Begaj uron efektivët e FA-ve që shërbejnë në misionet e NATO-s, BE-së dhe OKB-së: Jeni kontributi më i madh i shqiptarëve në botë!

26
Sigal

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim online me efektivët e Forcave të Armatosura që shërbejnë në misionet dhe operacionet paqeruajtëse në botë krah NATO-s, OKB-së dhe Bashkimit Evropian. Në takim ishte i pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, Gjeneralmajor Arben Kingji.

Presidenti ndau me ushtarakët urimet më të mira për vitin e ri dhe i përgëzoi për kryerjen me përgjegjësi e devotshmëri të të gjitha angazhimeve të ndërmarra në ruajtje të sigurisë dhe paqes në botë.

Presidenti Begaj i vlerësoi ushtarakët për lartësimin e emrit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Falë punës suaj, – u shpreh Presidenti, vendi ynë konsiderohet si partner mjaft i rëndësishëm i organizatës së NATO-s dhe kërkesa për shtim të kontributit të Shqipërisë në Aleancë është shenjë e vlerësimit për profesionalizmin e Forcave të Armatosura. Presidenti u shprehu ushtarakëve mbështetjen e tij maksimale, duke i cilësuar “kontributin më të madh të shqiptarëve në botë”.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë bisedë me Presidentin e Republikës ishin dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura që shërbejnë në rajon, por edhe më gjerë, si: Letoni, Irak, Sinai, në Sudanin e Jugut dhe në detin Egje. Këta të fundit e zhvilluan bisedën online më Presidentin, ndërsa ishin në lundrim me mision patrullimin në ujërat e Egjeut.

Ata i përcollën Presidentit Begaj informatat lidhur me angazhimin në misionet ku shërbejnë, raportuan përmbushjen me sukses të detyrave të ngarkuara, si dhe shkëmbyen urimet për Vitin e Ri.