Nesim Spahiu: Pse qytetari i parë i Skraparit konsiderohet si dhuratë nga Abaz Aliu për bashkëpatriotët e tij

888
Sigal

Intervistë me Kryetarin e Bashkisë Çorovodë, Nesim Spahiu                 

            

 NJË DHURATË PËR POPULLIN E SKRAPARIT

                                          

 

-Ai është njeriu i punës dhe i ka minutat të shtrenjta.

-Pushteti i kaluar nuk e ktheu kokën kurrë të shikonte që ekzistonte  edhe një Skrapar këtu në Kanionet e bukura të Osumit me probleme të rënda.

-Edhe një herë që erdhi për të kërkuar vota ish-kryeministri, i këshilloi skraparasit që të mbillnin qershi, kur ata i kishin blloqet me gjithfarë pemësh dhe regjimi i tij ua shkatërroi.

 

 Në Skrapar vetëm lumi mbeti pa prishur. Këtë situatë të frikshme nuk mund ta përballonte asnjë njeri veç Nesim Spahiut. Nuk dua të bëj propogandë, por nëse në votimet e tjera nuk ia japin votën të gjithë skraparasit, do të thotë, se ata rrinë mënjanë për të prishur ato që ka ndërtuar e po ndërton Nesimi me stafin e tij.

                                                  Gjithmonë në terren mes njerëzve

     -Na dole si befasisht e t’u hap nami si drejtues i mirë, kur drejtove Komunën e Qendrës, si ndodhi?

     -Nuk është krejt ashtu. Unë nuk e përdor modestinë si disa, që harrojnë dhe veten. Në Komunë unë u zgjodha pas një pervoje në detyra të tjera. Mos harroni që kam drejtuar Qendrën Ekonomike të Arsimit. Nuk ishte punë aq e lehtë sa mendon ndokush. Ne kompletuam të gjitha fshatrat me shkolla, kopshe, biblioteka, vatra kulture, muze. Të mos harrojmë se flasim për Skraparin  pa infarstrukturë. Mos shikoni tani, që nuk ka as shkolla e asgjë nga ato që përmenda unë. Pastaj mora detyrën e N/Kryetarit të Komisionit të Kthimit të Pronave në Bashkinë e Çorovodës. Kjo ishte puna më e vështirë, se kufijt ishin shkulur dhe ata që lakmonin, donin të përfitonin nga të tjerët. Kishte ndryshuar sistemi dhe nuk merrej vesh çfarë bëhej. Problemet ishin të shumta e të mprehta. Unë bëra detyrën, por dhe mësova prej saj. 

                                                       

                                                             Nesim Spahiu

 Ju më përmendët detyrën e Kryetarit të Komunës Qendër. Unë nuk  kërkova, por Partia Socialiste i njihte aftësitë e mia dhe më propozoi. Këtë s’mund ta kundërshtoja, se kjo nuk ishte thjesht detyrë, por edhe vlerësim. Skrapari është i vogël dhe e njohim njëri-tjetrin. Dhe ky respekt u kthye në votë masive nga votuesit. Po vota të imponon, që ta kthesh në shërbim të tyre. Dhe unë nuk i zhgënjeva. Për këtë kam lënë veprat infarstrukturore që të përgjigjen. E kam në natyrën time, unë nuk flas për punën, ato të flasin për të. Pastaj, kur unë isha popullarizuar si drejtues i suksesshëm, me krijimin e LSI-së më propozuan detyrën e Kryetarit të Bashkisë Çorovodë. LSI ishte forcë e re, po skraparasit dinë të zgjedhin. Ata për parti kanë njeriun e punës dhe më votuan masivisht. Ju e dini si ishte Çorovoda në ato vite. Vetëm qytet nuk mund ta quaje. Vetëm banesat i kishin mbetur. Unë nuk e pranova këtë detyrë për t’u kapardisur. Qytetarët më besuan, pa më votuan. Fillimisht zgjodha një staf, që kishin merak, punën. U thashë që në fillim, se i kisha thirrur për punë, kush nuk i përgjigjet dot, të mos na pengojë, po të iki vetë. Pati dhe ndonjë, që mendonte se, meqë votoi për mua, gjysmën e ditës ta kalonte në shtëpi. Ky ishte një koncept që duhej thyer, se po të vepronin kështu të gjithë ata që kishin votuar për mua, më mbetej të punoja vetëm unë.Tani  ndihem i çliruar nga ai ankth që më kishtë krijuar rindërtimi i qytetit. Më vjen mirë, që kur vijnë e shikojnë Çorovodën me ndryshime të bukura dhe na dërgojnë përshëndetje, them se po e kthej në vepra për qytetarët votën e tyre. Çorovoda nuk kishte parë turistë të huaj kurrë, tani me këto ndryshime, vijnë deri nga Kina e largët. Jam i ndërgjegjshëm, se jemi ende në fillim të punëve. Çorovoda do punë që të kthehet në qytet normal. Edhe këto që kemi bërë, na është dashur t’u lutemi bisnesmenëve për materiale, se buxheti i Bashkisë aq  është. Meqë m’u dha rasti, dua t’i falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur. Nga kjo mbështetje qyteti ka pësuar transformime rrënjësore.Tani kemi qytetin më të pastër në vend. Kjo ka sjellë dhe edukimin e njerëzve, që jo vetëm të  mos e ndotin, por edhe t’i ruajnë vlerat e tij.

          -Kryeparlamentari dhe Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se ju jeni dhuratë nga Abaz Aliu, po ju si e quani?

          -Deklarata e Zotit Ilir Meta, është vlerësim për punën e bashkisë, e cila më nxit për ta shtuar vëmendjen dhe shërbimin ndaj qytetarëve të mi. Deklarata ka  kuptim alegorik brenda, se feja është e ndarë nga shteti. Abaz Aliu le të vazhdojë punën e tij atje ku është, unë timen në këtë pozicion që më ka caktuar populli. Aftësia e një drejtuesi nuk është dhuratë e askujt, por vullnet i çdo njeriu që të punojë pa pushim për këtë popull të mrekullueshëm.

         -Tani drejtoni thuajse të gjithë rrethin, si do t’u përgjigjeni kërkesave të mbartura të fshatit që ishte braktisur?

          -E di që fshati ka një mal me probleme, por në filozofinë time menaxheriale, unë nuk i ndaj banorët në qytetarë dhe fshatarë. Ne do t’i marrim problemet me radhë dhe do t’u japim prioritet atyre sipas rëndësisë që kanë. Ato nuk u krijuan në një ditë dhe zgjidhja nuk mund të bëhet me një ditë. Tani po merremi me infrastrukturën rrugore, pa lënë mënjanë të tjerat. Aktualish punohet në rrugën e Nishicës e pas saj të Grepckës, kemi ndërtuar një urë në Zabërzan dhe po kryejmë punime të tjera në  disa fshatra.Po mos harroni, tani sa jemi bërë bashki e madhe dhe ende s’i kemi mundësitë financiare.

           -Tek dera e zyrës tuaj ekziston një orar për pritjen e popullit, ditën e enjte, po u kemi parë të prisni çdo ditë.

            -Atij orari nuk i kam vënë rëndësi dhe ka mbetur formal, se njerëzit nuk kanë halle vetëm një ditë. Unë nuk mund të kundërshtoj pritjen, kur një hallexhi vjen nga Terrova apo Backa, pa përjashtuar fshatrat e tjera, të cilat bëhen me shpenzime dhe kanë karakter të ditës. Një pjesë të tyre unë i pres kur shkoj në fshat, sepse ka probleme të cilave u jap zgjidhje në çast, ashtu si ka edhe që kërkojnë kohë pasi ato lindin çdo ditë, sepse fshati është i zhveshur nga shumë shërbime, që ishte mësuar t’i kishte. Shumica e fshatrave janë zbrazur, ku kanë mbetur nga tre-katër shtëpi. Po ata kanë fëmijë, që  duhen shkolluar, kur shkollat në fshat janë të rralla. Duan shërbim shëndetësor, po mjek nuk ka. Problemet janë tepër të mprehta.

       -Çfarë investime të reja do të sjellë viti 2017 për votuesit, që me siguri do të shtohen, falë punës tuaj?

        -Ato do të jenë në vartësi të buxhetit, por do të sjellin impakt të madh. Qendra e qytetit, ku po vazhdon puna, do të përfundojë. Do të bëhet rikonstruksioni i rrjetit hidraulik të qytetit, një projekt shumë i rëndësishëm dhe i mirëpritur nga komuniteti. Po kështu në planin e punës sonë është sistemi i ujitjes në fshat, rikonstruksioni i disa rrugëve, si dhe pyllëzimi i disa zonave të shpyllëzuara. Ju e dini që në Skrapar ka hyrë TAP, që po kryen shumë investime, të cilat me buxhetin tonë modest nuk mund të realizoheshin as për dhjetë vjet. Rruga e Potomit dhe e Therepelit janë më përfundim dhe priten të nisin të tjera nga bashkëpunimi me fondacione të ndryshme.