“Masakra sociale”, që lejohet nga tatimet, sigurim me pagë minimale për 40% të punonjësve

560
Lufta kundër informaliteti, duket se nuk ka “prekur” një fenomen i cili ka peshën më të madhe të humbjes fiskale dhe të mohimit e cënimit të një të drejte sociale për një kategori shqiptarësh të punësuar në subjekte private. E kemi fjalën për sigurimet shoqërore që paguhen për të punësuarit, mbasi faktikisht ka edhe të punësuar në subjekte private të cilët nuk sigurohen, duke u shfrytëzuar në “punë të zezë”! Si institucion që trajton sigurimin e punonjësve për efekt pensioni pleqërie, apo të tjerë lloje pagesash sociale si invaliditet, jetimë, barrë lindje, aksidente etj, njihet Instituti i Sigurimeve Shoqërore Shtetërore, i cili në fakt është një “monopol” shtetëror i detyrueshëm për të punësuarit në shtet dhe tek subjektet private. Mirëpo me një ligj të posaçëm deh VKM të veçantë, detyrimi për sigurimet shoqërore e shëndetësore kontrollohet vetëm nga tatimet dhe kjo pagesë bëhet vetëm tek tatimet, kur subjekti licencohet.

 Mirëpo, tatimet lejojnë një abuzim të cilin e dinë, e kanë ndeshur gjatë kontrollove dhe nuk veprojnë. Nga shumë subjekte private, ky sigurim shoqëror për efekt pensioni nuk bëhet realisht për punonjësit sipas pagave që ata marrin, por referuar pagës minimale zyrtare, pra një sigurim minimal, sa për të qenë në rregull me detyrimin ligjor, kur në fakt duhet të paguajnë shumë tepër kontribut për punonjësit. Ata punojnë me dy bordero dhe borderonë e cila hartohet me pagën minimale të punonjësve, paraqitet në tatime dhe pranohet prej tyre! Shifra e informalitetit që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë bizneset private me punësimin, rezulton një humbje gjigante dhe gropë e zezë abuzimi. Janë 4100 biznese “VIP”, që duke përdorur ligjin për pagën minimale, abuzojnë, duke siguruar punonjësit me vlerën e sigurimit shoqërore e shëndetësor sipas vlerës së pagës minimale mujore, pranuar në heshtje, pse jo edhe nën efektin e ryshfetit prej zyrtarëve të tatimeve. Ky evazion financiar, është bërë praktikë tashmë në bizneset private, që punonjësit sigurohen me bazë pagën minimale zyrtare, miratuar e nisur ligjërisht qysh prej 1 janarit 2015. Sipas ligjit dhe VKM Nr. 77, datë 28.01.2015, punonjësi duhet të sigurohet afro 5500 lekë në muaj për shëndetin dhe pensionin. Punonjësi me 30 mijë lekë pagë duhet të sigurohet afro 7500 lekë të reja në muaj. Punonjësi me pagë 70 mijë lekë në muaj, duhet të sigurohet me 17 mijë e 500, plus duhet të tatohet për pagën mujore. Po kështu edhe ata me pagë mujore 80, 90 e 100 mijë lekë. Por subjektet edhe pse i paguajnë 3-4 herë më tepër se paga minimale, i sigurojnë me bazë pagën minimale Kjo skemë mashtrimi e vjedhjeje të detyrimeve që kanë ndaj shtetit, bëhet me borderotë fiktive të pagave që deklarohen në tatim-taksa e prej andej në sigurimet shoqërore. Flitet për një mashtrim me përmasa më të mëdha në këtë drejtim, mbasi kemi të bëjmë edhe për afro 1.2 milionë punonjës të tjerë, që shfrytëzohen dhe nuk deklarohen si të punësuar, duke krijuar një humbje të madhe, ose evazion fiskal në miliona euro në muaj, prej këtij krimi ekonomik-financiar, ose “informaliteti”, siç e quan shteti, por që nuk e kontrollon e nuk lufton në çdo drejtim e në çdo abuzim që bëhet me të. . 
Ja VKM Nr. 77, datë 28.01.2015 me të cilën maskohet krimi i sigurimeve me pagë minimale
– Shuma minimale mujore e kontributeve i referohet pagës minimale dhe normës së kontributit. Kontributi minimal mujor, sipas degëve dhe skemave të sigurimit është 6138 (gjashtë mijë e njëqind e tridhjetë e tetë) lekë dhe ndahet, si më poshtë:
– Kontributi i detyrueshëm për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më shume se 87 orë në muaj është 24.5% të pagës bruto për sigurimet shoqërore (sipas listë pagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 15%, ndërsa pjesa e të punësuarit 9.5%, por jo më pak se paga minimale
– Pagesa për sigurimin e kujdesit shëndetësor është 3.4% të pagës bruto mujore, sipas listë pagesës, ku pjesa e punëdhënësit është 1.7%, ndërsa pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se paga minimale.
– Kontributi i detyrueshëm për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, të jetë në masën 23.3% të pagës bruto mujore për sigurimet shoqërore sipas listë pagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 13.9%, ndërsa pjesa e të punësuarit 9.4%, por jo më pak se paga minimale.
– Pagesa për sigurimin e kujdesit shëndetësor është 3.4% të pagës bruto mujore, sipas listë pagesës, ku pjesa e punëdhënësit është 1.7%, ndërsa pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se paga minimale.(Futur në fuqi në 1 janar 2015, publikuar në “Fletore Zyrtare Nr. 9, datë 3 shkurt 2015)
Sigal