Bardhyl Berberi/ Rrëfehet deputetja e Kuvendit Popullor

563
Në një nga hotelet kryesore në mes të qytetit, në një bar-kafe punon një ishdeputete e parlamentit shqiptar të kohës së Enverit. Shumë të moshuar dhe qytetarë të tjerë shkojnë e pijnë kafen pikërisht tek lokali ku punon ish deputetja, Ferzie Lipo.
– Deputete, – i thonë klientët me respekt,- një kafe … e di vetëë ti, një me pak. Ferzie Lipo e buzëqeshur jua plotëson dëshirën…Është një grua që sapo ka kaluar 58 vitet e jetës. Ajo nuk ka ndrojte nga puna që bën, madje thotë se është tepër e lumtur që jeton me djersën e ballit dhe nuk e ka problem fare që ka qënë deputete në Kuvendin Popullor të atëhershëm. Ulemi të pijmë një kafe më Ferzien. Ajo thotë plot modesti se e ka filluar punën në kooperativë qysh në moshën 16 vjeç, sapo ka mbaruar klasën e tetë. Kishte një trup të gjatë dhe të zhvilluar, bëntë nga dy norma në kooperativën e Leshnicës, fshati ku ajo ka jetuar dikur, të cilën në moshën 18 vjeçare Partia e Punës e bëri komuniste. Karriera e saj do të pësonte rritje dhe vetëm pas një viti ajo bëhet brigadiere në brigadën që ajo punonte dhe me rendimentet e larta që po arrinte me brigadën e saj, ajo propozohet dhe më pas zgjidhet si deputete e Kuvendit Popullor në zonën e Çërravës dhe të Osnatit. Ne zhvilluam me Ferzien një intervistë eskluzive për gazetën Telegraf:
Ferzie ju vjen zor kur juve ju shohin nga 8 vjet deputete dhe tani bëni kafe në lokal?
Jo përkundrazi, jam krenare që jetoj me djersën time të ballit, para pak ditësh një deputet i asaj kohe, që ishin pranë në parlament kur më pa hapi sytë dhe më pyeti: “po ti moj Ferzie ç`ne këtu që bën kafe?!” …”këtu qenke katandisur”, deshi të thoshte si me ironi.
Po ti çfarë i the?
Hë (qesh)- “Po ti akoma atje je, në parlament që nga koha jonë!”, ai u skuq dhe nuk foli madje dhe kur pinte kafenë që i bëra unë shikonte nga banaku ku punoja unë vjedhurazi dhe qëndronte me disa partiakë të këtyre partive të reja. 
Cilat kanë qenë priviligjet tuaja në atë kohë?
Asnjë privilegj… kishim vetëm kartonin e deputetit në xhep që udhëtonim me tren nga Pogradeci në Tiranë pa lekë dhe në hotel Drini për ditët që qëndronim në Tiranë, pastaj gjithçka e kishe nga xhepi 
A keni diskutuar në parlament ndonjëherë?
Po sigurisht që kam diskutuar dhe kam ngritur problemet e zonës, kur mbarova së foluri, Mehmet Shehu më thotë: “Moj Ferzie, gjithë kjo gocë gati 2m, si nuk je bërë basketbolliste për kombëtaren”, salla qeshi. 
Po tjetër çfarë keni ndonjë diçka të veçantë?
Duke ndjekur një seancë të Kuvendit më erdhi një gjendje të fikti dhe u zverdha. Atë seancë ishte Enver Hoxha, befas ai mi nguli sytë dhe pas pak vijnë dy shoqëruesit e tij dhe më thonë: “na dha porosi shoku Enver t`ju çojmë e tju vizitojmë, se ju jeni shumë e zverdhur”. Me mua erdhi edhe ministria e Bujqësisë së asaj kohe Themie Thomai. “Pse shqetësoheni edhe ju”, e pyeta unë, por ajo më tha se e kishte dërguar shoku Enver. Pasi qëndrova dy orë në spital, u ktheva në parlament. Më thanë të shkoja tek kafja e parlamentit se më kërkonte vetë Enveri. Më takoi dhe më pyeti se “a isha mire”, tani pimë një kafe sëbashku …Është hera e parë në jetën time që e kam ndjerë vetën time të vlerësuar. 
Si ju duken kolegët e sotëm në parlament?
Më vjen turp që edhe unë kam qënë deputete në atë sallë. Sharje, fyerje, bëjnë shumë zhurmë por asgjë, si thonë këtej nga ana e jonë “rrahin ujë në hava”. 
Çfarë ndryshimesh sheh që nga koha juaj?
Asnjë ndryshim si atëherë dhe tani i njëjti avaz, neve na vinin në rrjesht dhe ngrinim të gjithë kartonat, ndërsa sot dy partitë e mëdha detyrohen të ngrenë kartonat dhe të votojnë sipas të parit të tyre dhe kjo është e tmerrshme të ndodhë në demokraci, ku parim bazë është liria e fjalës. Ndryshimi tjetër desha të theksoj, janë se këta të sotmit janë të pasur dhe të thyejnë kokën me para, vila në disa vënde, vetura, pushime jashtë shtetit nëpër plazhet më të shtrenja, ndërhyjnë për emërime nëpër dogana dhe polici, tatime dhe marrin zarfe të enjtur me euro, të veshur firmato …dhe banalitetet që kur fillon parlamenti duhet ti largosh fëmijët nga ekrani se dëgjon sharje nga më të ndyrat …
A e dini se do të bëhet një ndërtesë e re për parlamentin?
Është e turpshme të hidhet leku i popullit dëm për një parlament të ri. Përse edhe ai restaurim i sallës ishte i tepërt, nuk meritojnë sallë të re këta deputetësh që ne kemi …atë e kanë dhe shumë. Më fal se desh më doli nga mendja… pashë një ministër që e kishte thirrur komisioni përkatës parlamentar …Thërriste më shumë ministri dhe ju hakërrohej deputetëve, ku është parë e dëgjuar kjo, kur ne këmi thirrur një herë në komision ministren e bujqësisë së asaj kohe Themie Thomai, i bënim dy pyetje dhe asaj i shkonin djersët çurkë.
Duhet thënë një e vërtetë që këta deputetët e sotëm janë me shkollë?
Ka që janë me shkollë por ka dhe një pjesë prej tyre që kanë marrë diploma fallco, pa shkuar asnjë ditë në shkollë apo në Universitetin e Tetovës… Bëju një drejtshkrim, një pjesë e mirë prej tyre shkruajnë me gabime emrin e tyre, ndonjëri bën një shkronjë prej shtypi dhe një prej dore… Por dhe ne bënim atëhere shkollën e Partisë që quhej e lartë…që nuk ka ndryshim nga disa universitete private, ku studentët janë klientë që pagujnë dhe do të kalojnë të gjithë, kështu ndodhte edhe atëherë në Shkollën e Partisë, kalonim të gjithë por pa paguar para nën dorë. 
Sigal