Bardh Spahia: Do ngremë padi për hapjen e digave pa paralajmërim! Qeveria të reagojë, situata në Shkodër ende kritike

218
Sigal

Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, deklaroi se krahasuar me ditën e parë ka përmirësim, por nga ana tjetër me shqetësim është situata në disa njësi administrative si pasojë e rritjes së nivelit të ujit. “Ka problematika në disa njësi administrative pasi ka rritje të nivelit të ujit, edhe në Liqenin e Shkodrës dhe lumin Drin. Po ndjekim situatën. Krahasuar me dje, nga 2500 hektarë tokë në ujë, sot janë 1400 hektarë tokë nën ujë.”-tha Spahia. Kryebashkiaku i Shkodrës tha se kjo emergjencë nuk ka përfunduar dhe për këtë arsye duhet të jenë në gatishmëri në çdo moment. Ai ritheksoi se duhet të ishin njoftuar paraprakisht për hapjen e digave që të merrnin masa dhe të njoftonin banorët. “Duhet të ishim informuar paraprakisht nga strukturat që menaxhojnë kaskadën e Drinit për hapjen e portave të hidrocentralit. Do na jepte mundësi të merrnim masa, të njoftonim banorët. Do shmangeshin shumë pasoja. Nuk është hera e parë që ndodh. Jam ndjerë i tradhtuar pasi nuk jam informuar për përballjen me një sasi aq të madhe uji.”-tha Spahia. Kryebashkiaku i Shkodrës i kërkoi qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse transparencë të plotë për menaxhimin e situatës. Spahia tha se do bëjnë padi në prokurori për hapjen e digave pa paralajmërim.“Mungesë informacioni për hapjen e portave të hidrocentralit. Jemi në situatë të vështirë dhe të rrezikshme. Me një ditë reshje, Shkodra kurrë nuk ka pasur situatë të tillë edhe me sasi shumë më të mëdha dhe kohë më të gjatë reshjesh. E kundërta ndodhi dje, banorët thonë se për 30 minuta janë gjendur në përmbytje.” Po ndërmarrim të gjitha hapat tona ligjore me verifikimin dhe përgatitjen e dokumentacionit, të cilin do e dërgojmë për hetim. E papranueshme që informacionin për hapjen e portave ta marrim në rrugë jo zyrtare dhe zyrtarisht të mohohet hapja e portave dhe shkarkimet nga hidrocentralet.-tha Spahia.