Berat, punonjësit e administratës nuk kanë njohuri kompjuterike

PUNËT LËMSH NË BASHKI E KOMUNA/ Ushtarët e partive po shkatërrojnë të ardhmen e qytetit

Niveli i ulët i punonjësve të administratave shtetërore, po ndikon negativisht në zhvillimin e jetës dhe mirëqenien e popullit. Që të gjesh punë në administratë mjafton të jesh ‘ushtar partie’ dhe do të emërohesh, jo thjesht një punonjës, por drejtor dhe shef administrate. Burime tepër të besueshme pranë administratës në Berat bëjnë të ditur për gazetën “Telegraf” se, 60 për qind e punonjësve nuk përdorin dot kompjuterat që shërbejnë për mbarëvajtjen e punës. Një kusht ky, i domosdoshëm në moshën e internetit. Kështu të punësuarit nëpër bashkitë apo komunat e Qarkut Berat nuk kanë nivel arsimor për postin që ata drejtojnë. Ky fenomen ka ndikuar shumë në zhvillimin e ekonomisë apo edhe në sferat e tjera. Çuditë janë të mëdha; mekaniku bëhet jurist; agronomi bëhet urbanistë, mësuesi emërohet drejtorë dhe tregtari drejtorë ndërmarrjesh. Kjo është elita e drejtuesve të administratës shtetërore në Berat, e cila ka fatet e një populli fukara, të cilat po vuajnë pasojat e paaftësisë së punonjësve që janë militant partie. Në institucionet shtetërore të rajonit të Beratit, pjesa më e madhe e administratorëve vazhdojnë shkollën me Part – Time, sepse nuk e kanë një arsimim përkatës. Kjo ka bërë që në këtë rajon të mbizotërojë papunësia, varfëria dhe mungesat e një plan zhvillimi, i cili do të ndikonte në zbutjen e situatës. Pra, e thënë shkurt e shqip ‘ushtarët e partive’ po shkatërrojnë të ardhmen e një rajoni, i cili prej kohësh pret ndryshimin total, që po i mungon prej vitesh. Të gjithë qytetarët e pyetur nga “Telegraf” shprehen se kjo gjendje ka ardhur si pasojë e paaftësisë së punonjësve të administratës, të cilët nuk njohin as kompjuterat dhe jo më të bëjnë projekte për zhvillimin e këtij rajoni, që tashmë radhitët si rajoni më i varfër në shkallë vendi. Selman Gjinaj, ish-inxhinier ndërtimesh, tashmë 78 vjeç në pension shprehet për gazetën se paaftësia e administratave shtetërore e kanë katandisur këtë qytet apo rajonin në pikë të hallit. “Kjo është fatkeqësi e madhe për një qytet 2500- vjeçar, i cili për nga vlerat që mbartë prej qindra vjetësh nuk duhet të ishte në këtë gjendje. Edhe ata pak intelektualë që janë me potencial të madh, i hëngri politika”, -tha Gjinaj.

NOA