Bashkitë rrjepin me taksa qytetarët, dështimi i reformës, mungesë të ujit të pijshëm dhe amortizimi i kanalizimeve

188
Sigal

Dështon reforma  në sektorin e ujit,  shqiptarët kanë mungesë të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve

Aurora Sulce

Reforma në sektorin e ujit të pijshëm, e riaktivizuar me bujë vitin e kaluar nga qeveria, nuk ka dhënë thuajse asnjë rezultat. Enti Rregullator i Ujit ka publikuar raportin vjetor 2021, në të cilin konstatohet një përmirësim i lehtë, që në disa zëra mbetet i papërfillshëm. Kështu, 64.7% e totalit të ujit që hidhet në rrjet është pa të ardhura. Kjo do të thotë se ai humbet ose vidhet. Kundrejt vitit 2020, ky tregues ka një përmirësim thuajse të pandjeshëm me vetëm 0.7%.

“Uji Pa të Ardhura” (UPA), mbetet akoma në nivele mjaft të larta, por që për vitin 2021 është përmirësuar me rreth 0.7% krahasuar me një vit më parë. Përmirësimi i këtij treguesi ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së nivelit të faturimit me 4.9 milion m3 përkundrejt atij të prodhuar, i cili është rritur me 2.6 milion m3 gjatë vitit 2021. Ndikimi kryesor ka ardhur nga shoqëria UK Tiranë e cila ka një rritje të volumit të faturuar me 2.7 milion m3, e cila është më e madhe se sasia totale e rritur e ujit të prodhuar nga i gjithë sektori për vitin 2021. Pjesa më e madhe e sasisë së ujit të faturuar me rreth 2 milion m3 për UK Tiranë ka ardhur nga rritja e volumit të faturuar për bizneset private, si edhe nga sasia e ujit të shitur me shumicë. Në nivele më të ulëta faturimi paraqiten UK Durrës me 485 mijë m3 , UK Selenicë me 319 mijë m3 , Dropull me 290 mijë m3 , UK Sarandë 260 mijë m3 etj”, theksohet në raport.

Një tjetër tregues që dëshmon një situatë aspak optimiste është furnizimi me ujë të pijshëm i qytetarëve. Të dhënat e raportit tregojnë se në vitin 2021, vetëm 77% e territorit mbulohej me ujë nga 76.1% që ishte një vit më parë. Edhe këtu, performanca nuk është mbresëlënëse.

Shqetësuese situata mbetet edhe për mbulimin me kanalizime, ku rezulton i mbuluar vetëm 51.9% i territorit nga 51.5% në vitin 2020. Treguesi që ka pësuar përkeqësim është mbulimi i kostove, ndërkohë që kohëzgjatja e furnizimit me ujë mbetet në të njëjtin nivel me ato të vitit 2020, me mesatarisht 13.8 orë në ditë. Kjo e dhënë është mesatare, cka do të thotë që në disa qytete mund të ketë furnizim me kaq orë në ditë, në disa të tjera të jetë më shumë, dhe në shumë zona mund të mos ketë ujë fare ose të ketë më pak orë se treguesi i mesatarizuar zyrtar.

Thuajse në vend ka mbetur edhe treguesi i mbulimit të kostove të operimit të shoqërive të ujësjellës- kanalizimit. Në raport vlerësohet se mbulimi për vitin 2021 është 103%, pothuajse i njëjtë me atë të vitit paraardhës që ishte 103.2%.

Ndërsa si numër shoqërish, ky tregues ka pak përmirësim sepse nga 57 shoqëri, vetëm 12 prej tyre arrijnë të mbulojnë mbi 100% kostot e operimit, nga 10 shoqëri që ishin në vitin 2020, dhe vetëm 2 prej tyre (Tirana dhe Erseka) mbulojnë të gjithat Kostot. Kjo do te thotë që pjesa tjetër (55 shoqëri UK) dalin me humbje. “Në sektor janë 24 shoqëri, të cilat performojnë dobët nën nivelin 70% të këtij treguesi, që me vështirësi mbulojnë pagat e personelit. Pjesa tjetër prej 21 shoqërive që mbeten, janë në nivelet 73.5% deri 100% të këtij treguesi. Që në mandatin e parë, qeveria Rama ka paralajmëruar një reformë të thellë në sektorin e ujit të pijshëm. Kjo për shkak të situatës problematike në shumë shoqëri të ujësjellës-kanalizimeve. Reforma u deklarua fillimisht në 2016 dhe u riaktivizua në 2018, dhe se fundmi edhe vitin e kaluar. Por deri më tani, ajo nuk ka prodhuar ndonjë rezultat të ndjeshëm, dhe shifrat ilustrojnë se shqiptarët kanë mungesë të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve, një pjesë e konsumatorëve nuk  paguan, ndërsa ndërmarrjet keqmenaxhohen, cka përkthehet më pas, në mungesë investimesh dhe mungesë të një shërbimi të mirë.