Bashkia e Tiranës nis ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në zonën Allias-Bregu i Lumit

561
Sigal

Veliaj:
“UKT do të përballojë me shpenzimet e saj zëvendësimin e të gjithë matësve të
ujit që u dëmtuan nga ngricat

Falë investimit
të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, banorët e zonës
së Allias-Bregu i Lumit do të kenë mundësi që të furnizohen normalisht me ujë
të pijshëm, pasi zona në fjalë nuk ka pasur mbulim apo linjë furnizimi. Për të
inspektuar punimet, të cilat priten që të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e
shërbimit ndaj qytetarëve, ishte i pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës,
Erion Veliaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve
Tiranë, Redi Molla. Kryetari Veliaj siguroi se Bashkia e Tiranës do të vijojë
me investimet për përmirësimin e infrastrukturës, si në qendër të qytetit,
ashtu edhe në periferi.

 

“Po bëjmë një
investim në zonën e Bregut të Lumit për t’u siguruar që nuk investojmë vetëm në
sheshin “Skënderbej” apo në qendrat e fshatrave e blloqeve të Tiranës, por në
çdo cep të kryeqytetit”, theksoi Veliaj. Nisur nga temperaturat e ulëta që po
kalon kryeqyteti këto ditë, ai falenderoi punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve
për menaxhimin e situatës, ndërsa garantoi qytetarët që të gjithë matësit e
ujit të dëmtuar nga ngricat do të zëvendësohen nga vetë UKT, pa asnjë kosto për
qytetarët.

 

“I falenderoj me
gjithë zemër kolegët e Ujësjellësit sepse kjo ka qenë një situatë e
jashtëzakonshme për Tiranën, për shkak të ngricave. Tirana nuk ka pasur kohë të
tillë të ftohtë që nga viti 1985, çka do të thotë se ngrirja e tubacioneve dhe
shpërthimet që kemi pasur në sahate është një situatë e paprecedentë. Kam lënë
porosi si aksioner kryesor i UKT, që ndërmarrja të përballojë me shpenzimet e
saj zëvendësimin e të gjithë sahatëve në qytetin e Tiranës, që asnjë prej
banorëve të mos impaktohet në xhepin e vet dhe financat e familjes për kushte
të natyrës. Kjo do të jetë diçka që do të kompensohet nga xhirot dhe të
ardhurat e ndërmarrjes, çdo qytetar duhet të jetë i qetë për këtë çështje”, tha
Veliaj. Kryetari i Bashkisë u shpreh se me përmirësimin e situatës klimaterike,
do të fillojë dhe zgjidhja e problemeve të trashëguara në Tiranë në 25 vitet e
fundit.

 

“Me sistemin e
ri të administratorëve do të shfrytëzojmë stinën e ngrohtë të pranverës, verës dhe
vjeshtës, për të veshur tubacionet brenda pallatit, sistemimin e kabinave ku
janë sahatët, për të mësuar ndoshta edhe nga qytete të tjera, të cilat kanë
eksperiencë me motin e ftohtë dhe sigurohen që edhe investimet i bëjnë në këtë
formë. Sigurisht që, të gjithë pallatet e reja i kanë këto kritere dhe do i
kenë këto kritere në Bashkinë e Tiranës, por për ato që tashmë janë ndërtuar,
do të përdorim rrjetin e administratorëve për këto investime të vogla që na
shpëtojnë nga situata të tilla”, theksoi ai. Veliaj përsëriti edhe një herë
thirrjen se nisur nga situata e të ftohtit që ka përfshirë vendin, qytetarët të
bëjnë kujdes deri në kalimin përfundimtar të kësaj emergjence.

 

“Dua po ashtu
t’u kërkoj gjithë qytetarëve që të tregohetn vigjilentë edhe për dy ditët e
mbetura. Edhe pse temperaturat kanë ardhur në rritje, duhet ende të tregojmë
kujdes, sidomos për ata që janë të moshuar dhe fëmijë. Qendrat tona sociale
janë 7, kanë bërë një punë të mrekullueshme”, tha ai.

 

Drejtori i
Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla u shpreh se në të
gjithë kryeqytetin janë në gatishmëri 20 grupe pune për të zgjidhur çdo
problematikë.

 

“Ky është një
investim që po bëhet me vetë forcat e ujësjellësit, është një investim i ri në
një zonë ku rrjeti i ujësjellësit nuk ka ekzistuar fare. Po furnizohet qëndra
multifunksionale, çerdhja, kopshti dhe qendra shëndetësore, gjithashtu edhe
disa banorë të zonës që deri tani nuk kanë pasur fare rrjet ujësjellësi.
Ndërkohë, jemi duke punuar në të gjithë Tiranën me 20 grupe për gatishmërinë,
për gjithë defektet që po ndodhin nga i ftohti”, deklaroi Molla.

 

Në zonën e
Allias- Bregu i Lumit, Bashkia e Tiranës po ndërmerr një sërë investimesh për
ngritjen e infrastrukturave sociale për banorët. Kështu, do të ngrihet një
shkollë, një qendër sociale dhe një Qendër Shëndetësore. Për urbanizimin e
kësaj zone, por edhe funksionimin e objekteve publike, Ujësjellës-Kanalizime
Tiranë do të ndërtojë një rrjet ujësjellësi, me një gjatësi prej 200 metrash
linearë.