Bashkia ndalon, dhunon dhe gjobit ata që mbledhin kanaçe: Kjo është zgjidhja jonë e vetme…

559
Sigal

Kohët e fundit kemi vënë re herë pas here që policia
bashkiake konfliktohet jo vetëm me shitësit ambulantë dhe u sekuestron atyre
mallin, por edhe me anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian, të cilët ushqehen
duke grumbulluar mbetje të riciklueshme në koshat e Tiranës, përfshirë ato
plastike apo edhe prej alumini.

Me nismat e reja që ka marrë bashkia, siç thotë një
prej anëtarëve të këtij komuniteti, qytetarët nuk lejohen më të ndërhyjnë në
këta kosha pasi rrezikojnë të marrin gjoba por edhe të dhunohen brutalisht, siç
ka ndodhur në një prej rasteve.

Për t’iu kundërpërgjigjur dhe njëkohësisht për të
kundërshtuar këtë vendim të bashkisë, ditën e hënë anëtarët e këtij komuniteti
kanë menduar të organizojnë një protestë paqësore përpara këtij institucioni.

“Banorët e komunitetit rom dhe egjiptian në Tiranë
do të zhvillojnë protestë përpara Bashkisë së Tiranës ditën e Hënë në orën 10,
pasi Bashkia ka mbyllur kazanët dhe banorët nuk kanë mundësi tjetër punësimi që
të vazhdojnë jetesën e tyre. Bashkia nuk ka ofruar asnjë alternativë punësimi
për këtë shtresë, duke qenë se janë mbi 3000 kolektorë vetëm në Tiranë. Në rast
se i kapin duke mbledhur kanaçe apo bidonë plastikë, ka edhe gjoba prej 5 mijë
lekësh të reja”, – shkruan qytetari.

Se ku po shkon ky popull, se çfarë po bën bashkia e
Tiranës, ne nuk e dimë, por gjykojmë se kërkesa e këtij komuniteti është mjaft
e drejtë dhe se ndoshta duhet të jenë të shumtë ata që duhet t’i mbështesin
ditën e hënë në këtë protestë të tyre.