Forumi i Dytë i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Japoni u zhvillua këtë të mërkurë në Tiranë, duke vënë në fokus mbështetjen dhe nxitjen e investimeve japoneze në Shqipëri. Në fjalën e hapjes, organizatori i forumit dhe njëherësh presidenti i Dhomës Shqiptaro-Japoneze, z. Avni Ponari, theksoi se interesi i sipërmarrësve japonezë për Shqipërinë është konkret dhe në rritje, duke konsideruar forumin si platforma ideale për kthimin e ideve të biznesit në aksione konkrete për të dy vendet.
Ambasadorja Kikuko Kato vlerësoi punën e Dhomës dhe konfirmoi mbështetjen e Japonisë për integrimin e Shqipërisë në BE, duke e konsideruar vendin një portë të rëndësishme për investimet japoneze.

Diskutimet u zhvilluan në tre sesione, duke përfshirë mundësitë konkrete të investimeve japoneze dhe histori suksesi të produkteve japoneze në tregun shqiptar. Forumin e përshëndetën nërpërmjet videomesazheve edhe presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së qytetit të Çibas dhe Konsulli i Nderit të Shqipërisë në Çiba, z. Hidetoshi Sakuma dhe z. Kjoko Spektor.
Në mbyllje, z. Ponari konfirmoi angazhimin e Dhomës për ndërtimin e një tradite të qëndrueshme dialogu dhe investimesh.




















