Bardhyl Berberi/ Shkencëtarët: Liqeni i Ohrit, më i vjetri në Europë – 4 milionë vjeçar

760
“Liqeni i Ohrit është liqeni më i vjetër në Europë”. Këtë e kanë pohuar edhe ekspertët italianë, më saktësisht ekipi nën drejtimin e prof. Giovani Zancheta, nga Universiteti i Pizës. “Rezultatet e para thonë, se për herë të parë kemi të dhëna të përafërta për vjetërsinë e Liqenit të Ohrit dhe se kemi të bëjmë me liqenin më të vjetër në Evropë. Rezultatet e para na lejojnë që të jemi shumë të sigurt në këtë pohim se Liqeni i Ohrit është më i vjetër se një milion vjet dhe ky është zbulim me shumë rëndësi për aspektin biologjik dhe gjeologjik” është shprehur për gazetën “Telegraf”prof. Zancheta, nga Universiteti i Pizës. Por, gjatë kërkimeve, grupi i ekspertëve ka gjetur të dhëna tronditëse, të cilat, sipas tyre, mund të ndryshojnë rrjedhjen e njohurive mbi shpërthimet vullkanike dhe përhapjen e hirit të tyre. “Në Italinë e Jugut ka shumë vullkane aktiv; si Campi Flegrei, Vezuvi dhe Etna; dhe gjatë shpërthimeve ato mund të emetojnë në atmosferë sasi të mëdha hiri vullkanik dhe gazi. Shpërndarja e tyre nëpërmjet qarkullimit të ajrit mund të shkojë shumë më larg se vendi i shpërthimit.

 Pra, të gjesh mbetje të vullkaneve të ardhura nga kaq larg, në sedimentet e Liqenit të Ohrit, për një periudhë më shumë se disa milion vjet, na tregon sa shpërthime vullkanike kanë qenë në gjendje të vijnë deri në Ballkan dhe veçanërisht në Liqenin e Ohrit. Kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme për të parë këtë proces dhe, me vijimin e kërkimeve u arrit të kuptojmë se cili është impakti në ambient, në rast se në të ardhmen, – shpresojmë që jo, – vjen materiali vullkanik nga Jugu i Italisë. Kjo do të thotë që materialet e shpërthimeve të vullkaneve italianë arrijnë rregullisht në Ballkan dhe veçanërisht në Liqenin e Ohrit”, tha Prof. Giovanni Zanchetta. Deri më tani janë arritur të gjenden mbetje vullkanike të 600 mijë vjetëve më parë, por gjithashtu edhe mbetje të një vullkani të regjistruar në histori në vitin 472. “Nga ajo që na lejojnë materialet vullkanike, jemi rreth 600 mijë vjet më parë. Këto janë më të vjetrat që kemi gjetur deri më tani, por ka dhe të tjera. Po ashtu, ju them me siguri se kemi të dokumentuar mbetje të një vullkani të vitit 472 pas Krishtit, pak përpara se të regjistrohej një tërmet i fuqishëm, historik, në basenin e Liqenit të Ohrit”, tha Prof. Giovanni Zanchetta. Ai, ka deklaruar se në Liqenin e Ohrit ndër të tjera ka edhe mbi 200 lloje endemike të botës bimore dhe shtazore (florës dhe faunës), që nuk gjenden në asnjë vend tjetër në botë. Para pak kohësh Universiteti në Keln të Gjermanisë, i mbështetur nga Enti Hidrobiologjik në Ohër, kanë realizuar dhe përfunduar projektin e madh shkencor të titulluar “SCOPSCO”, për përcaktimin e vjetërsisë-lashtësisë së Liqenit të Ohrit, ndryshimet klimatike dhe krijimit të botës së gjallë në të. Me këtë aktivitet, ky projekt vlerësohet si më i suksesshmi për shpuarjet e thella kontinentale në 20 vitet e fundit, në nivel-rang botëror. Në një platformë në thellësi prej 250 metra u vendosën katër spiranca të rënda nga 500 kg, të lidhura me kavo prej çeliku në gjatësi prej 150 metra.

 “Thellësia më e madhe është arritur në pikën qendrore dhe ajo arrin në 668 metra në fund të liqenit. Në këtë thellësi është ndërprerë shpimi i mëtejshëm për shkak të paraqitjes së rërës dhe gurëve të mëdhenj, që bëjnë të kuptohet se bëhet fjalë për fazën fluvijale të gjenezës së Liqenit, ashtu edhe siç është pritur. Deri në këtë thellësi kemi arritur sipas një dinamike të paraparë paraprakisht për shpuarje që e dëshmoi supozimin e mëparshëm se Liqeni i Ohrit është i vjetër disa miliona vjet. Edhe pse shpuarjet janë bërë në katër pika, më të vlefshmet dhe më të çmuarat që janë mbledhë nga pika qendrore, ku edhe ishte ripozicionuar platforma në tre pozicione me ç’rast thellësia e shpuarjeve ka arritur në mbi 500 metra. Duke sqaruar lidhur me vlerësimet e suksesit të shpuarjeve në Liqenin e Ohrit, prof Giovanni Zanchetta pohoi se suksesi arrin shkallën e 90%. “Sipas hulumtimeve, kompleksiteti dhe cilësia e ekzemplarëve nga sedimentet e nxjerra do të mundësojnë rekonstruimin e ngjarjeve në evolucionin e Liqenit të Ohrit me saktësi që do të matet dhe përcaktohet me dekada. Nëse merren parasysh cilësia dhe gjatësia e sedimenteve dhe bëhet një krahasim ndërmjet asaj që e kishim paraparë me atë që është realizuar në afatin e paraparë, arrihet deri në përfundimin se suksesi është arritur pothuajse në masën 90% dhe shpuarjet në thellësi të Liqenit të Ohrit, ky operacion do të mbahet si operacioni më i suksesshëm për shpuarjet kontinentale në rang botëror gjatë 20 viteve të fundit.
“Gjatësia e përgjithshme e sedimenteve arrin në 2.100 metra. Ekzemplarët e sedimenteve janë transportuar dy herë, sasia e parë 900 metra, që është transportuar nga fundi i muajit prill (900 metra), ndërsa pjesa e mbetur prej 1.200 metrave është transportuar në Institutit të gjeologjisë dhe mineralogjisë në Keln të Gjermanisë. Pas sesionit shkencor ndërkombëtare në qytetin Piza të Italisë, u bë përcaktimi i dinamikës dhe metodave për përpunimin e ekzemplarëve. Po ashtu do të bisedohet edhe për mundësitë e përgatitjeve të propozim-projekteve, përmes të cilave do të mundësohet financimi i aktiviteteve të fazës së dytë të projektit, respektivisht përpunimin e komponentëve biologjike në ekzemplarët me sedimente.

Pasaporta e Liqenit të Ohrit 
Mosha – 4 milionë vjet 
Gjatësia – 30 km 
Gjerësia – 14,4 km 
Thellësia maksimale – 289 m 
Perimetri i liqenit -88km 
Sipërfaqja – 358 km2 
Tejdukshmëria e ujit – 18 m 
Uji i Liqenit ndërrohet njëherë në 60 vjet 
Ushqimi, – 70 % e ujit vjen nga Liqeni i Prespës, pjesa tjetër nga 40 lumenj dhe përrenj, që derdhen në liqen 
Temperatura mesatare në verë, -27 gradë celsius
Sigal