Batërdia e 117 kryeagallarëve të komunave me tokat e ligjit 7501 dhe me trojet publike. Ja emrat

865
Sigal

Përparim HALILI

 

Pronat e dhëna prej shtetit me
Ligjin 7501, më në fund është vendosur të kalojnë në “filtër”, për t’u verifikuar
jo vetëm për sipërfaqet e ndara që janë përcaktuar për numër familjarësh në
fshat dhe ne ish-ndërmarrjet bujqësore (fermat), por edhe si fakt veprimtari
praktike prej komisioneve vendore të ndarjes së tokave në ish-komuna e bashki,
prej kryetarëve të komunave, prej kryetarëve të bashkive, prej kryetarëve të
komisioneve të ndarjes së tokave dhe prej kryepleqve, të cilët kanë bërë listat
fillestare për numrin e anëtarëve të çdo familjeje. Pas 25 vitesh katrahurë të
bërë me tokat bujqësore në fshatra e qytete, shteti po kujtohet të vendos
rregull në një “xhungël” faktike që nuk “pastrohet” dot as për 1000 breza. Edhe
pse është demagogji dhe presion politik, që bëhet ndaj hajdutëve zyrtarë të
tokave dhe premtim po demagogjik ndaj “viktimave” ish-pronarë tokash që u janë
zhvatur pronat, ky është një proces ligjor që shoqërohet me një vendim qeverie
prej “rilindjes” e cila në vitin 1991, miratoi dhe zbatoi këtë ligj që bëri
bujqit pronarë, dhe pronarët i bëri… argatë në tokat e tyre! Nuk themi që
ndarja e tokave të mos verifikohet, se kjo mund të bëhet në çdo kohë, nëse në këtë
proces ka abuzime e krime, mbasi asnjë krim nuk bëhet objekt i parashkrimit me
10 vite afat, por mund të hapet në çdo moment që zbulohen e paraqiten prova.
Ndaj dhe tollovia e ndarjes së tokave pronë e pronarëve legjitimë dhe (mos)kthimi
i pronave tek të ata, prej 25 vitesh është plaga më e madhe sociale, damka më e
zezë ligjore, “moçali” më i qelbur administrativ, lufta më e madhe civile në
Shqipëri që ka vrarë mbi 8000 shqiptarë, që ka futur në hasmëri mbi 50 mijë
familje, që ka degdisur në arrati jashtë shtetit 31 mijë familje, që ka
“prodhuar” afro 21 mijë invalidë prej dhunës fizike për pronat dhe prej
gjakmarrjes me bazë konfliktet për pronat. Kjo pasojë kombëtare me këtë bilanc
tragjik njerëzor e social, nuk përbën shqetësim për shtetin, por duhet të përbëj
një pikënisje për shkakun real. Cili është shkaku?

 

Pazaret dhe abuzimet e krye-agallarëve të pushtetit lokal

 

Nuk ka asnjë vështirësi për të
“zbuluar” abuzimet e drejtuesve të pushtetit lokal në disa komuna e bashki ku është
aplikuar ligji 7501 i ndarjes së tokave bujqësore. Mjafton të shikosh
territorin e komunave dhe të disa bashkive në Tiranë, Vlorë, Pogradec, Korçë,
Elbasan, Lezhë, Durrës, Dibër, Kavajë, Kukës, Gjirokastër, Lushnjë dhe
konstaton batërdinë që është bërë me tokat bujqësore, madje edhe me trojet dhe
mjediset publike. Çfarë ka ndodhur me tokat dhe trojet publike në komunën Farkë
në Tiranë, ky kryetar ka qenë Fatbardh Plaku? Çfarë ka ndodhur në Komunën
Kashar në Tiranë, ku kryetar ka qenë Besnik Fuçia? Çfarë ka ndodhur në komunën
Dajt në Tiranë, ku kryetar ka qenë Kujtim Qefalia? Çfarë ka ndodhur e po ndodh
në Bashkinë Vorë e Kamzë në Tiranë? Çfarë ka ndodhur në Komunën Bërxullë, në
komunën Paskuqan, Shëngjergj, Vaqar, Krrabë e Ndroq në Tiranë? Çfarë ka ndodhur
në Bashkinë Fushë-Krujë e në Komunën Nikël? Çfarë ka ndodhur në komunat e
rrethit të Durrësit? Çfarë ka ndodhur në Tushemisht, Devoll, Përrenjas,
Librazhd, Himarë, Maliq, Çukë, Dukat, Nivicë, Dhërmi, Novoselë e Himarë, në
Borsh e Delvinë? Çfarë ka ndodhur në Ksamil e Qeparo? Çfarë ka ndodhur në Shëngjin
e Lezhë? Çfarë ka ndodhur në Bushat e Velipojë? Çfarë ka ndodhur me tokat e
ndara me ligjin 7501 dhe me trojet e tokat pronë publike në 117 komuna e
bashki, që kanë pasur dhe kanë resurse turistike? ka ndodhur një batërdi me përmbajtje
të plotë krim mbi territorin dhe mbi shqiptarët, të cilët prej 25 vitesh po
vriten për tokat, për gardhe, për vija uji, për pemë, për kanale, për rrugë, për
tapi të kohës së “Babaqemos”, të cilat janë lëshuar nga arkiva qendrore dhe ato
të qarqeve me falsifikime emra pronarësh edhe brenda familjes e fisit, me
korrigjime sipërfaqesh e kufijsh, duke shkaktuar luftën civile, duke hapur e
mbajtur në vazhdim prej 25 vitesh, afro 24 milionë procese gjyqësore civile dhe
afro 8 milionë padi e kundër padi penale për pronat në shkallë vendi! Po cilët
janë autorët e nisjes dhe vazhdimit të kësaj katrahure? Këta duhen verifikuar e
duhen ndëshkuar! Janë drejtuesit e dhe ish-drejtuesit e pushtetit lokal që nga
kryetarët e deri tek kryepleqtë.

 

Ja çfarë parashikon vendimi qeverisë, verifikimi i plotë
brenda vitit 2017

 

Pas vendimit për verifikimin e
titujve të pronësisë së tokave bujqësore, qeveria ka bërë disa ndryshime edhe
në përbërjen, mënyrat e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave
shtetërore, që do merren me këtë proces. Në “Fletore Zyrtare”, janë botuar
detajet e këtyre ndryshimeve. Aty përcaktohet edhe mënyra e detajuar e
procesit, se si do të kryhet verifikimi i titujve të pronësisë së tokave
bujqësore. Qëllimi kryesor i qeverisë është që të evidentohen ato prona që janë
zaptuar me pa të drejtë dhe kështu, të përcaktohen tokat që mund të jenë të
lira. Në këtë mënyrë krijohet mundësia për të rritur sa më shumë të jetë e
mundur fondin e tokave bujqësore të lira, që do të përdoreshin nga Agjencia e
Trajtimit të Pronës për kthim fizik ish-pronarëve. Këto toka të lira mund të
rezultonin nga procesi në fjalë, në rast se vërtetohej se personat që
rezultojnë pronarë në toka, të cilat para vitit 1991 i përkisnin ish-kooperativave
apo fermave bujqësore shtetërore, i kanë përfituar ato në shkelje të ligjeve në
fuqi. Komisioni vendor vlerëson aktet e marrjes së tokës në pronësi, të
plotësuara nga kryetarët e bashkive, për bazë ligjore të trembi të cilën janë
mbështetur dhe marrjen e vendimit për rikonfirmimin e tyre, në rastet kur
vërtetohet se familja bujqësore ose individi, në emër të të cilit lëshohet akti
i marrjes së tokës në pronësi, është subjekt i përfitimit të tokës bujqësore në
pronësi, sipas ligjeve të sipërpërmendur; verifikohet se sipërfaqja, për të
cilën është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi, është objekt i
trajtimit sipas ligjeve të sipërpërmendur dhe madhësia e saj është në përputhje
me përcaktimet ligjore, si dhe janë krijuar në përputhje me procedurat dhe
afatet e përcaktuara në ligjet e sipërpërmendur.

 

SHËNIM

 

Gazeta “telegraf”, në vijim do
të publikojë batërdinë e bërë me tokat bujqësore dhe me trojet e hapësirat
publike prej kryetarëve të pushtetit vendor, duke e nisur me publikimin e
vendimeve për ndarje tokash, për dhënie me qira 30-50 vjeçare dhe me lejet e ndërtimit
të pallateve në mënyrë antiligjore, me letra false për pronësi tokash e trojesh
dhe jashtë sigurisë, dhënë prej ish-kryetarëve të komunave kryesore që
rrethojnë Tiranën.

E drejta e komisionit të verifikimit

 

Komisioni vendor i verifikimit
të akteve të marrjes së tokës në pronësi dhe të procesit të ndarjes së saj
sipas ligjit 7501, apo të akteve të shitjeve të bëra prej pushtetit lokal, vlerëson
aktet e marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e komunave dhe
bashkive, për bazën  ligjore të tyre mbi
të cilën janë mbështetur. Mbi këtë bazë ligjshmërie, komisioni merr vendim për
rikonfirmimin ose jo të tyre, në këto raste:

 

a) vërtetohet se familja
bujqësore ose individi, në emër të të cilit lëshohet akti i marrjes së tokës
në pronësi, është subjekt i përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, sipas
ligjeve të sipërpërmendur;

b) verifikohet se sipërfaqja,
për të cilën është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi, është objekt i
trajtimit sipas ligjeve të sipërpërmendur dhe madhësia e saj është në përputhje
me përcaktimet ligjore;

c) janë krijuar në përputhje me
procedurat dhe afatet e përcaktuara në ligjet e sipërpërmendur.

Pronarët, të cilët padrejtësisht quhen “ish-pronarë” e kanë mirëpritur
reformën e bujshme të deklaruar me guxim nga kryeministri Edi Rama, për të
rikthyer të drejtën e pronës dhe pronën tek i zoti, duke rishikuar dosjet e
trajtimit të kthimit dhe kompensimit të pronave të sekuestruara 70 vite më parë
prej ish-regjimit komunist.

Ligji 7501 dhe “vendimet” e pushtetit lokal, “kazma” që
hapi “gropën e zezë” të krimit me pronat

 

Në vitin 1991 miratuan Ligjin Nr. 7501 të ndarjes së tokës bujqësore për
familjet kooperativiste në fshat dhe për familjet fermere në qytet, nisi të
hapet e mahiset “plaga” e madhe e pronave në Shqipëri. Tokat iu dhanë falas me
sipërfaqe në bazë të anëtarëve të familjes, atyre që ishin punonjës fermash e
kooperativash, trojet u tjetërsuan me letra false në pasuri jo për të zotët e
tyre, por për “më të zotët” që i zaptuan me dosje të falsifikuara. Me këtë
ligj, shteti u mohoi dhe u grabiti pronën pronarëve legjitim, tamam si me
reformën komuniste të vitit 1945 dhe ka nxitur e hapur luftën civile mes
familjeve dhe fiseve të pronarëve legjitimë, poseduesve dhe hajdutëve të
pronave, me pasojë mbi 8000 viktima e mbi 280 mijë familje të futura në hasmëri
“pushke” në këto 22 vite. Ky aksion “pastrimi i moçalit” të katrahurës së
moskthimit dhe mos kompensimit të pronave, sipas kryeministrit Edi Rama, do të
nis me procesin për hapjen dhe verifikimin e dosjeve për pronat, të Komisionit
të Kthimit të Pronave në qendër e në qarqe, të komisioneve të pronave në bashki
e komuna, duke verifikuar çdo proces në lidhje me pronat.