Bashkë do ia dalim! Yldon Media Grup i bashkohet nismës për masat parandaluese

387
Sigal

Në betejën me covid-19 çdo orë e ditë ka vlerë dhe të gjithë duhet të bëjnë të tyren.

Jeta jonë e përditshme po ndryshon, në çdo aspekt, në çdo komunitet e vend pune. Si asnjëherë më parë i gjithë globi i është nënshtruar masave të rrepta për të parandaluar përhapjen e corona virusit.

Pas udhëzimeve të fundit të autoriteteve në vend, Ylldon Media Group ka vendosur të zbatojë një plan masash për të mbrojtur personelin dhe për të vijuar misionin fisnik të informimit dhe shërbimit publik njëkohshëm.

Për këtë arsye, do të ndërpriten transmetimet e programeve live talk show dhe argëtuese në RTV Ora, ku ka përqendrim të ftuarish, stafesh teknikë e gazetaresk deri në një njoftim të dytë.  Kjo bëhet për të mbrojtur secilin nga ne, por edhe familjarë, të afërm e të njohur në kontakt me ne.

Informacioni do të vijojë me edicione të rregullta dhe breaking news në OraNews dhe RTV Ora, me gazetarë e teknikë në terren, duke respektuar rregullat strikte të hyra në fuqi për të realizuar mbulim të plotë të situatës. Që nga mjetet mbrojtëse e deri tek distancat e domosdoshme. Personeli i nevojshëm do të punojë në kushte të jashtëzakonshme, me minimumin e prezencës në ambjentet e mbyllura e të dezinfektuara për të qënë pranë çdo shqiptari tashmë të izoluar. Do të vijojmë me transparencë t’ju sjellim çdo informacion në kohë reale, nga terreni, me rifreskime udhëzimesh, këshillash e rregulloresh nga autoritetet përkatëse. Këtë nuk e konsiderojmë sakrificë, por mision.

Por jo vetëm, për t’ju bërë shoqëri përgjatë orëve e ditëve të vetizolimit në RTV Ora do të mund të ndiqni filma cilësorë, dokumentarë, show, prodhime televizive argëtuese. Një paketë e plotë kuruar me dashuri e kujdes për gjithë familjen.

Sepse ne jemi Ora juaj në ditë të mira e të vështira.

I gjithë grupi Yldon Media Group, pavarësisht prezencës fizike, ose jo në institucion është në angazhim dhe gadishmëri të plotë për të përmbushur misionin fisnik në ditët e një prove të fortë të njerëzimit, në betejë me një armik të përbashkët.

Për t’u informuar, argëtuar e mbajtur shoqëri zgjidhni Orën tuaj!

Urojmë që së bashku ta fitojmë edhe këtë sfidë me sa më pak pasoja. Do të rikthehemi edhe më fuqishëm për rimëkëmbjen e Shqipërisë me përkushtimin e fortë dhe besimin e patundur se në këtë vend ia vlen të ndërtosh jetën.

I apelojmë ndërgjegjes, solidaritetit dhe mirkuptimit tuaj për të dalë me sukses nga ky moment kritik. Mirënjohje për të gjithë luftëtarët e frontit të parë mjekë, infermierë, punonjës sanitarë, farmacistë, policë, ushtarë, bukëpjekës, punonjës njësish tregtare të hapura dhe gazetarë e teknikë mediash!

Mirënjohje për çdo shqiptar, që solidarizohet duke respektuar rregullat e duke dhënë ndihmën e domosdoshme!

Do t’ja dalim!

Nga Ylldon Media Group