtëpitë nga ana e bashkisë. Megjithatë, falë kësaj seance gjyqësore, ata mundën të kuptojnë se drejtësia ende funksionon, kur panë të dilte i lirë nga salla e gjyqit komshiu i tyre, me të cilin kanë të njëjtin fat edhe 27 familje të tjera, të cilëve do t’u shemben banesat nga bashkia e Korçës.

Gjithçka e sajuar

Gjatë kësaj seance gjyqësore u dëgjuan provat dhe faktet e pretenduara nga ana e akuzës, të cilat e bënin fajtor shqiptaro-amerikanin Petrit Xhelollari. Po ndërkaq u renditën  argumente të shumta nga ana e mbrojtjes që flisnin për mungesë provash. Ballafaqimi ishte këmbëngulës nga të dy palët. Pas kësaj, pati edhe më shumë qartësim, kur gjyqtarja Luljeta Kole e vlerësoi arrestimin e Xhelollarit të paligjshëm. I akuzuari u la i lirë. Nga të gjitha këto, gjithkush që ishte i pranishëm, mundi të kuptonte se çfarë kishte ndodhur realisht. Shumëkush pati mendimin se akuza ose ishte e sajuar, ose ishte e nxituar, por e ligjshme gjithsesi nuk ishte. Për më tepër, gazetarët, të cilët kishin mundur të ndiqnin për ditë me radhë konfliktin mes 28 familjeve dhe Bashkisë së Korçës, e kishin më të lehtë të krijonin një ide më të qartë mbi ngjarjen. Gjithçka u ndriçua edhe më tepër po të kemi parasysh faktin se si, në çfarë mënyre u ofrua informacioni edhe nga ana e Drejtorisë së  Policisë së qarkut Korçë për mediat, ku e vërteta është se linte shumë për të dëshiruar.  Por, duke dashur që edhe lexuesi ynë i nderuar të krijojë një ide të vetën dhe të jetë i kthjellët në mendimin e tij, ne do të sjellim hap pas hapi gjithçka; si nisi dhe si po ecën kjo ngjarje, që zuri fill ditën e enjte dhe sa ligjore ka qenë ajo

Arrestimi

Mëngjesin e së enjtes policia e Korçës arrestoi shqiptaro-amerikanin Petrit Xhelollari, ndërsa informacioni që u servir për mediat nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë ishte tepër i rezervuar, aq sa nuk mund të kuptohej asgjë se çfarë kishte ndodhur realisht. Më konkretisht, në njoftimin zyrtar të saj, thuhej: “Më datë 10.12.2014, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i  shtetasit Petrit Xhelollari, vjeç 59, banues në lagjen nr 5. Pasi ka bërë kallëzim shtetasi S. F, banues në lagjen 2, (me detyrë Kryetar Bashkie Korçë), i cili deklaron se për shkak të detyrës është kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme nga shtetasi i mësipërm. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, neni 238 i Kodit Penal”. Pra, nga sa shihet nuk ka asnjë të dhënë elementare, nëse kërcënimi nga ana e Xhelollarit ishte bërë në zyrën e Kryetarit të Bashkisë, në ambientet e brendshme të këtij institucioni, në rrugë, në banesën e zotit Filo apo diku tjetër. Përveç kësaj, informacioni në fjalë nuk sqaronte nëse për konfliktin mes palëve (Xhelollari-Filo) ishte bërë shkak prishja e 28 banesave në rrugën “Gjon Buzuku”, apo ndonjë arsye tjetër e panjohur më parë. Gjithçka ishte e turbullt, mjaft konfuze dhe aspak e qartë. Gjithkush e ndjente dhe aq më shumë gazetarët se këtij informacioni diçka i mungonte dhe kjo diçka, për njerëzit e mediave ishte e nevojshme dhe e pazëvendësueshme për hartimin e lajmit.

Në mbrojtje të Kryetarit të Bashkisë

Mungesa e informacionit ndihej. Që në çastin e parë, sapo përfundoje leximin e informacionit policor, vetiu të lindte dyshimi, se nëpërmjet mënyrës si ishte përpiluar komunikata për shtyp, Drejtoria e Policisë kishte dalë në mbrojtje të kryetarit të Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo. Mjegulla e informacionit shkonte në ndihmë të Filos dhe në dëm të të akuzuarit, ku për këtë të fundit vihej në dukje fakti se kishte kanosur kryebashkiakun për shkak të detyrës. Askush nuk ishte në gjendje të jepte ndonjë shpjegim më shumë përveç faktit se mbrëmjen e se mërkurës, kur kishte filluar të binte errësira pranë shtëpisë së Petrit Xhelollarit ishin parë disa njerëz me uniformë policie dhe disa civilë të cilët komunikonin vazhdimisht me radio, ku raportonin se ai që kërkonin nuk ndodhej në banesë. Këtë fakt e thoshin të gjithë banorët e lagjes “Gjon Buzuku”. Mungesa e informacionit, ose më saktë e disa detajeve, që mund ta bënin të besueshëm lajmin, bëri që të gjithë gazetarët të kërkonin rrugë të tjera për të plotësuar atë që nuk thuhej në komunikatën për shtyp. Madje në rrugë të tjera ata mësuan faktet e reja, të cilat ne do t’i rendisim më poshtë. Përsa i përket gazetës “Telegraf”, ne zgjodhëm si rrugë të mundshme komunikimin institucional me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë dhe konkretisht me zyrën e marrëdhënieve me publikun dhe mediat, duke u paraqitur vetë atje.

Konflikti në zyrën e kryebashkiakut? Sigurisht, dilema e parë për ne që kërkonte shpjegim, kishte të bënte me pyetjen, nëse konflikti mes Xhelollarit dhe Filos kishte ndodhur në zyrën e kryebashkiakut, apo diku tjetër. Përgjigjja që morëm nga zyra e informacionit ishte: “Konflikti ka ndodhur në zyrën e kryebashkiakut”.  Sigurisht, nuk kishim asnjë arsye që të dyshonim në një përgjigje që po e merrnim nga zyra e shtetit. Të gjendur në këtë manipulim edhe ne nuk bëmë gjë tjetër veçse përcollëm gënjeshtrën e madhe të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Korçë, se konflikti kishte ndodhur në zyrë. Pra, Petrit Xhelollari i kishte shkuar në zyrë dhe e kishte kërcënuar atje. Por, e vërteta nuk kishte qenë kështu: procesverbali i mbajtur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, ku përshkruhej kallëzimi i Kryetarit të Bashkisë Korçë, nuk pohonte askund që konflikti të kishte ndodhur në zyrën e tij. Kjo gjë na la jo vetëm të habitur, por edhe të shokuar. Shteti po gënjente mediat dhe njerëzit. E vërteta kishte qenë kështu, Petrit Xhellolari gjatë ditës së mërkurë nuk kishte pasur asnjë lloj kontakti me Filon. Vini re: në procesverbalin e oficerit të Policisë Gjyqësore thuhet se më dt 10.12.2014 shtetasi Petrit Xhelollari, kishte kontaktuar me vjehrrin e Filos, shtetasin Aleksandër Qirjazi, ku këtij të fundit i kishte kërkuar që të ndikonte tek kryetari i bashkisë për të ndryshuar projektin në lagjen ku ai banon, projekt i cili për shkak të ndërtimit të një rruge në lagjen nr 5 do të prishet edhe banesa e tij. Pra, nuk bëhet fjalë as për konflikt në zyrë dhe as për kontaktim me vetë kryebashkiakun.

Në seancën gjyqësore

Por çfarë rezultoi gjatë seancës gjyqësore të ditës së premte. Petrit Xhelollari kishte shkuar te farmacia e vjehrrit të kryebashkiakut, Sotiraq Filo, por vetëm për të marrë disa barna, dhe konflikti mes tij dhe vjehrrit të Sotiraq Filos, kishte nisur vetëm atëherë kur Petrit Xhelollari i kishte kërkuar faturën e pagesës, që ai nuk ia kishte dhënë. Pra, përtej kësaj që përshkruam më sipër, nuk ekzistonte asgjë tjetër që të vërtetonte se konflikti kishte qenë për shkak të prishjes së shtëpisë. Vjehrri i kryebashkiakut pretendonte gjithashtu, sikur Xhelollari i kishte thënë, “nëse më prishet shtëpia, atëherë Sotiraq Filo, do të jetë në gjak me mua”, (Petrit Xhelollarin). Mirëpo këtë akuzë, nga sa u kuptua, nuk kishte qenë në gjendje ta vërtetonte as Prokuroria. Pra, ende nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një dëshmi të rreme nga ana e zotit Filo ose jo. Në ditët në vijim, ashtu siç u premtua, mbrojta e Petrit Xhelollarit do të ngrejë padi për dëshmi të rreme edhe ndaj Kryetarit të bashkisë Korçë, Sotiraq Filo. Çfarë do të ndodhë? Mbetet të shihet në vijim të kësaj çështjeje.

Koha e ngjarjes

Një pyetje tjetër që deshëm të sqaronim në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Korçë ishte: kur kishte ndodhur ngjarja? Përgjigja që morëm nga zyra e informacionit ishte: “Nga dreka”. Për këtë pyetje nuk kishte një orar të përcaktuar saktë. Por në të vërtetë ngjarja nuk kishte ndodhur as në mëngjes dhe as në darkë, madje nuk kishte ndodhur as në drekë. Nuk e dimë saktësisht se kur, por mbi të gjitha, Drejtoria e Policisë e Qarkut Korçë pretendonte se Sotiraq Filo ishte kërcënuar në vazhdimësi nga Petrit Xhelollari, madje në procesverbalin e oficerit të Policisë Gjyqësore shkruhet kështu: “Në dt 10.12.2014, pranë Policisë Gjyqësore ka bërë kallëzim shtetasi Sotiraq Filo, aktualisht me detyrë Kryetar Bashkie Korçë, i cili kallëzon se në mënyrë të përsëritur është kanosur nga shtetasi Petrit Xhelollari, dhe konkretisht, para disa javësh e ka kontaktuar në sheshin para katedrales në qytetin e Korçës dhe e ka kanosur”. Por çfarë rezultoi në të vërtetë gjatë seancës gjyqësore të ditës së premte? Nga argumentet e servirura nga akuza dhe kundër argumentet e ofruara nga mbrojta, rezultoi se takimi Filo-Xhelollari te katedralja e qytetit, kishte qenë tepër miqësor, i njerëzishëm dhe mjaft komunikues. Nëse do të kishte e ndodhur e kundërta, atëherë si ka mundësi që konfliktin nuk e kishte parë askush dhe së dyti, nëse Petrit Xhelollari e kishte kërcënuar, atëherë si ka mundësi që Sotiraq Filo nuk e denoncoi. Edhe kjo hipotezë e ngritur nga Prokuroria u shkërmoq si një kështjellë rëre.

Arrestimi për të trembur protestuesit

Ndërkaq nga ana e mbrojtjes u vu theksi te argumenti se arrestimi i Xhelollarit ishte bërë me qëllimin e vetëm për të trembur 28 familjet që do t’u prishen shtëpitë, sepse drejtuesit e bashkisë e kuptuan fare mirë që do të përballeshin me protesta të fuqishme. Për këtë arsye, ata sajuan goditjen e Petrit Xhelollarit. Vetë gjykata e çmoi arrestimin e tij të paligjshëm. Gjithashtu edhe nga të pranishmit në sallën e gjyqit, pohuan se gjithçka kishte qenë një sajesë. Kjo gjë u përforcua edhe nga fakti që askush prej zyrtarëve të bashkisë nuk ishte i pranishëm në sallë. Duket se të gjithë e dinin se çfarë përfundimi do të kishte ajo që ishte gatuar në kuzhinën e tyre të sajesave dhe dëshmive të rreme, gjë që do të vërtetohet edhe nga padia që do të ngrihet nga ana e mbrojtjes për dëshmi të rreme. Gjithsesi, Petrit Xhelollari ende nuk është i qetë, ai do të kërkojë mbrojtjen e jetës së tij nga Ambasada Amerikane, me një kryebashkiak si Sotiraq Filo nuk mund të ndihesh i sigurt, tha Xhelollari

Vepror HASANI